Prokuroria e Tiranës ka mbyllur hetimet në lidhje me vdekjen e 3-vjeçarit Brian Spahiu, pas ndërhyrjes në klinikën mjekësore “Splendent” të mjekut Roland Xhaxho, 2 vite e gjysmë më parë. Organi i akuzës gjen përgjegjës 7 persona, 3 prej të cilëve më kryesorët, 2 drejtuesit e klinikës, babë e bir dhe mjeken, për vrasje nga pakujdesia.

Roland Xhaxho dhe mjekja Marta Gina akuzohen për veprën penale ‘Vrasje nga pakujdesia’ dhe ‘Mashtrim’ e kryer në bashkëpunim. Ndërkaq, Ina Xhaxho, vajza e Ronald Xhixhos, gjithashtu mjeke akuzohet për veprat penale ‘Vrasje nga pakujdesia’, ‘Mashtrim’ e kryer në bashkëpunim dhe ‘Ushtrim i aktivitetit të paligjshëm’ .

I mituri Brian Spahiu iu nënshtrua një ndërhyrjeje dentare në 14 dhëmbë më datë 28 shtator 2023 dhe 3 ditë më pas humbi jetën, nga mbidoza e tepërt e anestezisë por jo vetëm. Brenda së njëjtës ditë që i është nënshtruar ndërhyrjes kirurgjikale, mjekët e nxorën të voglin nga klinika private në Tiranë dhe e dërguan në shtëpi. Brenda pak orësh dërgohet në gjendje të rëndë shëndetësore në Pediatrinë e QSUT, ku dhe më pas në datën 01.10.2023, ndërroi jetë.

“Sipas aktit të riekspertimit mjekoligjor dhe ekspertimit mjekoligjor shtesë, nga ana e grupit ekspertëve italianë, u arrit në konkluzionin se: Shoku septik i rëndë, që solli më pas insufiçencën progresive shumëorganore, është shkaku kryesor i vdekjes të pacientit të mitur B.S. Grupi i ekspertëve arriti në përfundimin se gjatë ndërhyrjes dentare dhe procedurës së anestezisë, nga ana e anestezistit dhe stomatologeve që trajtuan të miturin, u konstatuan shkelje të rënda të protokolleve mjekësore ndërkombëtare dhe praktikave më të mira mjekësore, të cilat kanë një lidhje shkakësore të drejtpërdrejtë me vdekjen e tij”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Shkeljet e konstatuara nga Prokuroria e Tiranës

Organi i akuzës thotë se nga hetimet është provuar se Roland dhe Ina Xhaxho, babë e bijë, kanë mashtruar prindërit duke i marrë pagesën për mbushjen e 14 dhëmbëve, ndërkohë që nga autopsia rezultoi se 6 prej tyre ishin hapur por nuk ishin mbushur. Ndërsa, shkelje të tjera janë evidentuar si më poshtë: 

Mungesë vlerësimi të gjendjes klinike para operacionit: Prokuroria konstaton moskryerjen e kontrolleve dhe verifikimeve të domosdoshme për të identifikuar saktë gjendjen shëndetësore të fëmijës përpara ndërhyrjes. Nuk është formuluar një diagnozë e qartë dhe as është bërë trajtim i duhur profilaktik para operacionit dhe në vijim.

Ndërhyrje e tepruar dhe anestezi e zgjatur: Hetimi evidenton se është kryer një procedurë më e gjerë nga sa lejohet për një fëmijë 3-vjeçar, ndërsa anestezia e përgjithshme është induktuar për rreth 5 orë, për të trajtuar njëkohësisht shumë dhëmbë, përfshirë disa me infeksion të pulpës. Kjo ka rritur ndjeshëm rreziqet që lidhen me anestezinë e përgjithshme dhe me kontrollin e infeksioneve pas operacionit, duke u cilësuar si trajtim i tepërt.

Nxjerrje e papërshtatshme nga klinika: Prokuroria e vlerëson shkelje në nxjerrjen e të miturit nga klinika private, duke mos marrë parasysh gjithashtu rreziqet që lidhen me anestezinë dhe patologjitë nga të cilat vuante fëmija, e sidomos arsyet për një kohë të zgjatur zgjimi, pas ndërhyrjes si dhe shenja të tjera klinike.

Ndërkohë nga hetimi, u provua që stomatologia Xhaxho pas ngjarjes ka vazhduar ushtrimin e aktivitetit të saj në mënyrë të paligjshme, pasi nuk ka rinovuar, në përputhje me procedurat ligjore, licencën si stomatologe nga Urdhri i Stomatologut.

Për gjykim edhe mjeket e QSUT-së

Nga hetimet nga rezultuar se dy mjekët Elton Serani e Erindo Allo shkelën protokollet mjekësore në kryerjen e autopsisë dhe ekspertizës mjekoligjore. Gjithashtu, mjekët roje të pediatrisë, Durim Sala dhe Vladimir Hoxha në momentin që i mituri u dërgua në spital nuk zbatuan protokollet mjekësore në drejtim të përcaktimit të shokut tek fëmijët dhe trajtimin e terapisë së përshtatshme me antibiotikë.

Njoftimi i Prokurorisë së Tiranës

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, përfundoi hetimet dhe dërgon në gjyq shtatë persona pas humbjes së jetës së 3-vjeçarit, shtetasit B.S. pas një ndërhyrje dentare në një klinikë në kryeqytet.

Në përfundim të hetimeve, mbi procedimin penal nr.6477, të vitit 2023, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, dërgoi në gjyq shtetasit R.Xh dhe M.G., për veprën penale ‘Vrasje nga pakujdesia’ dhe ‘Mashtrim’ e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 85 dhe 143/2 të Kodit Penal, shtetasen I.Xh. për veprën penale ‘Vrasje nga pakujdesia’, ‘Mashtrim’ e kryer në bashkëpunim dhe ‘Ushtrim i aktivitetit të paligjshëm’ parashikuar nga nenet 85, 143/2 dhe 180/a/2 të Kodit Penal, shtetasit E.S. dhe E.A. për veprën penale ‘Shpërdorim detyre’ parashikuar nga nenet 248 dhe 25 të Kodit Penal, si dhe shtetasit D.A. dhe V.H. për veprën penale ‘Neglizhenca në trajtimin mjekësor’ parashikuar nga neni 96/1 i Kodit Penal.

Më datë 28.09.2023, i mituri B.S., iu nënshtrua një ndërhyrjeje dentare në 14 dhëmbë, tek Klinika “Splendent” drejtuar nga mjekët R.Xh dhe I. Xh. Pas ndërhyrjes i mituri kthehet në shtëpi dhe brenda pak orësh dërgohet në gjendje të rëndë shëndetësore (koma dhe insuficencë respiratore akute), në Spitalin e Pediatrisë në Qëndrën Spitalore “Nënë Tereza”, Tiranë, ku dhe më pas në datën 01.10.2023, ndërroi jetë.

Sipas aktit të riekspertimit mjekoligjor dhe ekspertimit mjekoligjor shtesë, nga ana e grupit ekspertëve italianë, u arrit në konkluzionin se: Shoku septik i rëndë, që solli më pas insufiçencën progresive shumëorganore, është shkaku kryesor i vdekjes të pacientit të mitur B.S. Grupi i ekspertëve arriti në përfundimin se gjatë ndërhyrjes dentare dhe procedurës së anestezisë, nga ana e anestezistit dhe stomatologeve që trajtuan të miturin, u konstatuan shkelje të rënda të protokolleve mjekësore ndërkombëtare dhe praktikave më të mira mjekësore, të cilat kanë një lidhje shkakësore të drejtpërdrejtë me vdekjen e tij.

Këto shkelje kanë konsistuar në:

- moszbatimin, moskryerjen e kontrolleve dhe verifikimeve të nevojshme për identifikimin e saktë të gjendjes klinike para operacionit të pacientit; mosformulimin në mënyrë adekuate të diagnozës para operacionit dhe mostrajtimin e duhur profilaktik para operacionit dhe në vazhdim, i mituri iu nënshtrua një procedure kirurgjikale pa u vizituar në mënyrë adekuate, pa një diagnozë të saktë, pa një indikacion të arsyetuar, pa specifikuar alternativat dhe pa kryer testet e nevojshme dhe të detyrueshme për gjendjen klinike të pacientit;

- ndërhyrje e kryer, e cila ishte më e gjerë se sa lejohej për një fëmijë të moshës 3 vjeç dhe induksioni i anestezisë së përgjithshme për një periudhë prej rreth 5 orë, për të trajtuar njëkohësisht shumë dhëmbë, mes të cilëve disa me infeksion të pulpës me rreziqet që lidhen me anestezinë e përgjithshme dhe kontrollin e vështirë të infeksioneve postoperative, evidenton përgjegjësinë për trajtim të tepërt.

- nxjerrjen plotësisht e papërshtatshme nga spitali i të miturit, duke mos marrë parasysh gjithashtu rreziqet që lidhen me anestezinë dhe patologjitë nga të cilat vuante fëmija, e sidomos arsyet për një kohë të zgjatur zgjimi, pas ndërhyrjes si dhe shenja të tjera klinike.

Gjithashtu nga hetimi rezultoi e provuar se dy stomatologët I.Xh dhe M.G. kanë mashtruar prindërit e të miturit duke i marrë pagesën për mbushjen e 14 dhëmbëve, ndërkohë që nga autopsia rezultoi se 6 prej tyre ishin hapur por nuk ishin mbushur. Për këtë fakt, ndaj tyre u ngrit akuza për nenin 143/2 të K.Penal. Ndërkohë nga hetimi, u provua që stomatologia I.Xh. pas ngjarjes ka vazhduar ushtrimin e aktivitetit të saj në mënyrë të paligjshme, pasi nuk ka rinovuar, në përputhje me procedurat ligjore, licencën si stomatologe nga Urdhri i Stomatologut.

Gjatë hetimeve u konstatuan shkelje të rënda të protokolleve mjekësore në kryerjen e autopsisë dhe ekspertizës mjekoligjore edhe nga ana e ekspertëve të I.M.L.-së, shtetasit E.S dhe E. A.

Gjithashtu shkelje u konstatuan edhe tek mjekët roje të pediatrisë V.A. dhe D.S. në momentin që i mituri u dërgua në spital. Mjekët nuk zbatuan protokollet mjekësore në drejtim të përcaktimit të diagnozës së duhur, evidentimin e shkaqeve më të zakonshme të shokut tek fëmijët dhe trajtimin e terapisë së përshtatshme me antibiotikë. Si rrjedhojë edhe moskryerja e veprimeve të tyre ka shkaktuar dëmtimin e rëndë të të miturit, edhe pse ai ishte në gjendje të rëndë, fakt që rezultoi nga akti i riekspertimit, pasi vdekja e tij nuk erdhi nga mosveprimet e tyre, por nga shkaku kryesor dhe i drejtpërdrejtë, që ishin veprimet dhe mosveprimet e të pandehurve R.Xh., I.Xh dhe M.G.