TIRANË, 25 nëntor/ATSH-Z.Tosku/-Vatikani mban për herë të parë konferencën me temë "Personat me çregullim të spektrit autik: Ngjallja e një shprese".
Me ftesë të drejtuesve të organizatës ndërkombëtare "Autism Speaks", Bob dhe Suzanne Wright, punimet e kësaj konference treditore u ndoqën nga Presidentja e Fondacionit Fëmijët Shqiptar, Dr. Liri Berisha.
Konferenca trajtoi studime të fushës genetike dhe pranimin në shoqëri të rreth 70 milion njerëzve të prekur nga autizmi në mbarë globin. Temat e trajtuara përfshinë trurin dhe sjelljen, faktorët mjedisor, diagnostikimin e hershëm, teknologjinë si psh i-Pad që mund të përmirësojë cilësinë e jetës së tyre si dhe mënyrën se si mund të ndihmojnë vullnetarët.
Ky takim ishte konferenca më e madhe mjeksore mbi Autizmin dhe mblodhi 650 ekspertë nga 57 vende. Kjo konferencë u mbështet nga Këshilli Papal për Kujdesin Shëndetësor Pastoral.
Në mbyllje të konferencës presidentja e Fondacionit Fëmijët Shqiptarë mori pjesë në mëngjesin e lutjeve dhe dëshmive që Ati i Shenjtë Papa Françesku u rezervoi familjeve të personave me çregullim të spektrit autik.
Në fjalën e tij Ati i Shenjtë theksoi se duhet thyer izolimi dhe stigma që rëndon mbi njerzit me çregullim të spektrit autik. Në meshë morën pjesë rreth 1500 njerëz me autizëm, familjarë, vullnetarë e të ftuar. /a.ke/