TIRANE - Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj është shprehur për herë të parë për gjobën që i është vendosur Partisë Demokratike dhe akuzave që shpërthyen se firma e punonjësit të Bashkisë ishte e falsifikuar. Qytetari i parë i Tiranës hodhi poshtë këto pretendime, duke konfirmuar se punonjësi i Policisë bashkiake Besmir Karaj ka firmosur faturën e gjobës. Gjithashtu, kryebashkiaku tha se fatura financiare për PD-në është "vulosur" edhe me firmën e tij, çka sipas tij tregon se nuk i është dashur të fshihet pas emrit të askujt. Ai thotë se i del për zot vërtetësisë së këtij dokumenti ndërshkues për dëmet e shkaktuara gjatë protestës së 8 Dhjetorit.  

“Për sa kohë që unë i kam dalë vetë zot dhe vetë kam firmosur gjithë dëmet, nuk kam nevojë të fshihem pas askujt sepse i kam vënë emrin tim dhe ia kam drejtuar fletën e dëmeve dhe firmën time kryetarit të PD që ishte institucioni, ekipi, skuadra, organizata që kërkoi leje për aktivitetin. E konfirmoj se polici Besmir Karaj e firmosi vetë. Polici më dhimbset se qëlloi të ishte në detyrë. E kuptoj se polici që duhet të shoqëronte fletën e gjobës rezultoi se ishte djali i kreut të PD në Fushë-Krujë. Kjo bashkinë e nderon ”, deklaroi Veliaj.

Kryetari i Bashkisë nuk ka lënë pa komentuar edhe ironinë që kryedemokrati Basha bëri pas gjobës, kur tha se do t'i çojë një kastravec 163 mm të gjatë. Sipas Veliaj, kjo është shprehje e një gjuhe "rrugaçërie".

"Humor burgu dhe batuta ordinere. Basha kastravec hyri dhe ashtu doli nga bashkia", - u shpreh Veliaj.

Ai tha se nuk do të  lejojë që askush të vandalizojë Tiranën dhe të mos paguajë dëmet.

“Nuk do lejojë kurrë që PD ta bëj lesheli Tiranën dhe pastaj unë si kujdestar i Tiranës t’ i fus dorën në xhep qytetarëve që s’ kanë bërë asnjë faj, që atë ditë ishin në shtëpinë  e tyre dhe t’ ju them: ‘ Na jepni lekët tuaja, s’ do bëjmë çerdhe , kopshte dhe shkolla, se ne do rregullojmë ça prishin vandalët’. Ça u bë këtu?! Ky është vendimi që kam marrë, nesër do të keni detaje të tjera, Agjencia e Mbrojtjes së Konsumatorit , Ndërmarrja nr. 2, secila sipas pjesëve që mbulon, do keni fotografitë e çdo lloj dëmi”, tha Veliaj.

Pak orë pas protestës që Partia Demokratike organizoi kundër qeverisë më 8 dhjetor, Bashkia e Tiranës i faturoi gjobën prej 16.3 milionë lekësh të reja pas inpsektimeve që punonjësit e bashkisë bënë në terren. Këtë gjobë të konsiderueshme Bashkia e bashkallidhi me vlerën financiare të të gjitha dëmeve që turma shkaktoi gjatë protestës para kryeministrisë dhe që më pas u zhvendos tek bunkeri i sapondërtuar si instalacion artistik pranë Ministrisë së Brendshme

Prononcimi i plote i Veliajt

Pyetje: Gjoba që i keni vendosur PD për dëmet gjatë protestës rezulton të ketë firmë të falsifikuar. Polici bashkiak ka depozituar një padi ku thotë se atij edhe me ligj nuk i lejohet që të vendosë një gjobë më shumë se 5 milionë lekë. Çfarë mund të na thoni për këtë?
Veliaj: Së pari, ju nuk mund të jepni konkluzione që duhet të japë një gjykatë. Së dyti, për sa kohë që unë i kam dalë vetë zot dhe vetë kam firmosur gjithë dëmet, nuk kam nevojë të fshihem pas askujt sepse i ka vënë emrin tim dhe ia kam drejtuar fletën e dëmeve dhe firmën time kryetarit të Partisë Demokratike që ishte institucioni, ekipi, skuadra, organizata që kërkoi leje për aktivitetin.
 
Unë e kuptoj, siç tha edhe PD, që polici i dezhurnit që duhej të shoqëronte me fletën e gjobës të gjithë listën e dëmeve në PD rezultoi që ishte djali i kryetarit të PD në Fushë Krujë. Unë them se kjo Bashkinë e nderon, që nga lajmi i mirë që ne pavarësisht se çfarë thotë PD, ne nuk u bëkemi biografi njerëzve, sepse po t’u bënim biografinë, ai s’duhej të ishte aty, me standardin e demokratëve.
 
Unë sigurisht që ndiej keqardhje, më dhimbset që ajo është një parti që me stilin e vjetër komunist u bën biografinë njerëzve dhe ua përdor për të hequr dorë nga detyrat e tyre, por i takon gjykatës ta vendosë. Ne, fatmirësisht kemi të gjithë blloqet e gjobave, ka mbi 2000 fletë gjobash të po të njëjtit zotëri, me të njëjtën firmë, por këtë do e shohim në gjykatë.
 
Ajo që nuk lëviz dhe që nesër do të shoqërohet nga të gjithë ndërmarrjet është që atë raport nesër do e çojnë të detajuar pranë PD. Një forcë politike e cila zbret në Tiranë, për t’i vënë flakën qytetit, për të shkulur pemët, e cila si trofe merr copa pusetash dhe gurësh nga trotuaret, nuk është një parti që ofron alternativë. Nëse ju mendoni se dhuna është alternativë, unë them se alternativë është si menaxhohet qyteti. Kishin katër vjet për ta menaxhuar qytetin dhe çfarë i bënë?! E plaçkitën. Tani që e plaçkitën, tani edhe e vjedhin, kur vijnë e protestojnë në qytet. Kjo nuk ndodh në asnjë vend të civilizuar të botës.
 
Që në mbledhjen e parë të Këshillit Bashkiak kam ëndërruar pikërisht për ditë të tilla, për mënyrën se si paguhen detyrimet në Bashkinë e Tiranës. Kjo pasi, kishim një sistem të vjetër ku detyrimet i paguante të gjitha Bashkia dhe nënkuptonte që taksapaguesit që nuk kanë bërë asnjë gabim të paguajnë dëmet e dikujt që shqyen puseta, pllaka, tabela, prish stola, heq parkimet e biçikletave dhe i vë zjarrin Tiranës.
 
99 % e qytetarëve që paguan taksat, që nuk ka bërë asgjë, pse duhet të paguajë çmimin e vandalëve? Pse duhet t’ju marrim nga xhepat tuaj kostot e dikujt që në fakt nuk e do qytetin, nuk e kupton bashkëjetesën. Për sa kohë që 99% e njerëzve në Tiranë nuk shkatërrojnë, vandalizojnë, nuk urinojnë publikisht, pse duhet që qytetarët e ndershëm ta paguajnë këtë çmim?!
 
Ajo që nesër do u shkojë me postë dhe unë nuk do të lëviz nga kjo, nuk e di sa do të paguajnë apo se si do të paguajnë, por u kujtoj që për pesë ditë u fillon kamatëvonesa, për 28 ditë u bllokohen llogaritë. O do bëjmë shtet dhe të gjithë të respektohen njësoj ose me batuta vulgare, duke sharë njerëzit nga familja, është një gjë që i ka humbur dy palë zgjedhje të kësaj partie!
 
Unë besoj se është në nderin e tyre të ofrojnë një alternativë. Nëse alternativa e tyre është të jenë vulgarë dhe të kenë një sjellje komplet ordinere, këtu do jemi, do i shohim zgjedhjet. Por nëse njerëzit duan punë, unë jam për punë. Nëse njerëzit duan rregull, unë jam për rregull. Nëse njerëzit duan pastërti, unë jam për pastërti. Nëse duan rrumpallë, rrumpallë e kishin katër vjet, votuan një gjë tjetër.
 
Unë jam shumë i gatshëm, jam përballur dy herë me ta në zgjedhje, përballem prapë. Por më rezulton që qytetarët e Tiranës duan rregull dhe punë. I dëgjova komentet vulgare. Nuk kam ndërmend të merrem me to. Një parti që ka degjeneruar, ku kryetari flet me këtë vulgaritet dhe si ish-kryetar bashkie minimalisht duhet t’i dhimbset qyteti që të paktën me letra menaxhoi vetë. As këtë nuk e bëri! Dhe unë besoj që këtu nuk duhet të pyetet ai që po mundohet ta ruajë qytetin. Qytetarët e kanë parë se unë po mundohem ta ruaj qytetin. Në datën 21 qershor më votuan si “kujdestar” të Tiranës. Një kujdestar i mirë kujdeset për gjërat që i kanë lënë në zotërim. Pronë e Bashkisë, pronë e qytetarëve ku unë jam zgjedhur, kujdestar është trotuari, pema, stoli, lulishtet, tabelat. Pra, gjëra që i shijojnë të gjithë qytetarët. Në momentin që vjen në Tiranë një valë vandalizmi, qyteti duhet të përgjigjet me mënyrat e veta. Tani ka dy mënyra: Ose ne përgjigjemi njësoj si ata, pra shkatërro ata, shkatërro ne, ose ne përgjigjemi me rregullat që ka vënë qyteti!
 
Këshilli Bashkiak, ku edhe PD është, ka vendosur këto rregulla, që në qytetin e Tiranës, kryeqytetin e gjithë shqiptarëve nuk mund të vish e të urinosh në publik. Këshilli Bashkiak ku është edhe PD, ka vendosur që në Tiranë nuk mund të shkulësh pemë. Këshilli Bashkiak ka vendosur që në Tiranë ti nuk mund të vandalizosh çfarë gjen përpara. Këshilli Bashkiak ka vendosur që ti nuk mundesh të vjedhësh pusetën, ta marrësh në krahë dhe të kthehesh nga ke ardhur me trofe nga Tirana.
 
Kemi vendosur disa norma në qytet. Nesër, të gjitha ndërmarrjet, pasi kanë marrë faturën paraprake të dëmeve, ua çojnë atyre që e prishin. Sigurisht kishim dy orë për ta rregulluar Tiranën dhe besoj që asnjë nuk ishte kundër pse Tirana u rregullua dhe kërkohet llogari për faturën nga ata që e vandalizuan qytetin. Po pse, kujt ia çuan këtë faturë? Pse duhet që qytetarët e Tiranës të bëjnë një çerdhe më pak, se me këtë çmim të një çerdhe më pak, ne duhet të paguajmë të gjithë dëmet e vandalëve?! Pse duhet që 100 fëmijë t’i lëmë pa çerdhe, se kjo kosto duhet të shkojë për vandalistët?!
 
Në qoftë se vjen, nëse vijnë vandalët në televizion ju çfarë thoni? S’ka gjë se do e rregullojmë ne?! Jo! I çoni vandalët përpara drejtësisë dhe u çoni faturën. Ndaj ju lutem, të sillemi të gjithë si qytetarë, të kuptojmë që Tirana nuk është e Bashkisë, është e qytetit! Bashkinë e zgjedhin që të jetë kujdestare e përkohshme, katërvjeçare e qytetit. Sa të jem unë këtu, jo PD, por kushdo të bëjë dëm në Tiranë do marrë faturën sipas dëmit që ka bërë. Ju garantoj që faturën do e paguajnë! Tani mund të bëjnë gallatë, mund t’i shajnë njerëzit nga familja apo të bëjnë batuta vulgare. Kjo vetëm vërteton që Shqipëria është ndarë në dy pjesë, një pjesë që do shkatërrimin dhe që do me këtë sjellje rrugaçërore t’u imponohet njerëzve me dhunë, dhe një pjesë që u imponohet njerëzve me punë. Unë e kam marrë vendimin tim jam te pjesa e shqiptarëve që i imponohet me punë, me rregull, me ligj, me shtet. Nuk do lejojë kurrë që PD ta bëj lesheli Tiranën dhe pastaj unë si kujdestar i Tiranës t’ i fus dorën në xhep qytetarëve që s’ kanë bërë asnjë faj, që atë ditë ishin në shtëpinë e tyre dhe t’ ju them: ‘ Na jepni lekët tuaja, s’ do bëjmë çerdhe , kopshte dhe shkolla, se ne do rregullojmë ça prishin vandalët’. Ça u bë këtu?! Ky është vendimi që kam marrë, nesër do të keni detaje të tjera, Agjencia e Mbrojtjes së Konsumatorit , Ndërmarrja nr. 2, secila sipas pjesëve që mbulon, do keni fotografitë e çdo lloj dëmi dhe i them PD shumë respekt për protestat. Tiranën këtu e kishit, mund ta kishit rregulluar, mund ta kishit pastruar, mund ta kishit ndriccuar, nuk e bëtë. Tani na lini ta bëjmë. Teksa jemi duke e pastruar, duke e ndriçuar dhe duke e rregulluar, mos na e shkatërroni. Doni të na e shkatërroni? Paguani faturën, më ato lekë ne bëjmë të gjithë rregullimet .
 
Pyetje: Kryetari i PD-së ka thënë se do t’ ju dërgoj një kastravec aq sa është vlera e gjobës, a keni një koment për këtë?
Veliaj: Po çfarë komenti mund të kem?! Së pari, është shumë e ulët që kryetari i PD-së, mirë që ishte i paaftë, por flet edhe më një gjuhë rrugaçërore. Sigurisht që nëse ke hyrë në bashki si kastravec dhe ke dal si kastravec, kjo ndoshta është e vetmja batutë që të vjen ndërmend. Por ky nuk është problemi im, ky është problemi i tij. Ai e kishte mundësinë të ishte lideri i qytetit. Humbi, me këtë batutë, edhe mundësinë për të qenë lider i këtij shteti. Kur nuk qullosi dot qytetin, nuk do e qullosi dot shtetin. Për sa kohë që është nën nivelin mesatar të edukatës minimale, asnjë fëmijë në klasë të parë nuk përgjigjet me të tilla batuta perverse. Në një pijetore, ku njerëzit janë dehur dhe një tufë rrugaçërish janë mbledhur, kjo është shaka burgu. Por, për një njeri që i është shmangur burgut me delikatesë gjithë këtë kohë, ndoshta e vetmja batutë që i vjen është e disa rrugaçëve në burg. Se si i humb ai shanset për të qeverisur shqiptarët dhe se si ul ai nivelin e bisedës, e diskutimit publik, e qytetarisë është problemi i tij.
 
Nuk jam unë të bëj llogaritë e tyre. Unë jam këtu të bëj llogaritë e Tiranës. Tiranës, sporti i tij vandal i kushtoi. Unë refuzoj ta paguajë Tirana këtë llogari. Qytetarët e Tiranës nuk i detyrohen asgjë bashkisë për këto prishje. I detyrohet ai që e organizoi. Kam dhënë leje për atë kërkesë. Enno Bozdo ka bërë leje pranë bashkisë dhe ka nënshkruar në kërkesën për leje që sigurohet për pastërtinë, sigurohet për mosprishjen e zbukurimeve, sigurohet për mbajtjen e vendeve nga ku do të kalojnë. Ka shkelur rregullat e lejes. Bëmë një kontratë. Do thoni ju, ata s’ mbajnë asnjë kontratë. Ata u votuan edhe prapë i masakruan njerëzit. Dakord, por shkelën edhe këtë kontratë. Duke qenë se shkelën edhe këtë kontratë, si çdo kush që do bënte një kontratë me ju, po ta shkelni, do paguani penalitetet.
 
Shkelën kontratën me Bashkinë e Tiranës. Bashkia i’u dha një kontratë sipas të cilës duhet ta mbanin pastër qytetin, nuk duhet ta shkatërronin, nuk duhet të shkulnin pemë, nuk duhet të urinonin. Të edukosh një parti, që ka qeverisur Shqipërinë shumicën e tranzicionit, se çfarë gjërash nuk bëhen në qytet, është si të edukosh kopshtin pa drekë. Sillen si fëmijët e një kopshti pa drekë, që nuk dinë as normat elementare se si jetohet në qytet. Kur zbret në qytet, thua këtu ka rregulla të tjera. Këtu nuk bën ca gjëra që ndoshta i bën në pyll. Nëse duan ta kthejnë Tiranën në pyll, kjo nuk ka për të ndodhur. Nëse duan ta kthejnë në rumpallë, nuk ka për të ndodhur. Kishin 4 vjet se si drejtohej Tirana. Ju më pyesni mua për batuta komplet ordinere, nëse kjo është platforma e tyre, e cila është sharje, shpifje, merru me njerëzit e shtëpisë dhe shkatërrim, do vinë zgjedhjet prapë, le ta votojnë njerëzit këtë platformë. Më rezulton që njerëzit votuan platformën tonë pozitive, energjike, që bën punë, që nuk merret me llafe, por që fokusohet tek një qytet që funksionon.
 
Pyetje: Z.Veliaj lidhur me çështjen e firmës thatë se do ja le në dorë gjykatës. Nëse do të rezultojë e drejtë kjo padi që ka ngritur polici, cili do të jetë qëndrimi juaj?
Veliaj: Së pari nuk është e vërtetë, sapo i’ u sqarova që nuk është e vërtetë sepse kemi me mijëra fletë-gjoba të këtij zyrtari. E mirëkuptoj deklaratën e PD-së, që thonë se ky është djali i kryetarit të tyre dhe ky nuk mund të ua bëjë këtë demokratëve. Sigurisht që më dhimbset, ju garantoj publikisht, unë nuk heq njerëz nga puna për të tilla arsye. Por, në thelb po provon pikërisht se kjo Parti Demokratike që deri dje qahej se ne bëkemi kërdinë, i paska pasur të gjithë bijtë e vet të punësuar në bashki. Unë, beteja dhe lufta politike për këtë arsye nuk heq njerëz nga puna. Njerëzit largohen nga Bashkia e Tiranës kur nuk performojnë, kur nuk shkojnë në punë, kur janë bodiguard i Saliut dhe punojnë veteriner i mishit të derrit, për këto po.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)