Betohet Erion Veliaj: Kam rënë në dashuri me Bashkinë! Rama: Mos harroni si e gjetëm Tiranën në kohën e Bashës

TIRANË- Erion Veliaj u betua këtë pasdite për një mandat të dytë si kryetar i Bashkisë së Tiranës për të vijuar punën për transformimin e Tiranës në qytet modern europian dhe bashkëkohor, siç ai u shpreh.

Kryeministri Edi Rama ka vlerësuar punën e  kryebashkiakut Erion Veliaj në krye të Bashkisë së Tiranës për katër vitet e para. Në fjalën përshëndetëse në ceremoninë e betimit të kryebashkiakut Veliaj, Rama tha se krahasimi me si u gjet Bashkia e Tiranës dhe qyteti dhe si është sot, "është vrastar për ata që e lanë qytetin në derexhe për katër vite më parë".

“Bilanci i derikëtushëm i Bashkisë ëshë padiskutim pozitiv, por padiskutim nevojat janë shumë dhe pritshmëritë. Edhe pse koha ka shkuar,  është e nevojshme të mos harrojmë se nga u nisëm katër vite më parë. Krahasimi me si e gjetëm dhe si e kemi Tiranën,është vrastar për ata që e lanë Tiranën në derexhe katër vite më parë. Arsyeja është duke bërë këtë krahasim ne vijimësisht marrim kreditet e nevojshme të besimit të njerëzve për të bërë shumë më shumë”, tha Rama

Tirana ka një Këshill Bashkiak të ri. 61 këshilltarët e zgjedhur në 30 qershor janë betuar sot duke konstituar edhe “parlamentin” e ri të qytetit, ndërsa kryetar i tij u zgjodh zëvendësministri i Drejtësisë, Toni Gogu. Në detyrën e nënkryetarëve u zgjodhën Vjollca Braho dhe Luan Bregasi. 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 19:52
Nga Zona e lirë ekonomike tek shkollat e bulevardi, Veliaj prezanton projektet: Do të bëj më të mirën për Tiranën e shekullit të ri

1564506391_veliaj1.jpg

Pas betimit si kryetar i Bashkisë së Tiranës edhe për një mandate të dytë, Erion Veliaj shprehu angazhimin se nuk do t’i zhgënjejë qytetarët dhe se do të punojë për vijimin e projekteve transformuese për qytetin. Në fjalën e mbajtur në mbledhjen e Këshillit Bashkiak, Veliaj u betua se do të bëjë më të mirën për Tiranën e shekullit të ri.

“Ju  premtoj që nuk do t’ju zhgënjej dhe që do të vendos të gjithë energjinë time edhe të stafit, në përmbushje të çdo premtimi që kemi dhënë bashkë. Siç e tha kryeministri, sot nuk e kemi më luksin të krahasohemi me ata që shkuan, por sot kemi një detyrim të jashtëzakonshëm të krahasohemi me ambicien edhe me ëndrrat tona. Kështu që për ambicien, për ëndrrat dhe për të gjithë përkushtimin tonë, betohem para jush që do të bëj më të mirën për Tiranën e shekullit të ri”, theksoi Veliaj.

Në fjalën e tij, Veliaj renditi disa nga projektet që do të bëjë në këtë mandat të dytë, duke nisur që nga zona e lirë ekonomike që do i japë një impuls të ri ekonomisë tek nisja e punës për Kampusin e Ri Universitar. “Dua që grupi që do të punojë për urbanistikën, menjëherë t’i bashkohet zv/ kryetarit, për të lehtësuar të gjithë procedurat për Kampusin e Ri Universitar. E përmendi kryeministri, jemi bashkë sërish , për të mbajtur premtimin e kryeministrit me studentët. Kemi rinovuar shumicën e godinave në Qytetin Studenti, na kanë ngelur edhe tre të fundit, megjithatë komisioni I Urbanistikës që do të punojë për gjithë çështjet e Kampusit të Ri Univeristar do të duhet që ta adresojë këtë që një mbledhjen e parë për të ecur përpara”, tha Veliaj.

Teksa theksoi se Tirana është në pesëshen finale për të qenë kryeqyteti evropian i Rinisë në 2022,  Veliaj shprehu ambicien për të ndërruar më shumë shkolla, kopshte, çerdhe. “Jam sot shumë krenar që Tiranën e kemi kthyer në një qytet shumë cilësor për fëmijët dhe do të doja që t’i kishim gjithmonë parasysh në të gjithë vendimmarrjet tona. 17 shkollat e reja janë në punë e sipër.  Ne kemi ndryshuar ligjet e Urbanistikës, çdo leje tani jo vetëm taksohet më shumë ndërtuesi, por kushtëzohet me marrjen e tokës së pa ndërtuar në dhuratë, pra në pronësi të Bashkisë, për t’u siguruar që të njëjtën gjë që po bëjmë me shkollat të bëjmë me kopshtet e çerdhet e Tiranës”, tha ai.

Por një nga xhevahirët e Tiranës është Bulevardi I ri ku po projektohet Tirana e 100 viteve të ardhshme. “Nëse në 100 vitet e fundit Tirana është rritur përtej një shtylle kurrizore që quhet bulevardi i vjetër, parashikojmë që në 100 vitet e ardhshme Tirana të rritet tek ai që quhet bulevardi I ri. Kemi vënë pllakën e parë me kryeministrin në fillim të këtij mandati dhe jam i lumtur që më fund e pamë të përfundojë kjo shtyllë e re kurrizore e Tiranës që zgjat dy herë gjatësinë e qytetit dhe të shikojmë se si ajo që quhet zona Fin Tech, të vazhdojë e të zhvillohet në zonën e bulevardit të ri ku besoj të gjithë do jemi krenarë dhe kur t’i lëmë këto poste, për të thënë që nisëm një shekull të ri për Tiranën tone”, deklaroi kryebashkiaku Veliaj i cili nga sot nis mandatin e dytë në krye të Tiranës duke e udhëhequr drejt të katër vjeçari të ri transformues.

Ora 18:58
Veliaj batuta me Ramën dhe kryetarin e ri të këshillit bashkiak: Kemi dy katunarë këtu...

 

Erion Veliaj e shoqëroi me batuta ceremoninë e betimit si kryebashkiak në mandatin e tij të dytë në Tiranë. Toni Gogu, kryetari i ri i këshillit bashkiak të Tiranës është nga Peza, ndërsa i pranishëm në ceremoni ishte dhe kryeministri Edi Rama. Veliaj i quajti të dy katunarë, nisur nga fakti që kryeministri Edi Rama jeton në periferi të Tiranës, në Surrel dhe tha se Bashkia do të kthejë edhe më shumë sytë nga fshati me investime.

"Një katunar nga Peza, Toni Gogu...Kemi dy katunar këtu tani që (Rama) është tranferuar atje dhe na sjell përditë lajme nga fshati. Duhet të përmirësojmë vendimarrjen ndaj fshatit, përfaqësimin 50 me 50 të vajzave dhe grave. Kemi një përfaqësim dinjitoz nga fshati, dhe disa nisma konkrete përtej gjelave të baldushkut: Tregu publik i shumicës në Farkë!", tha Veliaj.

Ai falenderoi kryeministrin Edi Rama edhe për traditën e re të bashkëpunimit dhe komunikimit me biznesin.

Ora 18:54
Veliaj betohet kryebashkiak në mandatin e dytë: Kam rënë në dashuri me Bashkinë e Tiranës

 

Erion Veliaj u betua si kryetar i Bashkisë së Tiranës në një ceremoni në këshillin bashkiak ku i pranishëm ishte edhe kryeministri Edi Rama.

“Betohem në nderin tim se do të kryej me ndërgjegje detyrën e Kryetarit të Bashkisë dhe do t’ i bindem kushtetutës dhe ligjeve. Betohem se në të gjithë veprimtarinë time do të udhëhiqem nga interesat e qytetarëve të Bashkisë së Tiranës, e do të punoj me ndershmëri  e përkushtim për zhvillimin dhe rritjen e mirëqenies së tyre”, lexoi kryetari i ri Këshillit Bashkiak Toni Gogu formulën e betimit, ndërsa Veliaj përsëriti fjalën “Betohem”.

Më pas në fjalën e tij të parë si kryebashkiak i ri i Tiranës Veliaj falenderoi Partinë Sopcialiste, kryeministrin Edi Rama dhe qytetarët e Tiranës që i besuan atij drejtimin ebashkisë dhe punëve në kryeqytet për një mandate të dytë. 

“I kam qenë gjithmonë shumë mirënjohës Edi Ramës dhe PS që më dha besimin të drejtoj kryeqytetin në këto vite por në fakt këtë mirënjohje në këtë mandat e kam dy here më të madhe se tani kam rënë në dashuri me Bashkinë dhe tani e kuptoj se ç’mendim ose ç’vështirësi për vendimmarrje mund të ketë pasur Edi Rama, PS, ata që më dhanë këtë mbështetje pasi kanë qenë këtu dhe nostalgjia e të pasurit të një vendi ku ke rënë në dashuri, ke shërbyer me dashuri, ke kaluar me përkushtim ditë të tëra, për t’ ia transferuar dikujt të ri, besoj që ka qenë jashtëzakonisht e vështirë dhe sot jam dyfish i nderuar për besimin që mu dha nga PS dhe për besimin që mu dha nga qytetarët e Tiranës, ndoshta në zgjedhjet më të pazakonta në historinë e qytetit tonë dhe vendit tone”, tha Veliaj.

"Nuk mjafton vetëm të krijojmë një histori të Tiranës, duhet ta komunikojmë këtë histori të Tiranës, reformave dhe punës në administrimin e Tiranës", shtoi ai. 

Veliaj tha se u është mirënjohes skuadrës së Bashkisë së Tiranës, nga bashkëpunëtorët e ngushtë si nënkryetarët, deri tek punonjësi më i fundit.

"Unë besoj që arritja më e madhe është njerzillëku, fakti që këtij qyteti i shërbejmë në një mënyrë që rrogat në shtet nuk janë të atij niveli që i shohim në privat, por bashkia shihet si mision ndaj qytetarit. Kjo më bën të ndihem i përkulur dhe shumë krenar për stafin e Bashkisë së Tiranës", theksoi kryebashkiaku Erion Veliaj.

Ora 18:54
Rama: Pse është e pamundur që të ndërtojmë një teatër të ri identik si i vjetri?

1564510211_1564509723veliaj9.jpeg

Kryeministri Edi Rama u është përgjigjur të gjithë akuzave se po favorizon "oligarkët" me projektin e Teatrit Kombëtar të Ri. Në fjalën e tij gjatë konstituimit të Këshillit Bashkiak të Tiranës, Rama tha se është e pamundur që të bëhet rikonstruktimi apo rindërtimi i një godine të re të identike me të vjetrën. Për këtë ai dha disa argumente, sipas së cilit nuk ka hapësirën e nevojshme për artistët dhe spektatorët, teksa e përkufizoi si një "hile" që do i bëhej fëmijëve, me të cilët simbolizon të ardhmen.

"Nuk po shembin ndonjë vlerë arkitekturore dhe s'mund të akuzohemi, madje është meritë e jona që trashëgimia e çmuar e Tiranës.  Edhe sikur të donim ta ruanim dhe ta restauronin, ky do të ishte një ushtrim thuajse i pamundur dhe i kotë, sepse materiali është me jetëgjatësi të paracaktuar dhe i kotë se ajo ngrehinë përveç se nuk ka asnjë vlerë për t'u rikonstruktuar nuk ka asnjë kusht, as për trupën as spektatorët. Duhet të themi se nëse do ta konsideronim idenë e ruajtjes jo duke e restauruar atë, por duke rindërtuar pikë për pikë si kjo e sotmja, me të vërtetë kjo do kushtonte shumë më pak për sipërmarrësin privat, do të merrte me siguri dhe konsensusin që sot në pakicë vazhdojnë të protestojnë në emër të disa vlerave imagjinare. Do të ishte më e lehtë për momentin, por e padrejtë për të nesërmen. Edhe këtë rast kemi zgjedhur rrugën e vështirë, se nuk kemi zgjedhur që t'ua bëjmë me "hile" fëmijëve të saj. Nuk mund të komprometojmë të nesërmen për të shmangur kokëçarjet e të sotmes", u shpreh Rama.  

Ora 18:50
Rama: Në kohën e Bashës fëmijët u bën për turn të tretë në shkolla! Do marrë fund ky problem

1564506304_ramaaaaaa.jpg

Fëmijët, do të jenë sërish qendra e vëmendjes së Bashkisë së Tiranës edhe për mandatin e dytë. Kreu i qeverisë, Edi Rama i cili ishte i pranishëm në konstituimin e Këshillit Bashkiak të Tiranës, tha se në 3-vjeçarin e ardhshëm janë në plan për t'u ndërtuar 17 shkolla të reja, ku do t'i jepet fund përfundimisht shkollës me tre turne. Ai ka bërë një krahasim me epokën e Bashkisë drejtuar nga Lulzim Basha, sipas së cilit nuk ka asnjë të përbashkët me "sot".

"Nga 0 shkolla ndërtuam 5 të reja. 17 të tjera janë në proces me arkitektë ndërkombëtarë, projekt i përbashkët me PPP ku do të ketë 30 nxënës në klasa dhe vetëm një turn.  Nxënësit u bënë për turn të tretë, para 4 vjetësh në kohën e Bashës, por ishin vështirësisht të numërueshëm. Brenda 3 vjetësh do ndërtohen dhe shlyerja do bëhet në një kohë sa ta përballojë buxheti i shtetit. 9 kopshte në kohën e Bashës, me 36 të tilla sot. 7 çerdhe "dje" me 28 të tilla "sot" dhe jo kopshte si ato ku çdo javë plaste një skandal mbi ushqimin problematik. Nga 0 biblioteka me "sot" 7 të tilla", tha Rama.

Ora 18:50
Rama: Me Veliaj bisedojmë vazhdimisht për projektet, ja çfarë do të bëjmë në 4 vitet e ardhshme

1564506292_ramaaaa.jpg

Kryeministri Edi Rama ka treguar se diskuton vazhdimisht me Kryetarin e Bashkisë Erion Veliaj në lidhje me projektet për transformimin e qytetit. Në fjalën e tij përshëndetëse në Këshillin Bashkiak, Rama rikonfirmoi vullnetin e përbashkët të qeverisë dhe të bashkisë për një sërë projektesh të rëndësishme infrastrukturore. “Piramida që do hapet , kampusi I ri universitar që  do ndërtohet brenda këtij mandati të sapo nisur sot, teatri tjetër kombëtar për fëmijët pas këtij për të rriturit, kopshti I ri zoologjik, unaza e madhe ajo që shtrihet përtej unazës së re dhe lidhet me Bregun e Lumit, parku olimpik që duhet të plotësohet sheshi Nënë Tereza që do të këmbësohet dhe ndërtesa e re e akademisë së arteve. Nuk do shembin këtë që është, por pjesa plotësuese që asaj I ka ardhur fundi u ndërtua në komunizëm por nuk është më. Biblioteka kombëtare, rrjeti i ri i agroturizmit përreth”, tha Rama.

Ora 18:18
Lidhje me oligarkët?! Rama: Veliaj taksoi ndërtuesit më shumë sesa Basha dhe arkëtoi 52 milionë Euro

 

Krahasimi i Tiranës para ardhjes së Erion Veliajt në krye të bashkisë është i dukshëm tha kryeministri Edi Rama teksa mori pjesë në mbledhjen e konstituimit të këshillit bashkiak dhe betimit të kryebashkiakut të kryeqytetit. Krahasimi duhet bërë sipas kreut të qeverisë, në mënyrë që askush të mos hedh hije mbi punën e bërë.

"Krahasimi si e gjetëm dhe si e kemi sot Tiranë, është vrastar por s'është kjo arsyeja pse ky krahasim duhet bërë, por sepse ne marrim kreditet e nevojshme të besimit, për të bërë më shumë pa lejuar që balta të dobësojë lidhjen e shumicës me ne dhe të hedh hije mbi punën tonë", tha Rama.

Kryeministri Rama nuk la pa përmendur edhe opozitën dhe akuzat e vazhdueshme që ajo ka bërë lidhur më ndërtimet në Tiranë dhe se qeveria favorizon oligarkët.

Rama tha se Bashkia e Tiranës e drejtuar nga Erion Veliaj ndonëse ka dhënë më pak leje ndërtimi në 4 vite se sa Lulzim Basha kur ishte kryetar i kësaj bashkie, ka arkëtuar plotë 5 herë më shumë të ardhura nga taksa e ndërtimit. Rama u shpreh  se Bashkia e Tiranën nën drejtimin e Veliajt ka performuar shumë herë më mirë sesa bashkia e drejtuar nga kreu aktual i opozitës, si në aspektin e sipërfaqes së lejeve të ndërtimit ashtu edhe në mbledhjen e të ardhurave nga taksa e ndërtimit që paguajnë ndërtuesit.

“Më lejoni ta filloj nga të ashtuquajturit oligarkë, njerëzit e pasur të këtij vendi, disa emra syresh që përtypen dhe ripërtypen si tagjia e gojës së dëshpëruar të opozitës sonë kryesore, në përpjekjen e saj të pandërprerë që shpif e shpif e diçka do mbetet. Rëndom, ndërtimtaria është tabela e preferuar e baltëqitjes së tyre, ku sipas avazit të vjetër, çdo leje ndërtimi është një aferë dhe çdo kullë që ndërtohet është një skëterrë. Sa i paguanin të ashtuquajturit oligarkë, arkës së kryeqytetit deri dje, për një leje ndërtimi? 4% të çmimit të shitjes. Po sot? 8% të çmimit të shitjes. Pra kemi dyfishuar taksën ndaj atyre që përflitemi se u shërbejmë.

Po sa ka kontribuar taksa e ndërtimit në buxhetin dhe në zhvillimin e kryeqytetit në kohën kur baltëqitësit e sotëm ishin administratorët e djeshëm të Tiranës? Shifra është interesante. Në vitin 2014 Lulzim Basha firmosi lejen për 680 mijë metra katrorë ndërtim dhe bashkia arkëtoi 11 milionë euro nga taksa e ndërtimit. Ndërsa pas largimit të tyre nga drejtimi i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj firmosi firmosi leje për 550 mijë metra katrorë dhe Bashkia arkëtoi 52 milionë euro. Pra me 130 mijë metra katrorë më pak leje ndërtimi, kjo Bashki në një vit arkëtoi 5-fishin e taksave nga ndërtuesit, 5 herë më shumë se sa ajo e vjetra që natën e kalonte me shejtanin dhe ditën gërhiste, duke bërë duvanë kaurit”, tha Rama.

Gjithashtu ai solli në vëmendje edhe politikat sociale të ndjekura nga bashkia gjatë këtyre 4 viteve të fundit të cilat sipas tij janë shumë herë më të prekshme nga qytetarët se sa gjatë kohës që këtë bashki e drejtonte Basha.

“Duke taksuar më shumë të pasurit në 4-vjeçarin tonë, janë dhënë 1000 kredi të buta për strehim, krahasuar me 0 kredi të buta, me 4-vjeçarin e baltëqitësve të sotëm. 830 bonuse qiraje, krahasuar me vetëm 89, pra 10 herë më shumë sesa në 4-vjeçarin e tyre. 120 banesa për komunitetin rom, krahasuar me 0 në 4-vjeçarin e tyre. Këto te kategoria e lidhur me banimin, por rritja e pakrahasueshme me kohën e tyre e volumit të investimeve në Tiranë në 4-vjeçarin e fundit, përveç se me mbështetjen serioze që qeveria i ka dhënë punëve të kryeqytetit, lidhet sigurisht edhe me taksimin e rritur për ata që kanë më shumë, si edhe padyshim me administrimin më të mirë të taksave të kryeqytetit në tërësi. Shifrat flasin vetë, faktet flasin vetë”, shtoi Rama.

Ora 18:09
Rama merr pjesë në betimin e Veliajt kryebashkiak: Më 30 qershor banorët e Tiranës votuan për të drejtën, jo thjesht të majtën

1564503093_rama.jpg

Për herë të parë, kryeministri Edi Rama mori pjesë në konstituiumin e këshillit bashkiak dhe betimin e një kryetari bashkie. Zgjodhi Bashkinë e Tiranës, dhe kryebashkiakun Erion Veliaj,që fitoi më 30 qershor një mandat të dytë si qytetari i parë i Tiranës. 

Kreu i qeverisës vuri në dukje faktin që zgjedhjet u mbajtën pa opozitën, por tha me bindje se më 30 qershor qytetarët shqiptarë votuan për të drejtën, dhe jo thjesht për të majtën. Me marrjen e mandatit të dytë, kryeministri Edi Rama foli për një sfidë të madhe në vijim, por shtoi se do të punohet njësoj për të gjithë qytetarët. 

"Uroj të gjeni në çdo hap arsye dhe vullnet për të rritur angazhimin në komunitet. Uroj që përfaqësinë e re opozitare në këtë kuvend tuajin të mos e masni me peshën e vogël të numrit të saj, por me peshën e vullnetit të mirë për të dëgjuar zërin e saj për të përfituar bërjen e punës së mirë të përbashkët. Këshilli i shkuar ka qenë rëndom peng i politikë dhe është bllokuar me urdhra nga jashtë kësaj salle, por kjo nuk e ka penguar vendimmarrjen. Por kujdes njësoj e dëmshme do të ishte njësoj sikur numrat e sotme të sillnin mungesën e debatit dhe të prodhonin vendime në mungesë transparente. Askush nuk duhet ta harrojë se në 30 qershor banorët e Tiranës, votuan për të drejtën jo thjesht për të majtës. Duke marrë këtë në mendje, duhet të udhëheq çdo ditë punën tonë", tha Rama.

Shefi i mazhorancës ju drejtua me një fjalë këshilltarëve bashkiakë, ku tha se puna e tyre duhet të jetë në terren, në zonën e tyre të kujdestarisë. Rama kërkoi prej tyre një plan të komunikimit në komunitet, për të mos humbur lidhjen e drejtpërdrejtë me qytetarin.

"Unë dua t'ju nxis që sot të hartoni një plan të ri angazhimi me komunitetet dhe të njësive bashkiake të gjithë Tiranës së madhe në këtë Këshill të vogël.  Me katër vjeçarin e shkuar, ku thuaj se e gjithë barra e komunikimit ka qenë barrë e kryetarit të Bashkisë. Ne do të krijojmë forumet e debatit komunitar në çdo njësi bashkiake, për çdo komunitet dhe qytetar që ka dëshirë të marrë pjesë në to dhe të thotë fjalën e tij. Ju duhet të kujdeseni që të paktën një herë në muaj këto forume jo vetëm të mblidhen, por të sillni në institucione zërin e çdo komuniteti, hallin e çdo banori, sikletet e çdo sipërmarrësi. Krijimi i urave të reja me ta duhet të jetë prioritet i prioriteteve për çdo Këshill Bashkiak. E papranueshme që kontributi i Këshillit të jetë thjesht pjesëmarrja, e pakuptueshme që Këshilltarët të mos njohin territorin e tyre elektoral, të mos jenë pika e referimit të ço banori, që të mos kenë në celular asnjë mesazh apo thirrje nga zona e tyre", u shpreh kryeministri.

Qeveria dhe bashkia e Tiranës kanë punuar mirë së bashku në 4 vite, por ka ende vend për përmirësime - tha Rama, duke theksuar se ky bashkëpunim duhet të jetë edhe me bashkitë e tjera.

"Bilanci i Bashkisë deri më tani është pozitiv, por gjithashtu nevojat dhe pritshmëritë janë më shumë", theksoi Rama.

Ora 17:54
Betohen këshilltarët e Tiranës, zv. ministri i drejtësisë zgjidhet kryetar i Këshillit

1564502327_gogu.jpg

Tirana ka një Këshill Bashkiak të ri. 61 këshilltarët e zgjedhur në 30 qershor janë betuar sot duke konstituar edhe “parlamentin” e ri të qytetit, ndërsa kryetar i tij u zgjodh zëvendësministri i Drejtësisë, Toni Gogu. Ai u propozua nga kryetari i këshilltarëve socialist, Eridian Salianji, i cili vlerësoi formimin e Toni Gogut si një jurist, besimtar dhe familjar shumë i mirë.

 “Duke mbështetur maksimalisht propozimin e drejtuesit të grupit të Partisë Socialiste, për kandidaturën e zotit Toni Gogu, si kryetar i ri i këshillit të bashkisë së Tiranës, më lejoni të vlerësoj se zoti Gogu përcjell cilësi shumë të mira qytetare dhe profesionale për këtë detyrë. Me një eksperiencë shumë të vlerësueshme për nga përkushtimi dhe korrektesa, ai ka drejtuar një organizatë të rëndësishme ndërkombëtare si Ëord Vizion për Shqipërinë dhe Kosovën. Po kaq pozitive do të vlerësoja edhe punën e tij në sistemin e drejtësisë, duke lënë gjurmë të posaçme gjatë veprimtarisë së tij deri në detyrën e zv. ministrit të drejtësisë së fundmi”, tha Kryetari i Këshillit të Qarkut, Aldrin Dalipi.

Më pas këshilli ka vijuar me procedurën e zgjedhjes së drejtuesve të rinj të Këshillit Bashkiak, ku në detyrën e nënkryetarëve u zgjodhën Vjollca Braho dhe Luan Bregasi.

B.K./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Toni: 31/07/2019 02:58

    Se mos je dashuru me ata te gjatin

    Përgjigju
  • blerta: 30/07/2019 23:53

    O ERION SHUME PREMTIME BEN,,,por nuk po na thua a do e besh stacionin modern te trenit ,,dhe stacionin modern te autobuzeve ne kashar sic ke premtuar ,,,apo keto jane per mandatin e trete,,,jemi shume mbrapa,,,sot jemi ne vitin 2019 dhe ne Akoma nuk kemi tramvaj ne tirane,,,,kur ne serbi Beograd tramvaji ka filluar pune ne 1905,,,gati 110 vjet mbrapa dhe ne jemi Akoma vetem me autobuze,,..///dhe habiten pastaj pse ikin shqiptaret??..///

    Përgjigju
  • GRAMOZ: 30/07/2019 23:36

    ERION MANDATIN E DYTE E MORE,,POR NE FILLIM DUHET TE NISESH punen ne lirimin e hapsirave publike,,,Brenda unazes te tiranes ka me mijera ndertime te paligjshme qe zejne hapesira publike dhe trotuaret e kembesoreve, ,,psh ,tek OSLO perballe fakultetit te ndertimit pronari I oslos ka zgjeruar lokalin ne dem te trotuarit,,,dhe njerezit s'dine nga te ecin,,,po ashtu tek 21 ne trotuar kemi nje local te madh,,aty ka qene krejt trotuar,,,duhen pastruar keto locale qe zejne trotuaret,,,po ashtu nje shi bie dhe cepat e rrugeve mbushen me balte,,,sepse pusetat jane te larta kur duhej te ishin nen nivelin e rruges,,,,dhe nuk arrin te marre balten,,,duhet ndertuar asfalti me pjerresi anes pusetes,,,po ashtu duhet te tregosh karakter erion dhe kundershtoje edin per punen e teatrit,,,SEPSE DHE TI ERION E DI SHUME MIRE QE PRISHJA E TEATRIT ESHTE E GABUAR,,,POR TE IMPONOHET EDI SE KA HALLIN E KULLAVE,,,,A THUA QE NUK ISHTE EDI QE E MBUSHI TIRANEN ME PALLATE,,DHE KJO ESHTE E DENUESHME,,,,,TEATER TE RI TE BEHET TEK BULEVARDI I RI,,,DHE TEATRI I VJETER TE RIKONSTRUKTOHET,,,,DHE JAM DAKORT PER PRISHJET TEK ASTIRI,,,BILES JENI TE VONUAR,,,VAZHDONI PRISHJET TEK ASTIRI,,NE KAMEZ,PASKUQAN,BREG LUMI ETJ,,,TIRANA KA NEVOJE PER URBANIZIM DHE PER TRANSPORT TE SHPEJTE,..//.PO ASHTU JAM DHE PER ZGJATJEN E BULEVARDIT TE RI DHE 10 KM TE TJERA..//

    Përgjigju
  • ZANA: 30/07/2019 23:16

    KUJDES ERION SE MOS NA BIE NE DASHURI ME RAMEN ,,,SE NUK KA POLICI ME TE GJET PASTAJ,,///

    Përgjigju
  • Reiz: 30/07/2019 21:40

    EIRON VELIAJ JA FUSNI KOT NESE NUK E BEN ME QELLIM QE TE NXJERRE DY KATNARE. TONI GOGU NUK KA FARE LIDHJE GJAKU PRINDEROR ME PEZEN. I ATI ESHTE SAFI NGA BERATI KURSE E EMA FIERAKE. VETE TONI KA LINDUR E ESHTE RITUR NE BERAT,KU U LIDH ME FENE DHE ME TEJ VIJOI KARRIEREN FETARE E ATE POLITIKE. PO TE DY PRINDERIT KANE QENE TE THEKUR ME PARTINE SOCIALISTE. E EMA SIDOMOS.NESE ESHTE DHENDER NE PEZE APO BANON ATJE SI EDVIN RAMA NE SURREL KETE NUK DI TE THEM POR GJITHSA THASHE ME SIPER ESHTE E SIGURT.

    Përgjigju
  • Robshi PPPD: 30/07/2019 18:07

    Suksese shoku Veliaj... një pyetje... ku ndryshon këto ditë një këshill bashkiak nga një mbledhje partie...

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë