Kreu i qeverisë, Edi Rama i është përgjigjur akuzave të opozitës për vdekjen e Lear Kurtit dy ditë më parë. Për pretendimet e opozitës se i riu është vrarë nga dhuna e policisë, Rama thekson se nuk ka asnjë shenjë që vdekja e 32-vjeçarit të ketë ardhur nga policia.

Nga një takim me fermerët në Elbasan, Rama tha se opozita po e përdor këtë rast duke e lidhur me vrasjen e Klodian Rashës, me qëllim që të prekin njerëzit dhe ata të dalin në protesta. Lidhur me këtë ngjarje, Rama u shpreh se po vijojnë hetimet dhe se Policia e Shtetit ka vepruar në mënyrë korrekte duke pezulluar efektivët që shoqëruan të riun atë natë.

“Akuzojnë policinë se ka vrarë një djalë të ri, në mënyrën më korrekte më serioze më dinjtioze policia ka pezulluar personat që mos të jenë të përfshirë në asnjë lloj procesi, është ngarkuar agjencia përkatëse, është mjekësia ligjore që bën punën e vet, nuk ka asnjë shenjë që të ketë qenë ndonjë gjë e bërë me të keq dhe gjithsesi të gjithë presim përfundimin, autopsia raporti i mjekësisë ligjore e me radhë. Por çfarë lloj qeniesh janë këta që ju dalin njerëzve si gogol në ekranet e televizorëve ku ju e shikoni megjithëse flasin për një regjim që kontrollon gjithçka, ne s’kontrollojmë asgjë, se ato ekrane janë ekrane në një barrikadë kundër qeverisë për arsye të pronarëve të tyre, e vrau policia, se dua ta lidhin në psikologjinë e njerëzve me atë tmerrin e madh që ishte në të rast një tmerr i vërtetë të të ndjerit Klodian Rasha dhe duan ti nxjerrin njerëzit në rrugë”, tha Rama.

Ndërsa në një postim më pas ai ka shkruar se opozitarët po sillen si hiena që kërkojnë të shqyejnë një të vdekur në media.

“Kur njeriu bëhet hienë nuk bëhet më kurrë njeri, po kur njerëzit u venë pas hienave rrezikojnë të bëhen hiena! Si mund t’u shkohet ende pas hienave që prej 24 orësh po shqyejnë një të vdekur nëpër media, duke ia hedhur fajin policisë, kur edhe vetë prokuroria ka folur qartë?!”

Ish-Kryeministri Sali Berisha ka akuzuar policinë për vrasjen. Pavarësisht se sipas ekspertizës i riu në stomakun e tij u gjetën doza kokainë, Berisha i mbetet të njëjtit qëndrim se  vdekja e tij erdhi si pasojë e dhunës policore. 

"Nga një keqtrajtim total dhe terror të vërtetë ndaj tij, asnjë rregull nuk është respektuar në hetimin e kësaj vrasjeje. Në hetimin e kësaj barbarie. Të supozojë, se vërtet këtij i ndaloi zemra por për të faktua rkëtë duhej korrektesa për çdo hap të kësaj. S’ka vdekje natyrale për një 32-vjeçar, jo! (...) Iu vendos atij qesja me kokainë në stomak atij, sicc ja vunë në dorë revolen Klodian Rrashës’- tha Berisha.

Ndërsa Sekreari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, tha se policia deri tani ka vrarë 4 vetë.

“Katër viktima në ndërgjegjen e Edi Ramës! Fund vrasjeve të të rinjve nga Policia e Shtetit! Vrasësit me uniformë të Policisë së Shtetit po u marrin jetën të rinjve shqiptarë në rrugë, në plazhe dhe në ambientet e Komisariateve. Këto ngjarje tragjike dhe tronditëse nuk do të jenë të fundit sa kohë në pushtet të jetë Edi Rama, Bledi Çuçi dhe falangat e tyre të inkriminuara në Policinë e Shtetit. Sot, e premte, në ora 20:00, të gjithë në protestë para Ministrisë së Brendshme!”, shkruan Blushi.

Këto reagime të politikanëve vijnë pas vdekjes së 32-vjeçarit Lear Kurti i cili ndërroi jetë në duart e policisë dy ditë më parë. Në një kontroll në mbrëmje vonë, Policia i ka kërkuar të riut që të ndalojë dhe t’i japë mjetin e identifikimit, por Kurti është larguar me vrap dhe sipas ekspertizës ai ka gëlltitur dy qese me doza kokaine.

Ekspertiza ka dalë në përfundimin se Kurti ka vdekur nga arresti kardiak që iu shkaktua si pasojë e overdozës. Deri në sqarimin e plotë të vdekjes së 32-vjeçarit në duart e policisë, kryepolici Muhamet Rrumbullaku, i pezulloi nga detyra efektivët që e shoqëruan të riun në komisariat.