Gerti Bogdani
Vdekja e parakohshme e ish-deputetit të Partisë Demokratike, Gerti Bogdani, ka sjellë reagime dhe ngushëllime nga faktori politik i të gjithë spektrit, përfshi edhe Qeverinë.
Kryeministri Edi Rama ishte ndër të parët që ndau dhimbjen dhe shprehu ngushëllimin e tij për humbjen e politikanit opozitar.
"Keqardhje për ndarjen kaq të parakohshme nga jeta dhe ngushëllime bashkëshortes e familjes Bogdani!", shkruan Rama.
Edhe Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali shprehu sot ngushëllimet për humbjen e parakohshme të jetës së ish-deputetit demokrat Gerti Bogdani, teksa shprehet:
“Dhimbje e thellë për ndarjen nga jeta të kolegut tonë, ish-deputetit të Kuvendit të Shqipërisë, babait, bashkëshortit, birit, Gerti Bogdani. Na trondite me ikjen tënde, Gert! Ike shumë i ri, vetëm 44 vjeç! Ngushëllime nga zemra familjes! U prehsh në paqe! Të ndrittë shpirt!”.
Për ngjarjen ka reaguar edhe deputeti demokrat Ervin Salianji:
“E pabesueshme, kjo ikje pa kohë Gert! Tronditës lajmi për ndarjen e parakohshme nga jeta i mikut dhe ish-kolegut Gerti Bogdani. Një nga djemtë më të mirë në Partinë Demokratike, një nga të rinjtë më energjik dhe kontributor i palodhur që nga Forumi Rinor dhe deri në Parlamentin e Shqipërisë! Ngushëllime të sinqerta Edlirës, familjes dhe miqve! Prehu në paqe Gerti!”
Nuk mungon në mesazh ngushëllues edhe kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta.
Ai shprehet “thellësisht i trishtuar nga lajmi për ndarjen e parakohshme nga jeta të ish-deputetit të Partisë Demokratike, Gert Bogdani”.
“Gjatë gjithë angazhimit të tij politik, ai krijoi një model pozitiv për të rinjtë duke i nxitur të jenë pjesë e vendimmarrjes”, shprehet ai. Teksa përcjell ngushëllimet, e cilëson edhe si “humbje të pazëvendësueshme”.
Teksa mesazhet ngushëlluese vijojnë të vijnë nga personalitete të të gjitha fushave, qeverisë dhe faktorit politik në të gjitha krahët....
Lajmi kryesor: