Dy ditë pas vdekjes së turistit rus Denis Kaiumov, prokuroria e Vlorës, ka përgatitur kërkesën për dhënien e masës së sigurisë ndaj biznesmenit Fatmir Kuçi, i akuzuar për veprën penale të vrasjes aksidentale në det.
 
Lajmi bëhet i ditur nga burime zyrtare të prokurorisë së Vlorës që thanë se masa e sigurisë pritet të shqyrtohet të shtunën nga gjykata e shkallës së parë në Vlorë.
 
Ndërkaq prokuroria ka nisur veprimet e saj hetimore edhe ndaj punonjësve të stacionit të policisë kufitare në Himarë të dyshuar për shpërdorim detyre.
 
Prokuroria dyshon se punonjësit e policisë së stacionit kufitar të Himarës, kanë lejuar biznesmenin Fatmir Kuçi të lundrojë, ndonëse ai nuk kishte leje lundrimi në det.
 
Kjo leje lundrimi nuk i ishte dhënë këtij të fundit pasi nuk ka pasur të prerë siguracionin përkatëse të mjetit lundrues.
 
Nga autopsia që është kryer deri më tani, ekspertët mjeko- ligjorë kanë konfirmuar faktin se Kaiumov, ka pasur prerje të thella në trup.
 
Një fakt i tillë konfirmon deri më tani dyshimin e policisë dhe prokurorisë se ai është shkaktar i vrasjes së turistit rus.
 
Po ashtu për të përcaktuar më me saktësi këtë fakt, pritet të përcaktohet edhe thellësia e plagëve dhe nëse ato përputhen me gjatësinë e helikave të skafit të Kuçit, kjo mund të rrëzojë çdo alibi të biznesmenit se nuk e ka vrarë ai turistin rus.
 
Prokuroria ka sqaruar edhe dinamikën e ngjarjes ku mbeti i vdekur turisti rus Denis Kaiumov. Sipas policisë Kaiumov ka hyrë në det të notojë ndërsa bashkëshortja me vajzën janë nisur në këmbë për në shtëpinë e tyre të pushimit.
 
Ky ka qenë edhe kontakti i fundit, mes tyre, deri sa familja është njoftuar se Kaiumov ishte në spitalin e Vlorës. Nga hetimi i prokurorisë thuhet se i dyshuari Fatmir Kuci, ka konstatuar ngjarjen dhe ka transportuar viktimën ne Spitalin e Himares me mjetin e tij lundrues motoskaf.
 
Gjatë pyetjes së tij prej prokurorëve biznesmeni nuk pranoi akuzën e vrasjes së pushuesit, por se e kishte gjetur rastësisht në atë gjendje. Pavarësisht kësaj prokuroria thotë se Kuçi është personi i dyshuar për ngjarjen.
 
Ndërkaq ky i fundit ka pohuar se pranë vendit ku ai ka gjetur turistin rus, kanë qenë edhe mjete të tjera duke lundruar në atë moment. Një person me një gomone sipas prokurorisë ka ndihmuar Kuçin të ngjisë turistin rus në skaf.
 
Ndërkaq J. Kuçi 13 vjeçar, djali i biznesmenit të arrestuar për vrasjen e turistit rus, ka pohuar se kishte marrë pa lejen e të atit motorin e ujit, ndërsa kishte vënë re se i ati, po hipte në skaf një person të dëmtuar.
 
Djali 13-vjeçar i autorit të arrestuar për vrasjen e turistit rus e ka përdorur motorin e ujit në det në shkelje të ligjit, pasi sipas vendimit në fuqi mosha minimale për të drejtuar një varkë me motor apo me vela është 18-vjeç.

Kështu përpos të atit Fatmir Kuçi që drejtonte motor skafin pa leje lundrimi në det, edhe djali i tij 13-vjeç ka kryer një tjetër shkelje, por biznesmeni pretendon se djali ka dalë në det për të lundruar pa lejen e tij.

Për t'u rikthyer te ngjarja, biznesmeni sipas rrëfimit të të birit në prokurori i kishte kërkuar që të dilte në breg dhe të kërkonte ndihmë dhe një ambulancë për turistin rus të plagosur, që më pas ndërroi jetë.
 
Në lidhje me hetimin e çështjes, sipas prokurorisë gjatë këqyrjes së skafit në pronësi të Kuçit, por edhe motorrit të ujit (Xhetski), ekspertët kanë gjetur njolla gjaku që dyshohet se i përkasin turistit Denis Kaiumov.
 
Njollat janë gjetur në pjesën mes ndenjëse dhe motorrit të skafit si dhe në kuvertën e tij, ndërmjet motorrit dhe pjesë së sipërme. Këto njolla sipas pretedimit të Kuçit, kanë mbetur kur rusi është vënë në skaf për t’u nisur në spitalin e Himarës.
 
Fatmir Kuçi, 44 vjeç nga Elbasani, u arrestua të mërkurën me akuzën e vrasjes aksidentale. Kjo pasi ai dyshohet se ndërsa ka qenë duke lundruar me një mjet skaf pa leje lundrimi ka askidentuar për vdekje turistin rus denis Kaiumov që kishte ardhur në Shqipëri për pushime. Gjatë të shtunës, pritet që gjykata e Vlorës të vendosë edhe masën e sigurisë ndaj biznesmenit të akuzuar për vrasje Fatmir Kuçi.


Deklarata e plotë e prokurorisë së Vlorës për vrasjen e turistit

d.b/shqiptarja.com