Më 28 shtator të vitit 2023, Brian Spahia, vetëm 3 vjeç iu nënshtrua një ndërhyrje të vështirë dentare në klinikën “Splendent” në Tiranë. E megjithatë, bluzat e bardha vlerësuan se gjendja e tij ishte e mirë dhe i kërkuan prindërve ta marrin në shtëpi, pak pasi i vogli kishte dalë nga operacioni. Procedura kirurgjikale e cila ka zgjatur përreth 5 orë me anestezi të përgjithshme për të trajtuar njëkohësisht 14 dhëmbë, mes të cilëve disa me infeksion, siç thekson organi i akuzës – është në shkelje të rëndë të protokolleve mjekësore ndërkombëtare, shkelje të cilat janë shkak i drejtpërdrejtë i vdekjes së tij.

Për prokurorinë, nxjerrja e të voglit menjëherë nga klinika ende pa i dalë narkoza, pa marrë parasysh rreziqet nga efektet e anestezisë, pa monitoruar zgjimin e tij dhe pa asnjë verifikim nga mjekët të gjendjes shëndetësore pas operacionit, është “plotësisht e papërshtatshme”.

Sipas prokurorisë së Tiranës, e cila mbylli hetimet dhe dërgoi dosjen për gjykim, klinika nuk i ka bërë vizitat dhe testet e nevojshme paraprake, për gjendjen shëndetësore të 3-vjeçarit. Kjo nuk ka ndodhur – thotë akuza – as para operacionit, për të formuluar një diagnozë të saktë, dhe as pas procedurës kirurgjikale të tepruar për një fëmijë të moshës 3 vjeç. Mjekët sipas prokurorisë, nuk arsyetuan pse duhej kjo ndërhyrje dhe nuk specifikuan alternativa të tjera.

Për këtë, Prokuroria akuzon për vrasje nga pakujdesia në bashkëpunim, mjekun anestezist Ronald Xhaxho, pronar i spitalin, vajzën e tij stomatologe, Ina Xhaxho, dhe dentisten tjetër të klinikës, Marta Gina.

Mes ankthit të prindërve për djalin e tyre, dy stomatologet kanë menduar edhe të përfitojnë financiarisht prej tyre. Nga hetimet rezultoi se ato kanë marrë para për mbushjen e 14 dhëmbëve, ndërkohë që nga autopsia, rezultoi se 6 prej tyre ishin hapur por nuk ishin mbushur. Edhe pas vdekjes së Brian Spahisë, Ina Xhaxho ka vijuar të ushtrojë profesionin në klinikë, por sipas akuzës, kjo, ka ndodhur pa licencë, pasi ajo nuk e ka rinovuar atë te Urdhri i Stomatologut.

Në fakt, që i vogli nuk ishte mirë u kuptua menjëherë. Pak orë pas ndërhyrjes në klinikë, prindërit e dërguan në gjendje të rëndë në spitalin e Pediatrisë në QSUT, (koma dhe insuficiencë respiratore akute), më ku pas në datë 1 tetor të vitit 2023, Briani ndërroi jetë.

Edhe dy mjekët rojë që e pritën të voglin në spital Durim Sala dhe Vladimir Hoxa janë gjetur me shkelje, ndaj prokuroria i akuzon për neglizhencë në trajtimin mjekësor.  Sipas prokurorisë ata kanë rënduar më tej gjendjen e të miturit, por shkaku kryesor– siç thekson akuza – mbeten gabimet e mjekëve të klinika private.

“Mjekët nuk zbatuan protokollet mjekësore në drejtim të përcaktimit të diagnozës së duhur, evidentimin e shkaqeve më të zakonshme të shokut tek fëmijët dhe trajtimin e terapisë së përshtatshme me antibiotikë”, thotë prokuroria.

Gjatë hetimeve “u konstatuan shkelje të rënda të protokolleve mjekësore në kryerjen e autopsisë dhe ekspertizës mjekoligjore”, ndaj dhe dy ekspertët Elton Serani dhe Erindo Allo janë nën akuzë për ‘Shpërdorim detyre’. Ajo se cfarë kishte ndodhur me 3-vjeçarin Brian Spahiu u zbulua vetëm nga të huajt, pasi prokuroria kërkoi ekspertizë nga Italia.

Njoftimi i Prokurorisë së Tiranës

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, përfundoi hetimet dhe dërgon në gjyq shtatë persona pas humbjes së jetës së 3-vjeçarit, shtetasit B.S. pas një ndërhyrje dentare në një klinikë në kryeqytet.

Në përfundim të hetimeve, mbi procedimin penal nr.6477, të vitit 2023, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, dërgoi në gjyq shtetasit R.Xh dhe M.G., për veprën penale ‘Vrasje nga pakujdesia’ dhe ‘Mashtrim’ e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 85 dhe 143/2 të Kodit Penal, shtetasen I.Xh. për veprën penale ‘Vrasje nga pakujdesia’, ‘Mashtrim’ e kryer në bashkëpunim dhe ‘Ushtrim i aktivitetit të paligjshëm’ parashikuar nga nenet 85, 143/2 dhe 180/a/2 të Kodit Penal, shtetasit E.S. dhe E.A. për veprën penale ‘Shpërdorim detyre’ parashikuar nga nenet 248 dhe 25 të Kodit Penal, si dhe shtetasit D.A. dhe V.H. për veprën penale ‘Neglizhenca në trajtimin mjekësor’ parashikuar nga neni 96/1 i Kodit Penal.

Më datë 28.09.2023, i mituri B.S., iu nënshtrua një ndërhyrjeje dentare në 14 dhëmbë, tek Klinika “Splendent” drejtuar nga mjekët R.Xh dhe I. Xh. Pas ndërhyrjes i mituri kthehet në shtëpi dhe brenda pak orësh dërgohet në gjendje të rëndë shëndetësore (koma dhe insuficencë respiratore akute), në Spitalin e Pediatrisë në Qëndrën Spitalore “Nënë Tereza”, Tiranë, ku dhe më pas në datën 01.10.2023, ndërroi jetë.

Sipas aktit të riekspertimit mjekoligjor dhe ekspertimit mjekoligjor shtesë, nga ana e grupit ekspertëve italianë, u arrit në konkluzionin se: Shoku septik i rëndë, që solli më pas insufiçencën progresive shumëorganore, është shkaku kryesor i vdekjes të pacientit të mitur B.S. Grupi i ekspertëve arriti në përfundimin se gjatë ndërhyrjes dentare dhe procedurës së anestezisë, nga ana e anestezistit dhe stomatologeve që trajtuan të miturin, u konstatuan shkelje të rënda të protokolleve mjekësore ndërkombëtare dhe praktikave më të mira mjekësore, të cilat kanë një lidhje shkakësore të drejtpërdrejtë me vdekjen e tij.

Këto shkelje kanë konsistuar në:

- moszbatimin, moskryerjen e kontrolleve dhe verifikimeve të nevojshme për identifikimin e saktë të gjendjes klinike para operacionit të pacientit; mosformulimin në mënyrë adekuate të diagnozës para operacionit dhe mostrajtimin e duhur profilaktik para operacionit dhe në vazhdim, i mituri iu nënshtrua një procedure kirurgjikale pa u vizituar në mënyrë adekuate, pa një diagnozë të saktë, pa një indikacion të arsyetuar, pa specifikuar alternativat dhe pa kryer testet e nevojshme dhe të detyrueshme për gjendjen klinike të pacientit;

- ndërhyrje e kryer, e cila ishte më e gjerë se sa lejohej për një fëmijë të moshës 3 vjeç dhe induksioni i anestezisë së përgjithshme për një periudhë prej rreth 5 orë, për të trajtuar njëkohësisht shumë dhëmbë, mes të cilëve disa me infeksion të pulpës me rreziqet që lidhen me anestezinë e përgjithshme dhe kontrollin e vështirë të infeksioneve postoperative, evidenton përgjegjësinë për trajtim të tepërt.

- nxjerrjen plotësisht e papërshtatshme nga spitali i të miturit, duke mos marrë parasysh gjithashtu rreziqet që lidhen me anestezinë dhe patologjitë nga të cilat vuante fëmija, e sidomos arsyet për një kohë të zgjatur zgjimi, pas ndërhyrjes si dhe shenja të tjera klinike.

Gjithashtu nga hetimi rezultoi e provuar se dy stomatologët I.Xh dhe M.G. kanë mashtruar prindërit e të miturit duke i marrë pagesën për mbushjen e 14 dhëmbëve, ndërkohë që nga autopsia rezultoi se 6 prej tyre ishin hapur por nuk ishin mbushur. Për këtë fakt, ndaj tyre u ngrit akuza për nenin 143/2 të K.Penal. Ndërkohë nga hetimi, u provua që stomatologia I.Xh. pas ngjarjes ka vazhduar ushtrimin e aktivitetit të saj në mënyrë të paligjshme, pasi nuk ka rinovuar, në përputhje me procedurat ligjore, licencën si stomatologe nga Urdhri i Stomatologut.

Gjatë hetimeve u konstatuan shkelje të rënda të protokolleve mjekësore në kryerjen e autopsisë dhe ekspertizës mjekoligjore edhe nga ana e ekspertëve të I.M.L.-së, shtetasit E.S dhe E. A.

Gjithashtu shkelje u konstatuan edhe tek mjekët roje të pediatrisë V.A. dhe D.S. në momentin që i mituri u dërgua në spital. Mjekët nuk zbatuan protokollet mjekësore në drejtim të përcaktimit të diagnozës së duhur, evidentimin e shkaqeve më të zakonshme të shokut tek fëmijët dhe trajtimin e terapisë së përshtatshme me antibiotikë. Si rrjedhojë edhe moskryerja e veprimeve të tyre ka shkaktuar dëmtimin e rëndë të të miturit, edhe pse ai ishte në gjendje të rëndë, fakt që rezultoi nga akti i riekspertimit, pasi vdekja e tij nuk erdhi nga mosveprimet e tyre, por nga shkaku kryesor dhe i drejtpërdrejtë, që ishin veprimet dhe mosveprimet e të pandehurve R.Xh., I.Xh dhe M.G.