Veçoritë e karditit reumatizmal te fëmijët

Veçoritë e karditit reumatizmal te fëmijët
Qëllimi i këtij studimi është të analizojë shpeshtësinë dhe format e shfaqjes së karditit reumatizmal në ethen reumatizmale dhe të vlerësojë në mënyrë krahasimore ndryshimin e shpeshtësisë dhe faktorëve që ndikojnë në shfaqjen e tij në kohë. Pjesëmarrës në këtë studim janë 273 subjekte nga mosha 5 deri 15 vjeç, subjektet janë pacientë në pavijonin e kardiopediatrisë në Qendrën Spitalore Universitare Tiranë (QSUT).

Studimi është retrospektiv i shtrirë në dy periudha 1980-1990 (225) dhe 2000-2010 (48). Rastet e marra në studim janë me kardit reumatizmal në atakun e parë.
Për studimin u përdorën kartelat tip dhe pacientët, të cilët u morën në konsideratë u bazuan në disa kritere pranimi dhe përjashtimi ku përmendim valvulopatitë e lindura, altrelgji me natyra të tjera dhe miokardite me etiologji të ndryshme.

Si bazë e metodikës u përdorën vlerësimet klinike, radiologjike, EKG, ekokardiografike, laboratorike.

Nga rezultatet e këtij studimi u arrit në përfundimin që:
Shpeshtësia e rasteve me ethe reumatizmale në grupin e dytë është reduktuar në mënyrë sinjifikative krahasuar me grupin e parë. Vihet re se poliartriti është forma klinike me shpeshtësi më të lartë në të dy grupet në krahasim me format e tjera klinike të ethes reumatizmale, me 105 (77%) raste në grupin e parë dhe 32 (87%) raste në grupin e dytë. Me tej radhiten karditet me 74 (53%) raste në grupin e parë dhe 10 (51%) raste në grupin e dytë. Më të pakta në numër vihen re rastet me korea minor (12% ne te parin dhe 8% ne te dytin) dhe shumë të rralla rastet me eritema marginatum (5% ne grupin e pare dhe 4% ne te dytin) apo nyjet subkutane te Meynet (vetem me 3% ne grupin e pare). Manifestimet kardiake kanë ardhur duke u zvogëluar, ku insuficienca e valvulës mitrale mbetet me shpeshtësi më të lartë krahasuar me të tjerat. Format e rënda si pankardite, perikarditet nuk vihen re më në 10 vjeçarin e dytë.

Faktorët determinues kryesore që kanë ndikuar në këtë progres janë dy: përmirësimi i kujdesit shëndetësor dhe përmirësimi i kushteve social-ekonomike.
Përmirësimi i kujdesit shëndetësor ka qenë në disa drejtime si trajtimi i infeksioneve streptokoksike, parandalimi sekondar me Dipenine i pacientëve pas atakut të parë me ethe reumatizmale, diagnostikimi i rasteve me prekje kardiake dhe trajtimi i mirë i tyre.

Roli indirekt i përmirësimit të kushteve social-ekonomike ka qenë gjithashtu i rëndësishëm në këtë progres. Megjithatë ende në zonat rurale, ku megjithëse është vënë re se ka ulje të numrit të rasteve me ethe reumatizmale, mbetet për t'u bërë ende shumë për sensibilizimin e popullatës për trajtimin e infeksioneve streptokoksike dhe parandalimin sekondar. Tashmë është e vërtetuar se të dyja profilaksitë primare dhe sekondare kanë vlerë të madhe në uljen e sëmundshmërisë dhe komplikacioneve të sëmundjes dhe në ecurinë e saj.

Hartimi dhe zbatimi i një programi të detajuar për profilaksinë primare dhe sekondare do të ishte shumë i dobishëm. Kështu për shembull programe vertikale për profilaksinë primare që konsistojnë në detektimin dhe trajtimin korrekt të infeksioneve streptokoksike faringeale, mund të integrohen shumë lehtë në politikat e shëndetit publik duke mos qenë dhe aspak të kushtueshme.

(Shkrimi u publikua në suplementin Shëndeti, në gazetën Shqiptarja.com(print), 13 dhjetor 2012)
(ad.ti/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Pogradec/ Sherr me thika midis dy të miturve! 15 vjeçari përfundon në spital

Pogradec/ Sherr me thika midis dy të miturve! 15 vjeçari përfundon në spital