Polonia i kërkoi sot sekretarit të përgjithshëm të NATO-s të përshpejtojë vendosjen e një sistemi mbrojtës antiraketë në kuadër të tensioneve me Rusinë për shkak të konfliktit në Ukrainë.

"Ne jemi të vendosur për ndërtimin e këtij sistemi mbrojtës ashtu si një sistem i NATO-s sepse vetëm si i tillë ka një kuptim domethënës si nga pikëpamja politike ashtu dhe ushtarake", theksoi presidenti, Bronislaw Komorowski  për shtypin në përfundim të një takimi me drejtuesin e ri të NATO-s, Jens Stoltenberg.
"Polonia është e vendosur të realizojë projektin e saj përsa i përket sistemit mbrojtës antiraketë dhe antiajror, i rëndësishëm jo vetëm për Poloninë dhe ne mbështesim angazhimet tona përsa i përket elementëve amerikanë të këtij sistemi mbrojtës", theksoi presidenti, Komorowski.
Çështja për këtë sistem mbrojtës, për të cilin Polonia do të duhet të kërkojë në të ardhmen disa miliarda dollarë, është bërë aktuale në kontekstin e ndërhyrjes së Rusisë në Ukrainë.

Stoltenberg, për të cilin është vizita e parë në një vend anëtar të Aleancës që prej marrjes së funksionit më 1 shtator, nënvizoi se "Polonia është një prej pjesëmarrësve kryesorë në sistemin mbrojtës antiraketë".

Varshava njoftoi vitin e kaluar qëllimin për të shpenzuar deri në 33,6 miliardë euro për vendosjen e sistemit mbrojtës antiraketë, pas njoftimit që SHBA do të hiqte dorë nga faza finale e sistemit mbrojtës evropian.

ATSH