TIRANE - Kandidati i partisë Socialiste për bashkinë e Tiranës Erion Veliaj në kuadër të prezantimit të programit të tij ka prezantuar sot programin e tij me 10 pika për turizmin dhe mënyrën për ta kthyer Tiranën në një potencial të ri të turizmit. Veliaj ashtu sikurse me arsimin apo me biznesin ka lidhur kontratën me operatorët turistik për ta kthyer Tiranën në destinacion kryesor turistik duke prezantuar programin me 10 pika për turizmin: “Ta kthejmë Tiranën në destinacion kryesor turistik”

VelIaj prezantoi publikisht kontratën e tij me 10 pika të programit për turizmin, duke shprehur përkushtimin e tij për ta kthyer Tiranën në një prej destinacioneve turistike më tërheqëse në Mesdhe. Me ndarjen e re territoriale Tirana ka një potencial fantastik për turizmin.

Ai kujtoi se para 4 vitesh, kryetari aktual Lulzim Basha bëri vetëm një premtim për turizmin, duke thënë se do të krijonte Rrjetin e Destinacioneve të Integruara Turistike të Tiranës, por ky premtim nuk u mbajt kurrë.
Këto 4 vitet e fundit Tirana ka pasur një kryetar bashkie turist, që i është dashur ta vizitojë kryeqytetin herë pas here, për të promovuar partinë”, - tha Veliaj.
 
Kontrata me 10 pika për turizmin në Tiranë përmban:
1. Hartojmë një guidë të plotë turistike në shqip dhe anglisht për të gjitha atraksionet turistike dhe kulturore që ofron Tirana.
2. Ndërtojmë një faqe interneti për promovimin e të gjitha llojeve të turizmit në Tiranë.
3. Krijimi i guidave audio për turistët e huaj, për zona specifike të Tiranës.
4. Krijojmë guidat dhe hartat e lëvizjes (tracking routes) për ekskursionet ditore ose gjysëmditore.
5. Negociojmë hapjen në Tiranë të një hoteli tjetër, pjesë e rrjetit ndërkombëtar të hotelerisë.
6. Vendosim linja transporti të dedikuara drejt pikave turistike më strategjike.
7. Ofrojmë incentiva për fermat dhe bizneset agro-bujqësore për të zhvilluar agro-turizmin.
8. Krijimi i zonave pedonale kushtuar tregjeve të përkohëshme dhe hapësirave rikrijuese.
9. Konsolidimi dhe zgjerimi i traditës së krijuar me Natën e Bardhë me festivale të tjera dhe ngritja e këtyre eventeve në nivelin e një eventi kulturor ndërkombëtar.
10. Orientimi i industrisë turistike drejt turizmit të biznesit duke synuar tregun  MICE (Takime, Nxitje, Konferenca, Evente).