Komiteti Shqiptar i Helsinkit në një reagim zyrtar thotë se policia ka vepruar në kundërshtim me nenet e Kushtetutës, për shoqërimin e të riut Lear Kurti, që ndërroi jetë një ditë më parë në komisariatin e policisë. Sipas Komunitetit Shqiptar të Helsinkit, punonjësit e policisë duhet të kishin dërguar të riun me urgjencë në spital jo në komisariatin e policisë, pasi ato e kanë konstatuar menjëherë se ai është në gjendje jo të mirë shëndetësore.

KSHH bën thirrje që prokuroria të hetojë ligjshmërinë e veprimeve të kryera nga forcat e policisë, shkakun e vdekjes së viktimës dhe nëse kjo ngjarje mund të parandalohej, në kushtet e veprimeve apo mosveprimeve që përfaqësuesit e rendit publik kishin si detyrim të kryenin.

‘Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KSHH) duke marrë shkas nga të dhënat e medias të datës 20.10.2022 mbi 32 vjeçarin L.K, sipas të cilave rezultonte se ai ishte shoqëruar ne Komisariatin e Policisë nr. 3 (Tiranë), dhe në vijim ishte dërguar në Spitalin e Traumës ku ishte konstatuar vdekja e tij, vlerësoi të nevojshme që këto të dhëna të verifikohen në vend.

KSHH e sheh të nevojshme të përmendë se në rastin konkret, nuk ndodhemi as para shoqërimit, ndalimit dhe as para arrestimit në flagrancë, që parashikon Kodi i Procedurës Penale. Në këto rrethana, punonjësit e Policisë kanë vepruar në kundërshtim me nenin 27 të Kushtetutës dhe nenit 5 të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut, që parashikojnë rastet kur mund të kufizohet liria e personit.

Nga të dhënat e verifikuara nga Raporti i shërbimit, i hartuar nga salla operative e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, ka rezultuar se gjendja jo e mirë shëndetësore e shtetasit L.K. është konstatuar nga forcat e rendit në orën 23:34. Duke patur parasysh sa më sipër, punonjësit e Policisë do të duhej të zbatonin në mënyrë strikte nenin 17 pika “a” dhe nenit 89 pika “c” të Ligjit nr. 108/2014 “Për Policinë e Shtetit”, duke transportuar menjëherë dhe në mënyrë urgjente shtetasin L.K. në spital, dhe jo ta çonin në ambientet e Komisariatit.

Duke mbajtur në konsideratë natyrën e çështjes, në raste të tilla është organi i Prokurorisë që duhet të hetojë më tej për ligjshmërinë e veprimeve të kryera nga forcat e policisë, shkakun e vdekjes së viktimës dhe nëse kjo ngjarje mund të parandalohej, në kushtet e veprimeve apo mosveprimeve që përfaqësuesit e rendit publik kishin si detyrim të kryenin.’- reagimi Komitetit Shqiptar të Helsinkit.

Kujtojmë se Lear Kurti ndërroi jetë në duart e policisë, por rrethanat mbeten ende të paqarta dhe pritet të zbardhen nga ekspertizave. Në ekspertizën paraprake rezultoi se i riu Lear Kurti ka ndërruar jetë si pasojë e overdozës pasi në stomak i është gjetur një përmbajtje plastike disa cm. Gjatë ndjekjes, burime bëjnë me dije se 32-vjeçari kishte me vete një dozë kokaine, të cilën mendohet ta ketë gëlltitur nga frika gjatë ndjekjes nga policia pasi nuk donte të arrestohej. Në stomakun e 32-vjeçarit ka pasur shenja hemoragjie, çka mund të jetë shkaktuar nga gëlltitja e lëndës plastike ku dyshohet se mbahej lënda narkotike.