PRISHTINË, 6 Mars/ATSH/.- Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti priti në takim ministrin e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë të Shqipërisë, Erion Veliaj.
Sipas KosovaPress, në këtë takim kryetari Ahmeti e njoftoi ministrin Veliaj lidhur me projektet e realizuara gjatë vitit të parë të mandatit të tij qeverisës, si dhe ato që planifikohen të realizohen në të ardhmen.
"Si komunë jemi në fazën e fundit të realizimit të projektit përmes të cilit planifikohet punësimi i të rinjve që janë në përfundim të mësimit në shkollat profesionale. Fillimisht, pas diplomimit ata do të vendosen si praktikant në sektorin privat, në mënyrë që t'ju krijohen kushtet për punësim. Kjo bëhet me qëllim që të krijohet lidhja midis 8 shkollave profesionale në Komunën e Prishtinës dhe sektorit privat", tha Ahmeti.
Gjithashtu, sipas tij, komuna ka planifikuar edhe mbështetjen dhe hapjen e vendeve të reja të punës në sektorin e shërbimeve transferuese për nevojat e tregut global në fushën e teknologjisë informative.
Ministri Veliaj e njoftoi kryetarin Ahmeti për reformat e tregut të punës, pagesat sociale, pensionet, reformën e shkollave profesionale. Gjatë këtij takimi u diskutua lidhur me mundësinë e bashkëpunimit në fushën e rinisë, respektivisht për qendrat e karrierës dhe aftësimit profesional. Ministri Velijaj e ftoi kryetarin Ahmeti për një vizitë në Tiranë me qëllim konkretizimin e bashkëpunimit në të ardhmen./m.m/











