/ATSH/- Kandidatët e Aleancës për Shqipërinë Europiane për bashkitë e Tiranës dhe Kavajës, Erion Veliaj dhe Elvis Rroshi kanë zhvilluar një takim me të rinjtë në komunën e Golemit. Dy kandidatët për bashkitë kryesore të qarkut të Tiranës, janë zotuar se do të punojnë sëbashku për projekte që përmirësojnë jetën e banorëve në të dyja qytetet.

Veliaj ka dhënë mbështetjen e tij për ndërtimin e rrugës së shkurtër midis Tiranës dhe Kavajës, e cila kalon nëpërmjet Pezës.  Sipas kandidatit socialist për kryeqytetin, kjo rrugë u shërben fermerëve të Kavajës të transportojnë më shpejtë produktet e tyre në Tiranë, ndërsa shkurton gjithashtu lëvizjen e banorëve të kryeqytetit drejt plazhit të Golemit apo drejt jugut të Shqipërisë, duke anashkaluar udhëtimin nëpërmejt autostradës Tiranë-Durrës.

Duke folur për investimet e kryera në Kavajë nga kryebashkiaku Rroshi, Veliaj është shprehur se: "Përpara 4 vitesh kur nuk ishte kryebashkiak Elvis Rroshi, askush nuk dinte asgjë se çfarë ndodhte në Kavajë. Këtë qytet e shihnin si një xhep kur kalonin nga Durrësi në drejtim të Vlorës, por sot çdo gjë ka ndryshuar."
Rroshi u ka shpjeguar të rinjve që kreu i opozitës është alternativa mashtruese e qeverisjes lokale prej të djathtëve. Kandidati i mazhorancës për Kavajën, ka akuzuar kundërshtarin e tij Engjëll Carën se nuk ka asnjë projekt për zhvillimin e qytetit.

"Ish-kryetari i Bashkisë së Tiranës që sot është kryetar i opozitës, nga turpi i madh që nuk del në Tiranë të gënjejë akoma, vjen në Kavajë dhe kërkon të gënjejë qytetarët duke thënë se do ulim taksat në Bashkinë e Kavajës, kur në Bashkinë e Kavajës ka taksat më të ulëta në Shqipëri. Duke thënë do ulim 25% çmimin e energjisë elektrike. Doja ti thoja Erjonit: Trami dhe metroja kur fillojnë në Tiranë, e mbaroi ai...", theksoi Rroshi.
Rroshi dhe Veliaj i ftuan të rinjtë e Kavajës dhe Tiranës që të votojnë për alternativën më të mirë për ta.