Vdekja e Lear Kurtit nga mbidoza pas arrestimit, Raporti i Avokatit të Popullit: Policia mund të parandalonte ngjarjen! Ja rekomandimet

Vdekja e Lear Kurtit nga mbidoza pas arrestimit, Raporti i Avokatit të Popullit: Policia mund të parandalonte ngjarjen! Ja rekomandimet

Lear Kurtit

Vdekja e Lear Kurtit nga mbidoza e kokainës që i shkaktoi infarkt, pasi u arrestua nga policia, mund të ishte parandaluar nga uniformat blu. Ky është përfundimi i Avokatit të Popullit në një raport që ka bërë, të cilin ia ka dorëzuar Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, drejtorit të Tiranës Tonin Voci si dhe Shefit të Komisariatit të Policisë nr.3 Tiranë ku ndodhi ngjarja, Altin Lila.

Sipas të dhënave të mbledhura nga ky institucion, thuhet se punonjësit e policisë kanë qenë të paqartë dhe nuk kanë marrë masa kur ky person është ndjerë keq.

“Duke mbajtur në konsideratë natyrën e çështjes, në raste të tilla shërbimet e policisë, mund ta parandalonin këtë ngjarje, në kushtet e veprimeve apo mosveprimeve që përfaqësuesit e rendit publik kishin si detyrim të kryenin”, thuhet ne raportin e Avokatit te Popullit.

“Referuar ligj.nr. 108/2014 për Policinë e Shtetit, neni 122 pika 1 dhe 2 përcaktohet se: 1. Masat mbrojtëse merren ndaj personit të sëmurë mendor, në gjendje të dehur, nën efektet e lëndëve narkotike ose ndaj personit me sëmundje ngjitëse të rënda. Në këto raste, punonjësi i policisë e dërgon personin në ambientet e policisë, në institucionet shëndetësore, në qendrat e rehabilitimit ose e dorëzon te kujdestari apo personat përgjegjës. 2. Punonjësi i policisë merr masat e nevojshme për mbrojtjen e personit, gjendja e të cilit tregon qartë se nuk mund të kontrollojë veprimet dhe sjelljen e tij dhe për këtë arsye mund t’i shkaktojë dëmtime fizike ose të përbëjë rrezik për jetën e tij ose të të tjerëve”, vijon raporti.

Në konstatimet e Avokatit të Popullit rezulton se gjatë shoqërimit të Kurtit, nuk emri i tij nuk është evidentuar në regjistrin e të shoqëruarve në ambientet e komisariatit.

“Gjithashtu u krye këqyrja e regjistrit të shoqërimit ku duhet të pasqyrohen rastet e shoqërimit. Gjatë këqyrjes së dokumentacionit të sipër përmendur, rezultoi se shtetasi Lear Kurti nuk ishte i evidentuar në këtë regjistër pas shoqërimit të tij në ambientet e komisariatit. Bazuar në rregullat e shoqërimit të personave në ambientet e komisariatit duhet mbajtur procesverbali i dokumentimit të veprimeve të kryera me personin e shoqëruar pas kryerjes së veprimeve të verifikimit e sqarimit të rastit për personin, nga punonjësi i policisë, si dhe dokumentimi i të dhënave, gjeneraliteteve të shtetasit për kohën hyrjes dhe qëndrimit të tij në Komisariat, cilësinë dhe shkaqet ligjore të kufizimit të lirisë”, thuhet në raport.

Në fund institucioni i Avokatit të Popullit i ka bërë 6 rekomandime policisë, të cilat ishin:

1. Marrjen e masave për zbatimin efektiv të garancive ligjore të qytetarëve në lidhje me ruajtjen e shëndetit dhe të mirëqenies së tyre në momentet e para të shoqërimit nga Punonjësit e Policis;  2. Marrjen e masave të nevojshme nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit për të ushtruar kontroll në mënyrë të vijueshme në të gjitha strukturat vendore të policisë lidhur me zbatimin e kritereve të shoqërimit të shtetasve dhe respektimin e të drejtave ligjore të personave të shoqëruar si dhe ushtrimit nga titullarët të kërkesave rigoroze llogarie për zbatim të procedurave në rastet e shoqërimit të personave; 3. Marrja e masave nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit që çdo shoqërim i personave në ambientet e policisë së shtetit të jetë i arsyeshëm dhe të ketë indiciet e duhura bazuar në ligjin për policin e shtetit i cili ka përcaktuar qarte rastet kur personat shoqërohen në ambientet e Policisë së Shtetit; 4. Përgjithësimin e këtij rasti në të gjitha strukturat vendore të Policisë së Shtetit, me qëllim mos përsëritjen e shkeljeve të tilla në të ardhmen nga punonjësit e policisë; 5. Marrjen e masave të nevojshme për zbatimin e detyrimeve ligjore për plotësimin e Formularit të Raportit të Shoqërimit në çdo rast shoqërimi të shtetasve sapo ata sillen në organin e Policisë; 6. Për shqyrtimin e këtij rekomandimi dhe qëndrimin që do të mbani ndaj tij, lutemi të vihemi në dijeni brenda një afati të përshtatshëm.

Mbrëmjen e 19 tetorit në lagjen ‘Riza Cuka’ në Tiranë, policia i bëri thirrje 32-vjeçarit Lear Kurti që të ndalojë, por ky i fundit nuk i është bindur urdhërit të policisë dhe është larguar me vrap. Efektivët e kanë ndjekur dhe kanë arritur që ta ndalojnë, të cilin më pas e kanë shoqëruar në komisariat. Por gjatë rrugës për në ambientet e komisariatit, 32-vjeçari ka shfaqur probleme shëndetësore, kryesisht dridhje. Menjëherë i riu është dërguar në spital, por sipas mjekëve ai ka mbërritur atje pa shenja jete.

Sipas ekspertizës paraprake, u bë me dije se i riu Lear Kurti ka ndërruar jetë si pasojë e overdozës pasi në stomak i ishte gjetur një përmbajtje plastike disa cm me kokainë. Gjatë ndjekjes, burime bëjnë me dije se 32-vjeçari kishte me vete një dozë kokaine, të cilën mendohet ta ketë gëlltitur nga frika gjatë ndjekjes nga policia pasi nuk donte të arrestohej. 

Vdekja e të riut shkaktoi një sërë përplasjesh, pasi opozita akuzoi policinë e Shtetit se ishin ato që e vranë Lear Kurti, e për ketë thirrën edhe protesta duke kërkuar drejtësi. Ndërkohë deri në sqarimin e plotë të ngjarjes, kryepolici Muhamet Rrumbullaku, pezulloi nga detyra efektivët që e shoqëruan të riun në komisariat.

(Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë)

G.MO/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë