Shkolla është laike dhe nuk duhet të promovojë fe të caktuara, as të mësojë doktrina fetare, por një gjë e tillë ka ndodhur në shkollën 9-vjeçare Gustav Majer.

Mësuesi i anglishtes Dritan Zaimi ka predikuar fenë e Jehovait me nxënësit e arsimit bazë, dhe pas shqetësimit të prindërve, profesori është përjashtuar.

Me video për dashurinë hyjnore për Zotin dhe detyra në fletore për nxënësit e fillores, që lidhen me urdhërimet e Perëndisë, si këto foto të siguruara ekskluzivisht nga gazetarja e Top Channel, Kristi Gongo, prindërit e klasës së katërt ngritën alarmin në drejtorinë e shkollës në fillim të javës. Pas verifikimit nga komisioni i disiplinës, u vendos masa e largimit të mësuesit.

“5 orë mësim për Zotin. Thoshte fjalët e Zotit për fundin e botës. Na vendoste vetëm 10 për Zotin”, shprehet një nga nxënësit.

“Ka ndodhur një gjë e paparë, a ka më turp dynjaja, t’i thuash fëmijës ‘vdis sot, se do ngjallesh nesër?!’ Ti jashtë, në mbasdite, ki besimin tënd, po në shkollë jo. Gabim që nuk falet!”, thonë prindërit.

Dëshmitë e fëmijëve dhe prindërve janë tronditëse, teksa tregojnë përpjekjet për indoktrinimin e nxënësve brenda ambienteve shkollore. Rrëfimet zbulojnë se qasja e profesorit të anglishtes ishte e dukshme, por situata u përkeqësua kur bindjet e tij u bënë pjesë e programit mësimor.

Mësuesi i anglishtes shfrytëzonte orën e mësimit për të diskutuar tema fetare. Ndonëse shquhej si mësues i përgatitur në njohuritë e lëndës, kishte prindër pa dijeni mbi rastin ose të kënaqur me rezultatet e notave.

Një nga prindërit thotë: “Unë 5 vite e kam vajzën që bën anglisht dhe s’kam pasur shqetësim”.

Por, institucioni arsimor dhe drejtuesit rajonalë vendosën pushimin nga puna të mësuesit, si rast në shkelje të rregullores dhe ligjit që dikton arsimin laik./ Top Channel

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 17:49
Tiranë/ 'Nuk jep mësim prej 3 shkurtit', DRAP reagon për rastin e mësuesit që u fliste nxënësve për Jehovain në 9-vjeçaren 'Gustav Majer'

1770396835_gustavvvv.ëebp

Shkolla 9-vjeçare "Gustav Majer"

Drejtoria Rajonale për Arsimin Parauniversitar Tiranë ka reaguar zyrtarisht për rastin e mësuesit të anglishtes Dritan Zaimi, i cili u fliste nxënësve të shkollës 9-vjeçarre "Gustav Majer", ku ai jepte mësim, për fenë e Jehovait.

DRAP bën me dije se prej datës 3 shkurt, mësuesi Dritan Zaimi është larguar nga puna dhe nuk ka dhënë më mësim në shkollën "Gustav Majer".

Njoftim mbi rastin e mësuesit të gjuhës angleze në shkollën “Gustav Mayer”:

Në vijim të ankesës së paraqitur nga dy prindër më datë 02.02.2026, Drejtoria e shkollës 9-vjeçare “Gustav Mayer” ka kryer menjëherë verifikimet përkatëse, në bashkëpunim me shërbimin psikosocial të institucionit. Në kuadër të këtij procesi, drejtoria dhe shërbimi psikosocial kanë hyrë në orën e mësimit të zhvilluar nga mësuesi dhe kanë administruar materialet përkatëse të përdorura gjatë procesit mësimor.

Bazuar në gjetjet e verifikimit, ndaj mësuesit z. Dritan Zaimi janë ndjekur procedurat ligjore dhe institucionale në fuqi. Konkretisht:

• Më datë 02.02.2026, Drejtoria e shkollës i ka përcjellë rastin Komisionit të Etikës (shkresa nr. 29 prot.), i cili u mblodh në të njëjtën datë.

• Me shkresën nr. 30 prot., Komisioni i Etikës ka referuar çështjen për shqyrtim në Komisionin e Disiplinës.

• Më datë 03.02.2026, Komisioni i Disiplinës u mblodh dhe, me votim të fshehtë, vendosi me 7 vota pro masën disiplinore “largim nga puna”.

Në zbatim të legjislacionit në fuqi, përfshirë Kodin e Punës të Republikës së Shqipërisë, ligjin nr. 69/2012 “Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”, rregulloren për funksionimin e institucioneve arsimore parauniversitare dhe Kodin e Etikës së Mësuesit, Drejtoria e shkollës ka nisur procedurën për zgjidhjen e njëanshme të kontratës së punës.

Në respektim të afateve dhe të drejtës për t’u dëgjuar, mësuesi është njoftuar për t’u paraqitur më datë 09.02.2026, me qëllim parashtrimin e qëndrimit të tij lidhur me vendimin e marrë.

Që prej datës 03.02.2026, z. Zaimi nuk ka zhvilluar më orë mësimore në shkollën 9-vjeçare “Gustav Mayer”.

Institucionet arsimore mbeten të angazhuara për respektimin e standardeve profesionale, etikës dhe sigurisë së nxënësve, duke vepruar në përputhje të plotë me ligjin dhe procedurat përkatëse.