Në një zë, opozita dhe mazhoranca në parlamentin e qytetarëve të Tiranës, kërkuan transparencë për transferimin e kryebashkiakut Erjon Veliaj nga burgu i Durrësit në Fier, në një lëvizje të papritur, që thonë se e mësuan nga mediat.

Këshilltarët socialistë kishin përgatitur një rezolutë, e cila u lexua nga këshilltari Halit Valteri. Përmes deklaratës së përbashkët, ata kanë pretenduar se nuk ishte bërë transparencë mbi vendimin e Drejtorisë së Burgjeve dhe se Veliajt nuk i ishin bërë të ditura arsyet e transferimit. Ata kërkuan nga Ministria e Drejtësisë dhe Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve transparencë, si dhe verifikimin e heqjen dhe çdo kufizimi të pajustifikuar që pengon ushtrimin e të drejtave të kryebashkiakut.

Edhe këshilltarët demokratë dënuan transferimin e Veliajt drejt Fierit, duke pretenduar se nuk ishte bërë transparencë mbi vendimin e Drejtorisë së Burgjeve. Pasi paraqitën qëndrimet e tyre, ata braktisën mbledhjen.

Demokratja Ilda Zhulali gjatë fjalës së saj tha se Veliaj është dërguar në Fier për një status në Facebook (ku përgëzonte popullin serb për rrëzimin nga pushteti të Aleksandër Vuçiçit), me urdhër të ministrit të Drejtësisë, Toni Gogut.

Zhulali kërkoi po ashtu dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, pas protestave të dhunshme të zhvilluara prej disa ditësh në Tiranë.

“Toni Gogu e transferoi në Fier pa asnjë dokument zyrtar dhe e ka çuar në izolim, për një status në Facebook. Këshilli sot duhet të kërkojë dorëheqjen e Ramës, hetim të dhunës policore, ndalim të gazit lotsjellës në zona të banuara të Tiranës. Të shtyhet miratimi i kredive të buta derisa të mësojmë sa nga përfituesit e kaluar janë bërë me shtëpi. Sot axhenda e ditës është revolta. Sot studentët janë atje dhe ju ftojnë të dilni”, tha mes të tjerash Zhulali.

Edhe këshilltari Fabian Topollaj, i cili pretendoi se nuk i ka as numrin Veliajt, tha se është detyrim ndaj shqiptarëve që të bëhet publike çfarë po ndodh me kryebashkiakun e Tiranës.

Topollaj tha se Gjykata Kushtetuese e ka lënë Veliajn në detyrë dhe se këshilltarët sipas tij duhet të punojnë me të.

“Mund të jem i vetmi që nuk ia kam numrin Erion Veliajt, por jemi të detyruar të punojmë me të, Gjykata Kushtetuese e ka lënë atë në detyrë. Kemi detyrim të themi çfarë ndodh me të që është i izoluar dhe nuk ushtron dot detyrën e tij”, tha mes të tjerash Topollaj.

Këshilltari socialist Halit Valteri tha se ka raportime se Veliaj po mbahet në Fier në kushte të rënda dhe se i janë ndaluar disa nga të drejtat bazë që duhet të ketë çdo i paraburgosur.

“Transferimi dhe kushtet e mbajtjes së Veliajt, kërkoj mirëkuptim, ta shtrojmë këtë diskutim në Këshillin Bashkiak. Shqetësim për transferimin e papritur dhe kushtet e rënda në të cilat raportohet se po mbahet në Fier. Shqetësimi edhe më serioz pas vizitës së Avokatit të Popullit, ku janë ngritur çështje që kërkojnë verifikim e ndërhyrje. Veliaj është i paraburgosur, gëzon prezumimin e pafajësisë dhe të drejtat kushtetuese, të drejtat e njeriut. Asnjë masë paraburgimi nuk duhet të shërbejë si justifikim për trajtim çnjerëzor, kufizime të takimeve me familjarë, mbrojtës, apo marrje të kujdesit shëndetësor. Të kërkojmë nga Ministria e Drejtësisë dhe burgjet arsyet e këtij transferimi, vlerësimin e menjëhershëm të nevojave shëndetësore të zotit Veliaj. Mesa di, ka edhe këmbën në allçi”, tha mes të tjerash Valteri.

Ndërkohë për demokratin Dorjan Teliti, Veliaj u rrëmbye dhe u ‘paketua’ për në Fier për qëllime politike. Teliti tha se institucioni i Bashkisë Tiranë s'mund të jetë aq pa dinjitet, saqë kryetari në detyrë të merret pa njoftuar dhe të transferohet pa transparencë nga Durrësi drejt një tjetër paraburgimi, atij të Fierit.

“S’më intereson fati i kryebashkiakut si karrige, por si qytetar duhet të di kush rrëmbehet dhe si rrëmbehet. Por mbi të gjitha kush janë ata që japin urdhra dhe e konsiderojnë institucionin e Bashkisë së Tiranës aq zhele dhe pa dinjitet, sa pa njoftuar njeri marrin edhe atë që ne duhet ta kishim larguar siç duhet nga detyra. Për fat të keq me vendim të Kushtetueses është ende në detyrë. E marrin e çojnë atje në Fier, e paketojnë. Të gjithë ne e kemi marrë vesh nga mediat. Duhet të ishte ngritur alarmi për rrëmbimin e tij”, tha mes të tjerash Teliti.

Për këshilltarin Aldo Merkoçi, transferimi i Veliajt ditën e djeshme nga paraburgimi i Durrësit drejt atij të Fierit, pa i dhënë atij asnjë arsye për këtë lëvizje, nuk është diçka normale.

Merkoçi tha se kryeqyteti prej 20 muajsh drejtohet pa një kryetar dhe sipas tij, shteti dje e largoi edhe më shumë, duke vështirësuar vendimmarrjen.

“Veliaj mbetet kryetar i Tiranës dhe ajo që ndodhi dje nuk është normalitet. Për fajësinë apo jo të tij ka gjykatë. Jam këtu për diçka të thjeshtë e të rëndë. Dje në mëngjes, një qytetar, pas afro 20 muajsh paraburgim, u transferua pa i dhënë asnjë arsye. U vendos në qeli izolimi. Kjo është absurde ligjërisht, nuk ka një akt të shkruar të njoftuar. Pyetja ime është: ku është letra? Njerëzisht, një njeri me familje në Tiranë merret dhe largohet një mëngjes. Nesër mund të jetë kushdo. Institucionalisht, njeriu që u zhvendos dje është një titullar ligjor i Bashkisë së Tiranës.

Qyteti prej 20 muajsh drejtohet pa një kryetar dhe shteti dje e largoi edhe më shumë, duke vështirësuar vendimmarrjen. Politikisht, kur një veprim i pashpjeguar ndërmerret në një situatë të tillë, dyshimi është i pranueshëm për motive politike. Kërkoj transparencë të plotë dhe trajtim njerëzor, që ky këshill të bëjë kërkesë zyrtare Ministrisë së Drejtësisë, Burgjeve dhe Avokatit të Popullit, për të bërë publike arsyet e transferimit dhe verifikimin e kushteve të mbajtjes. Duhet një raport i plotë mbi çfarë i bën ky transferim institucionit tonë”, tha mes të tjerash Aldo Merkoçi.

Ndërkohë këshilltari socialist Alfred Muharremi e përqëndroi diskutimin e tij te protestat e dhunshme në Tiranë, të cilat sipas tij janë shoë që dirigjohen nga PD, për të ulur imazhin e shqiptarëve nëpër botë.

“Ky është shou, të distancohen nga financimi, nga udhëheqësja e një force politike që dirigjon aktet vandale për të shkatërruar çdo biznes të këtij vendi, për të ulur imazhin e shqiptarëve anë e mbanë botës, duke shfrytëzuar kauzën reale të studentëve”, tha mes të tjerash Muharremi.

Në përfundim të mbledhjes, mes disa projekt-vendimeve, Këshilli miratoi edhe listën e aplikuesve prej rreth 1434 familje e individë, të shpallur fitues për programin social “Për subvencionimin e interesave të kredive”, të cilëve do t’u subvencionohen interesat e kredisë nga buxheti i shtetit për blerjen e një apartamenti në Tiranë.

kliko ketu per te lexuar dokumentin e plote

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 17:30
Aldo Merkoçi në Këshillin Bashkiak: Ku është akti i transferimit të Veliajt? Dyshime për presion politik

Aldo Merkoçi ka ngritur shqetësime në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Tiranës lidhur me transferimin e kryebashkiakut Erion Veliaj nga paraburgimi në Durrës drejt atij të Fierit.

Gjatë fjalës së tij, Merkoçi kërkoi transparencë mbi arsyet dhe bazën ligjore të këtij vendimi, duke vënë në pikëpyetje mungesën e informacionit zyrtar për transferimin. Ai ngriti gjithashtu shqetësimin se, në kushtet e një klime të ngarkuar politike, mungesa e shpjegimeve zyrtare për një veprim të tillë mund të ushqejë dyshime për presion politik. Megjithatë, Merkoçi tha se nuk njeh motivet e vendimit dhe se pikërisht për këtë arsye institucionet duhet të japin sqarimet përkatëse.

“Politikisht kur një veprim i pazakontë dhe i pashpjeguar ndërmerret ndaj një figure politike në një moment politik të ngarkuar dyshimi se po ushtrohet presion politik nuk ka nevojë ta krijojë askush, e krijon vetë heshtja e institucioneve. Unë nuk e di motivin dhe pikërisht sepse askush prej nesh nuk duhet të hamendësojë, institucionet kanë detyrim që ta bëjnë atë të qartë. Shteti i së drejtës nuk matet vetëm me aftësinë për të arrestuar, hetuar po dënuar, matet me vetëpërmbajtjen me të cilën e ushtron forcën që i është dhënë. Sot nuk kërkoj një privilegj, kërkoj diçka më modeste dhe shumë më të rëndësishme, ligjshmëri të verifikueshme, transparencë të plotë”, theksoi Merkoçi.

Merkoçi kujtoi se një vit më parë, Këshilli Bashkiak votoi propozimin për shkarkimin e Veliajt, por më pas, sipas tij, Gjykata Kushtetuese e konsideroi atë vendim antikushtetues. Ai theksoi se Veliaj mbetet kryetari i zgjedhur i Bashkisë së Tiranës dhe se situata e krijuar kërkon vëmendje jo vetëm për aspektin ligjor, por edhe për funksionimin e institucionit.

“Dua të jem i qartë që në fillim, nuk jam këtu për të folur për fajësinë apo pafajësinë e Erion Veliajt, për këtë ka gjykatë. Nuk jam këtu as për ta viktimizuar dhe as për t’i kërkuar askujt trajtim të privilegjuar për shkak të postit që mban”, deklaroi Merkoçi, duke shtuar se kërkesa e tij lidhet me respektimin e ligjit dhe të drejtave të njeriut.

Sipas Merkoçit, Veliaj u transferua nga institucioni i paraburgimit në Durrës drejt atij të Fierit pa iu komunikuar një akt zyrtar që të shpjegonte arsyet e vendimit. Ai pretendoi gjithashtu se as avokatit të kryebashkiakut nuk i ishte dhënë informacioni i kërkuar zyrtarisht, ndërsa përmendi raportimet për vendosjen e tij në një qeli izolimi, rrethana që, sipas tij, duhet të verifikohen nga institucionet përgjegjëse.

“Pyetja ime nuk është pse Fieri, pyetja ime është ku është letra”, u shpreh Merkoçi, duke theksuar se kompetenca e administratës së burgjeve për të vendosur vendin ku mbahet një i paraburgosur nuk duhet të shndërrohet në veprim arbitrar.

Gjatë fjalës së tij, këshilltari bashkiak ngriti edhe shqetësimin për pasojat institucionale të kësaj situate. Ai tha se fakti që kryetari i zgjedhur i Bashkisë së Tiranës ndodhet në paraburgim prej rreth 20 muajsh dhe nuk mund të jetë fizikisht në zyrë ka ndikim në ushtrimin e funksioneve të institucionit.

“Dje në mëngjes një qytetar shqiptar pas afro 20 muaj paraburgimi pa një vendim gjykate u mor nga institucioni ku mbahej dhe u dërgua në një qytet tjetër pa ju dhënë asnjë akt, pa ju treguar asnjë arsye as atij as avokatit të tij që e kërkoi zyrtarisht dhe sipas asaj që raportohet edhe Avokati i Popullit po e verifikon u vendos në një qeli izolimi. Kjo është absurde”, deklaroi ai.

Në përfundim të fjalës së tij, Aldo Merkoçi propozoi dy hapa konkretë që, sipas tij, duhet të ndërmerren nga Këshilli Bashkiak i Tiranës.

“Kërkoj që ky Këshill të mos mjaftohet me fjalë. Dy veprime konkrete: Së pari, t’u drejtohemi zyrtarisht Ministrisë së Drejtësisë, Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve dhe Avokatit të Popullit, duke kërkuar bërjen publike të aktit dhe të arsyeve të transferimit, garantimin e menjëhershëm të aksesit të avokatit dhe të Avokatit të Popullit, dhe verifikimin e pavarur të kushteve të mbajtjes. Së dyti, t’i kërkojmë administratës së Bashkisë, siç parashtrohet në kërkesën që kemi depozituar sot — një raport të plotë dhe të dokumentuar mbi atë që ky transferim i bën funksionimit të institucionit tonë: cilat kompetenca kanë mbetur pezull, cilat komunikime janë penguar, çfarë kostosh dhe vonesash po paguan qyteti. Jo për të bërë politikë. Për ta matur dëmin. Nëse ligjshmëria, transparenca dhe trajtimi njerëzor ekzistojnë, institucionet nuk kanë asgjë për të fshehur. Nëse nuk ekzistojnë, atëherë kemi një problem që shkon shumë përtej emrit të Erion Veliajt”, deklaroi Merkoçi.

Ora 16:22
Këshilli i Tiranës/ Miratohet ‘kredia e butë’ për 1434 familje, 955 aplikantët e skualifikuar 5 ditë kohë për të paraqitur ankimimet

1793282604_kshillibashkiakitirans.JPG

Këshilli Bashkiak i Tiranës miratoi listën me 1,434 familje përfitues të programit të kredive të buta. Fituesit mund të nisin menjëherë procedurat për blerjen e banesës, të cilën duhet ta gjejnë brenda 18 muajve.

955 aplikantët e skualifikuar kanë 5 ditë pune kohë për të paraqitur ankimimet. Ato që do të pranohen do të shqyrtohen nga Bashkia dhe përfituesit do të përfshihen në një listë shtesë, e cila do të miratohet nga Këshilli Bashkiak. Në përfundim, numri i përfituesve pritet të arrijë në rreth 1,500 familje.

Krahas listës së fituesve, u miratua në parim edhe marrëveshja me bankën e përzgjedhur për dhënien e kredive.

Sipas marrëveshjes, në vitin e parë interesi i kredisë do të jetë fiks 2.29%, ndërsa nga viti i dytë nuk do të kalojë 3%. Nëse interesi i bankës rritet mbi këtë nivel, diferencën do ta mbulojë Bashkia e Tiranës, në mënyrë që kësti mujor i qytetarëve të mbetet i pandryshuar.

Ora 15:45
Këshilltarët e Bashkisë së Tiranës rezolutë për transferimin e Veliajt drejt Fierit: Të bëhet transparencë, t’i hiqet çdo kufizim që pengon ushtrimin e të drejtave të tij

1793284558_kshillibashkiakitirans.jpg

Gjatë mbledhjes së sotme të Këshillit Bashkiak të Tiranës, këshilltarët socialistë të Bashkisë Tiranë kishin përgatitur një rezolutë për transferimin e kryebashkiakut Erion Veliaj nga paraburgimi i Durrësit drejt atij të Fierit.

Në rezolutën e lexuar nga këshilltari socialist Halit Valteri, shprehej shqetësimi për këtë transferim të papritur të kryetarit të Bashkisë së Tiranës.

Po ashtu, në rezolutë kërkohet gjithashtu më shumë transparencë për vendimin e Drejtorisë së Burgjeve për transferimin e Veliajt drejt Fierit.

Rezolta e anëtarëve socialistë të Këshillit Bashkiak të Tiranës:

Lidhur me transferimin dhe kushtet e mbajtjes së Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj

Ne, këshilltarët e Bashkisë së Tiranës, shprehim shqetësimin tonë të thellë për transferimin e papritur të Kryetarit të Bashkisë, z. Erion Veliaj, nga institucioni i paraburgimit në Durrës në atë të Fierit, si dhe për kushtet e rënda në të cilat raportohet se po mbahet.

Shqetësimi ynë bëhet edhe më serioz pas vizitës së Avokatit të Popullit në institucionin e Fierit, ku janë ngritur çështje që kërkojnë verifikim dhe ndërhyrje të menjëhershme institucionale.

Erion Veliaj është një qytetar i paraburgosur, i cili gëzon prezumimin e pafajësisë dhe të gjitha të drejtat që Kushtetuta dhe Konventa Europiane për të Drejtat e Njeriut i njohin çdo individi. Ai është gjithashtu Kryetari i zgjedhur i Bashkisë së Tiranës, mandati i të cilit është konfirmuar nga Gjykata Kushtetuese.

Asnjë masë paraburgimi nuk mund të shërbejë si justifikim për trajtim çnjerëzor apo poshtërues, për kufizime arbitrare të komunikimit me familjen dhe mbrojtësit ligjorë, apo për pengesa të pajustifikuara në marrjen e kujdesit shëndetësor.

Për këto arsye, kërkojmë nga Ministria e Drejtësisë dhe Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve:

1. Transparencë të menjëhershme mbi arsyet ligjore dhe faktike të transferimit.

2. Garantimin e kushteve të qëndrimit në përputhje me standardet ligjore dhe europiane, si dhe vlerësimin e menjëhershëm të nevojave shëndetësore.

3. Respektimin e plotë të së drejtës së komunikimit me familjarët dhe mbrojtësit ligjorë.

4. Verifikimin dhe heqjen e çdo kufizimi të pajustifikuar që pengon ushtrimin e të drejtave të tij.

I kërkojmë Avokatit të Popullit të bëjë publike, brenda kufijve ligjorë, gjetjet dhe rekomandimet e inspektimit të kryer.

Si anëtarë të Këshillit Bashkiak, kemi gjithashtu përgjegjësinë të kërkojmë që situata e krijuar të mos prodhojë pengesa të paligjshme për funksionimin e Bashkisë së Tiranës dhe ushtrimin e kompetencave të kryetarit të saj.

Ne nuk kërkojmë privilegje për Erion Veliajn. Kërkojmë respektimin e ligjit, dinjitetit njerëzor dhe të drejtave që i takojnë çdo qytetari.

Drejtësia nuk mund të ushtrohet duke cenuar dinjitetin njerëzor. Dhe asnjë institucion publik nuk mund të qëndrojë indiferent përballë pretendimeve serioze për shkeljen e këtyre të drejtave.