TIRANE- Vetëm 6 ditë para se të linte detyrën, ish-kryebashkiaku Lulzim Basha ka shtyrë me dy vjet, afatin e lejes së ndërtimit të pallatit 16-katesh pranë shtëpisë së Ismail Kadares. Kryetari i Bashkisë Erion Veliaj, në emisionin “Opinion” ka zbardhur vendimin e datës 24 korrik të Bashës, i cili pak ditë para se të dorëzonte detyrën ka firmosur shtyrjen e lejes, të një pallati i cili kontestohet jashtë çdo kriteri  urbanistik. “Gjashtë ditët përpara se të betohesha, një kryetar Bashkie që ishte tërë kohën në Hollandë, është kthyer gjashtë ditë përpara se të betohej kryetari tjetër.

Pra, kur zgjedhjet kishin mbaruar, numërimi ishte bërë, kundërshtarët kishin uruar njëri – tjetrin, kthehet në punë dhe jep edhe dy vjet zgjatje të lejes pallatit ngjitur me Sky Tower, në rrugën Donika Kastrioti. Një pallat që nuk ka as garazh, pallati ngjitur me shtëpinë e shkrimtarit Ismail Kadare, pallat me të cilin ambasada Zvicerane është në gjyq, pallat i cili po i skadonte leja dhe nuk kishte mbaruar punë dhe nuk kishin shans tek unë ta merrnin këtë lejë që dha Lulzim Basha. Pasi ke humbur zgjedhjet je aty për të mbajtur detyrën deri sa të vijë tjetri.  Një pallat pa garazh, ndërtuar mbi ballkonin e shkrimtarit tonë të madh dhe në tokën e ambasadës Zvicerane”, - u shpreh Veliaj.

Vendimi është kryer në favor të subjektit ndërtues “Teknoprojekt”, për përfundimin e punimeve për një periudhë 2 vjeçare, duke filluar nga data e hyrjes në fuqi e këtij vendimi. Gjithashtu, kryebashkiaku tha se pallati në fjalë është legalizuar nga ish qeveria “Berisha”, në të njëjtën formë siç bëri Lulzim Basha, vetëm pak ditë para se qeveritë të ndërroheshin në shtatorin e 2013-s. “Sa Kadareja kishte mbaruar një faqe libri, shtohej edhe një kat, tek ky pallat”, - tha Veliaj. Në lidhje me lejet e ndërtimit, Kryetari i bashkisë përmendi se nuk ka firmosur asnjë të tillë përgjatë këtyre muajve.

Parkimet
Për parkimet me pagesë, Veliaj tha se është e vetmja mënyrë që mund të zgjidhës problemin e trafikut në Tiranë. Ai theksoi dhe njëherë se banorët rezidentë nuk do të paguajnë asnjë lekë, pasi do të pajisen me kartën e tyre.
 
Bulevardi
Për bulevardin, kryebashkiaku tha se do të ketë një park qendor. Ky park do të jetë rreth 800 metra katrorë, 6 herë më i madh se parku ‘Rinia”. Aktualisht punimet për bulevardin po vazhdojnë dhe brenda vitit të ardhshëm, do të jenë gati 2 km e para. Sipas Veliaj projekti i Bulevardit nuk do të ketë pallate, por do t’i jepet më shumë rëndësi gjelbërimit.

“Krijohet Unaza e Vogël. Projekti për tramin Tiranë-Rinas”
Bashkia po përfundon projektin për Unazën e Vogël, duke siguruar financimin nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit. Gjithashtu, do të kryhen shpronësimet për të gjitha ndërtesat të cilat do të shemben. “Sheshi “Skënderbej” do të jetë pedonale. Kjo do t’i paraprijë edhe projektit të Unazës së Vogël për të cilin kemi gjetur edhe burimet e financimit”, - tha kryebashkiaku Gjithashtu ai tha se në Tiranë nuk mund të ndërtohet trami, pasi nuk ka hapësira të tilla. Gjithsesi një projekt tjetër që ka menduar bashkia, në bashkëpunim me qeverinë është që të bëhet trami Tiranë-Rinas. Ky projekt është ende në fazën fillestare, që mund të bëhet edhe me koncesion.
 
16-katëshi
“Një pallat që nuk ka as garazh, pallati ngjitur me shtëpinë e shkrimtarit Ismail Kadare, pallat me të cilin ambasada Zvicerane është në gjyq, pallat i cili po i skadonte leja dhe nuk kishte mbaruar punë”
 
Pallati
Vendimi është dhënë në favor të subjektit ndërtues “Teknoprojekt”, për përfundimin e punimeve për një periudhë 2 vjeçare. “Sa Kadareja kishte mbaruar një faqe libri, shtohej edhe një kat, tek ky pallat”
 
 
 Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 01 Dhjetor 2015

Redaksia Online
(e.m/shqiptarja.com)