Me gjithë misterin që shoqëron vdekjen e 3-vjeçarit Brian Spahiu pasi mbushi 14 dhëmbë në klinikën private të mjekëve, Roland dhe Ina Xhaxho babë e bij, edhe ekspertët mjeko-ligjorë, janë të paqartë deri më tani për çfarë mund të ketë shkuar keq.

Në raportin e ekspertizës paraprakë që Report Tv siguron firmosur nga mjeku ligjor Erindo Alla, shkaku i vdekjes është cilësuar “Vdekje e papritur nga shkaqe të panjohura më parë”. Ky përcaktim pritet të saktësohet më tej nga autopsia, e cila kërkon edhe disa ditë të dalë. Por mjek të ndryshëm japin interpretimin e tyre për fatalitete të tilla që në gjuhë mjekësore njihen si “vdekje të bardha”.  Ekspertët i thanë Report Tv se një term i tillë mjekësor: "vdekje e papritur nga shkaqe të panjohura më parë", jepet kryesisht tek fëmijët e vegjël, dhe një arsye mund të jetë një çrregullim i qarkullimit të gjakut.

Policia u rikthye të premten sërish në klinikën “Splendent” dhe aty u sekuestrua DVR e pamjeve filmike të ambienteve të brendshme dhe të jashtme, për të kuptuar se në çfarë gjendje shëndetësore ka dalë nga klinika 3-vjeçari

Mjeku i njohur Roland Xhaxho në një dalje për mediat, ka pretenduar se nuk ka pamje të ambienteve të brendshme të kohëve të fundit për shkak të disa punimeve që po kryheshin në godinë. Pamjet, sipas të njëjtave burime, akoma nuk janë hapur, dhe pritet që me kujdes të prokurorisë të kontrollohen deri në detaje.

Mjeku Xhaxho që aplikoi anestezinë totale te fëmija, tha se Briani doli në gjendje të mirë, i zgjuar nga narkoza në krahët e babait, por ndryshe pretendojnë familjarët që e kanë paditur si fajtor për vdekjen e djalit të tyre. Të dy, babë e bijë janë vënë në hetim në gjendje të lirë për neglizhencë në trajtimin mjekësor.

Në klinikën e mjekut Xhaxho, përveç DVR-së janë sekuestruar edhe disa kompjuterë dhe dokumente që kanë lidhje me ndërhyrjen në gojën e Brianit të vogël, të cilët do t’i nënshtrohen verifikimeve të mëtejshme. I vogli gjeti vdekjen në reanimacionin e pediatrisë në QSUT më 1 tetor, 3 ditë pas ndërhyrjes në klinikën  private.

Raportuan për Report Tv dhe Shqiptarja.com, gazetarët Enxhi Musaj dhe Sokol Dema

Skeda e vdekjes

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:26
Ndërroi jetë pas ndërhyrjes te dentisti, familjarët e 3 vjeçarit dhe të afërmit mblidhen nesër para klinikës private në Tiranë

1696685297_mjekuu.JPG

Familjarët e 3 vjeçarit që ndërroi jetë pas ndërhyrjes në dhëmbë që pati në klinikën private “Splendent”  në Tiranë do të mblidhen nesër para klinikës në kujtim të Brianit. Nesër në orën 18:00 do t'ju bashkohen edhe qytetarë.

Ora 11:44
Vdekja e 3-vjeçarit, sekuestrohen kamerat dhe kompjuterët e klinikës 'Splendent'

1696583614_Screenshot1.jpg

Me urdhër të Prokurorisë së Tiranës, policia ka sekuestruar të premten DVR-në e klinikës 'Splendent' ku u krye ndërhyrja ndaj 3-vjeçarit Brian Spahiu, i cili humbi jetën pas ndërhyrjes kirurgjikale. Mësohet se mjeku Roland Xhaxho ka pretenduar se në ambientet e brendshme nuk ka pamje të kohëve të fundit me argumentin e kryerjes së disa punimeve. Megjithatë, hetuesit kanë marrë të plota materialet dhe pritet që në ditët në vijim të këqyren me detaje, edhe mbi dyshimet se mund të jetë ndërhyrë për fshirjen e ndonjë materiali filmik. Po ashtu, janë sekuestruar edhe disa kompjuterë dhe dokumentacione që kanë lidhje me ndërhyrjen e fëmijës 3 vjeç.