Veliaj: Mbajtëm premtimin, ulëm
moshën e pensionit për minatorët

Veliaj: Mbajtëm premtimin, ulëm<br />moshën e pensionit për minatorët
TIRANE- Qeveria shqiptare ka miratuar sot projektligjin për uljen e moshës së daljes në pension të minatorëve, duke mbajtur kështu një nga premtimet e bëra gjatë fushatës elektorale 2013. Tashmë projektligji “Për pensionet e punonjësve që kanë punuar në miniera në nëntokë”, do t’i kalojë Kuvendit për miratim në komisionet parlamentare. Projektligji i hartuar nga Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, parashikon uljen e moshës së daljes në pension në 55 vjeç, nga 60 që është aktualisht, për minatorët e nëntokës.
 
“Ulja e moshës së daljes në pension përmbush kështu, kërkesën e sindikatave të minatorëve, si nevojë që lidhet me kushtet e vështira të punës në këtë sektor. Sipas projektligjit, periudha e sigurimit shoqëror parashikohet 30 vite gjithsej, nga të cilat 12 vjet e 6 muaj punë në nëntokë”, thuhet në njoftimin e ministrisë.
 
Sipas Ministrisë së Mirëqenies nga ky ligj përfitojnë 3.840 persona, ndërsa efekti financiar vjetor arrin në 793 milionë lekë.
 
Pas miratimit të projektligjit në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave, Veliaj tha se “Me uljen e moshës së daljes në pension të minatorëve, mbajtëm premtimin e dhënë që në vitin e parë të qeverisjes tonë. Ndjesë për 8 vitet e qeverisjes së shkuar, gjatë të cilave qeveria e kaluar u tall vazhdimisht me shtresën e minatorëve, të cilët bëjnë çdo ditë një punë të vështirë”.
 
Referuar kushteve për pension, sipas këtij projektligji, dhe bazuar në numrin aktual të të punësuarve në miniera në nëntokë, parashikohet që për katër vite numri i personave që përfitojnë nga ulja e moshës të arrijë në 3 840 vetë. Personat që do të trajtohen sipas këtij projektligji, përveç pensionit të parashikuar, do të përfitojnë edhe kompensimin për të ardhurat minimale, si dhe kompensimet që rrjedhin nga rritja e çmimit të energjisë elektrike etj; ashtu si edhe personat e tjerë që përfitojnë pension pleqërie.
 
Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?



×

Lajmi i fundit

Shpërthim me tritol në banesën e 50-vjeçarit në Fushë-Krujë (EMRI)

Shpërthim me tritol në banesën e 50-vjeçarit në Fushë-Krujë (EMRI)