GREQI- “Drejtori i burgut të Nigritas dha urdhër që Ilia Kareli duhet të vdesë”. Kjo është dëshmia e fortë e ardhur nga Fisnik Hasi, i burgosuri i këtij burgu, i cili prej vitesh njihte Karelin. Në një intervistë ekskluzive telefonike nga burgu i Nigritas për “A1 Report”, Hasi rrëfen se vetë drejtori kishte dhënë urdhër për vdekjen e tij.
 
“Ka dhënë urdhër drejtori i burgut që ky njeri duhet të vdesë. Ka dhënë urdhër drejtori dhe i kanë futur thikën”, rrëfen i burgosuri, gjatë intervistës së transmetuar në emisionin “Urbanika”, që ka trajtuar temën “Vrasja e Ilia Karelit”.
 
I burgosuri Hasi thotë se në momentin e parë kur Kareli mbërriti në këtë burg, kishte të nxira në sy. Ai kishte vetëm disa pika gjaku dhe më pas u fut në dhomën pa kamera.
Sinkron intervista telefonike
 
Hasi, njëri prej protagonistëve të arratisurve nga burgu i Trikalasë, rrëfen se janë shumë shqiptarë që vuajnë nga keqtrajtimet e gardianëve grekë në burgjet e Greqisë. Ai shkon dhe më tej kur shton se ata janë racistë dhe përveç ofendimeve dhe i keqtrajtojnë e i tallin.
 
Për Ilia Karelin ai pohon se policët e burgjeve i kishin fikur kamerat në momentin që ishte vrarë 42-vjeçari, ndërsa kishte dëgjuar një prej gardianëve të thoshte se ai e kishte vrarë Karelin.
 
RREFIMI I FISNIK HASIT PER “A1 REPORT”
“Ka dhënë urdhër drejtori i burgut që ai njeri duhet të vdesë. Unë e kam parë në televizor. Kareli Ilia, nga Malandrino, ka kaluar në 3 vende dhe kur ka ardhur në Seres ka ardhur në rregull. Kur u transferua Nigrita ishte në gjendje të mirë, ishte i goditur me grushte. Dhe këto gjera këtej janë normale. E dimë ne se çfarë na pret. Në moment që është futur në dhomën që nuk ka kamera. Kamerat janë hequr dhe janë marrë armë të ftohta nga thika deri në hekura dhe atje kanë hyrë 10 gardianë dhe drejtori i burgut. I kanë rënë me mjete të forta derisa e kanë lënë të vdekur.
 
Kam zbritur poshtë dhe i kam kërkuar drejtorit të burgut ta dërgonin në spital. Dhe më tha i kemi kërkuar që t’i japim ushqim. Por ai ka qenë i dëmtuar. I kërkova prapë ta dërgonin ë spital, por ai nuk dha asnjë lloj shpjegimi. I thashë ju morët hakun. Ndërsa ai tha nuk e kemi vrarë ne. Gardiani i burgut e ka kërcënuar Karelin dhe e ka sharë nga familja. Ka lënë edhe letër Kareli Ilia, dhe ai e ka ofenduar shumë. Ne kemi kaq vite në burg, dhe nuk i kemi parë familjarët. Edhe unë nënën e babën nuk i kam parë, e s’di nëse do i gjej gjallë.

Unë them se ata janë racistë, na dhunojnë, na trajtojnë shumë keq ne si shqiptarë. Ushtrojnë dhunë. Po ta shohësh shpinën time, unë jam i sëmurë. Ka trajtim ndryshe të burgosurve nga shqiptarët dhe të tjerët. Por ne na ka rënë halli”, rrëfen i burgosuri.
 
Ju e takuat Ilia Karelin pasi e rrahën në burgun e Nigritas?
Nuk e takova, pasi ne nuk na lanë ta takonim. Pasi ata e kishin vrarë. Edhe në foton e bërë nga kamera, duket që është në pranga. Por ai është goditur në dhomën ku s’ka patur kamera.
 
A ka patur reagime në burg nga gardianët?
Ka dalë gardiani ka thënë që unë do var veten, se unë e vrava Karelin. Kërkon të transferohet në burgun tjetër.
 
Shqiptarët e tjerë si kanë reaguar pas kësaj ngjarje?

Jemi tërbuar të gjithë nuk ndihemi mirë. Edhe gardianët janë frikësuar shumë. Se ashtu si vajti, më mirë të na fusin plumbin në ballë, sesa të na shkulin thonjtë ashtu si Karelit. Unë do jem i parë, që do e nis i pari dhe do e marr hakun e Ilia Karelit.
 
Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)