SARANDË- Policia ka marrë në pyetje montuesin e ashensorit artizanal ku humbi jetën 17-vjeçari Antonio Delilaj, në lokalin e famshëm të natës në Sarandë, “Orange Club”. Shtetasi Lulzim Allkushi, i arrestuar të shtunën për shkelje të rregullave të mbrojtjes në punë, ka treguar se pajisja nuk ishte kontrolluar pasi u montua katër vjet më parë, pasi e kishte kontaktuar pronari i lokalit Spiro Iljadhi.

“Më kërkoi që t’i montoja një pajisje si ashensor në mënyrë që të ngjisnin produkte ushqimore nga kati i parë në katin e dytë. Montimi është bërë që para 4 vitesh dhe që prej asaj kohe nuk më është kërkuar që ta kontrolloja”.- tha saldatori, Lulzim Allkushi.

Për ngjarjen e rëndë policia ka shpallur në kërkim pronarin e lokalit, Spiro Iljadhin, 37 vjeç, i cili gjithashtu akuzohet për shkelje të rregullave të mbrojtjes në punë dhe punësim të paligjshëm. Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 01:15 të së shtunës në lagjen “Nr. 1", të Sarandës, në lokalin “Orange Club” ku është këputur kavoja e ashensorit që përdorej kryesisht për furnizimin e lokalit, duke zënë poshtë kamerierin 17 vjeç Antonio Delilaj, nga fshati Qafë Gjashtë.

Inspektorati shtetëror i mbikëqyrjes së tregut, deklaroi se pajisja e përshtatur për transport mallrash nga subjekti, e cila ka pësuar defekt nuk është ashensor dhe për rrjedhojë nuk është inspektuar. Pronari i lokalit, Spiro Iljadhi, person me precedent penalë, më 20 qershor  2021, mbeti i plagosur afër biznesit të tij pasi u qëllua me breshëri automatiku nga vëllezërit Andrea dhe Visi Caushi dhe shoku i tyre Redjan Hadëri. Nga plumbat aksidentalisht u plagos dhe një pushues shqiptaro-amerikan kalimtar ne rruge.