Erion Veliaj i është drejtuar me një letër nga burgu i Fierit “armikes” së tij politike brenda PS-së, ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku. Ai kërkon prej saj miratimin që operacioni i tij për këmbën e thyer të kryhet në Tiranë.

Në fakt, kërkesa është qartazi ironike dhe përfaqëson më shumë një akuzë ndaj kryeministrit Rama dhe kontrollit që, sipas Veliajt, Balluku vazhdon të ketë mbi strukturat shtetërore, ndonëse zyrtarisht nuk ka asnjë funksion publik dhe është nën disa akuza të rënda nga SPAK-u, në pritje të nisjes së procesit gjyqësor. Madje, siç shkruan kryebashkiaku, nuk është më Rama ai që merr vendime, por gjithçka e ka në dorë Balluku.

“Është evidente ajo që thonë të gjithë këtu, se ‘Kryeministri është kot, nuk merr dot më asnjë vendim’ dhe se ‘hallin tënd e zgjidh veç Bela’”, vë në dukje Veliaj në letrën e tij.

Ai i drejtohet Ballukut si drejtuese politike e socialistëve në qarkun e Fierit, qyteti në burgun e të cilit ai u transferua papritur. “Po e kaloj izolimin ku më sollët para 1 muaji, me një këmbë të thyer dhe nevojë akute për operacion – kjo të paktën nuk është ‘sekret’”, shkruan Veliaj, sipas të cilit punonjësit e këtij burgu janë vartës të Ballukut.

Ai shton më tej se “kërkesat e njëpasnjëshme në qeveri tek KM Rama, ministri Gogu dhe drejtoresha e Burgjeve kanë rënë në vesh të shurdhër”. E për këtë arsye, “po dorëzohem edhe unë si gjithë shqiptarët e socialistët e po vij tek ju në ditën e Pranisë Besnike”. Sipas urdhrit të kryeministrit, të gjithë deputetët dhe ministrat socialistë, çdo të premte në orën 5 pasdite, duhet të planifikojnë takime me qytetarët për të dëgjuar problemet e tyre.

Dhe Veliaj zgjodhi pikërisht këtë ditë për t’i shkruar Ballukut, me kërkesën që “të aprovoni operacionin tim në Tiranë, pranë mjekut tim dhe familjes sime”.

Edhe mbyllja e letrës është po ashtu me tone ironike, ndërsa e nënshkruan atë me fjalët socialisti “me duar të lidhura”. Një referencë ndaj një termi të përdorur nga Rama në Asamblenë socialiste të së shtunës së kaluar, ku, duke folur për akuzat publike të kryebashkiakut ndaj tij, kryeministri kishte thënë se nuk do të kërkonte përjashtimin e tij nga Partia, sikundër bëri me Elisa Spiropalin dhe avokatin e Veliajt, ish-deputetin socialist Plarent Ndreca. “Nuk do të merrem me të, se ai i ka duart e lidhura”, citohet të ketë deklaruar Rama në Asamble.

Letra publike e Veliajt për Ballukun:

Znj. Balluku - Dr. e Qarkut Fier,

Siç dihet publikisht, por edhe nga vartësit tuaj në IEVP Fier, po e kaloj izolimin ku më sollët para 1 muaji, me një këmbë të thyer dhe nevojë akute për operacion - kjo të paktën nuk është “sekret”.

Kërkesat e njëpasnjëshme në qeveri tek KM Rama, Min. Gogu dhe drejtoresha e Burgjeve kanë rënë në vesh të shurdhër.

Është evidente ajo që thonë të gjithë këtu, se “Kryeministri është kot, nuk merr dot më asnjë vendim” dhe se “hallin tënd e zgjidh veç Bela”. Ndaj, po dorëzohem edhe unë si gjithë shqiptarët e socialistët e po vij tek ju në ditën e Pranisë Besnike.

Ju kërkoj të aprovoni operacionin tim në Tiranë, pranë mjekut tim dhe familjes sime.

Socialisti “me duar të lidhura”.

Erion Veliaj

Letra e shkruar nga Veliaj për Ballukun

-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë