Bashkia e Tiranës ka planifikuar të investojë në ndërtimin e rrugëve dhe të një tregu të ri, si edhe për rikonstruktimin e godinave arsimore dhe rehabilitimin e sigurimin e ngrohjes në 9 shkolla në Njësinë Administrative nr. 2, për vitin 2016. Gjatë takimit me banorët e kësaj njësie për të diskutuar mbi projektbuxhetin e vitit të ardhshëm, Erion Veliaj, tha se për këtë zonë administrative janë parashikuar 182 milionë lekë.

“Në Sauk, fokusin më të madh e kemi në rehabilitimin e ujit të pijshëm. Po planifikojmë ndërtimin e një tregu të ri, si dhe kemi piketuar tashmë një vend për zhvendosjen e tregut, në mënyrë që ata që shesin të kenë mundësi t’i shërbejnë komunitetit me produktet e tyre”, tha Veliaj. Kryebashkiaku i Tiranës tha se së shpejti aksioni për lirimin e hapësirave publike do të pasojë edhe në njësinë 2, ku çdo pjesë e liruar do t’i kthehet qytetarit.
 
Duke folur për situatën e rënduar financiare në të cilën është gjendur Bashkia e Tiranës, Veliaj tha se institucioni që ai drejton i është lënë një borxh i madh financiar. Sipas tij, në vitin 2015, ishin planifikuar dhe ishin buxhetuar teorikisht 7-fishi i asaj që realisht kishte bashkia.
 
Për të rritur buxhetin e Bashkisë së Tiranës që do të përkthehen në më shumë investime, Veliaj tha se është synuar forcimi i Administratës Tatimore dhe krijimi i Tirana Parking. Ai solli në vëmendje kthimin e hapësirave të zaptuara në parkingje publike me pagesë që do të sjellin më shumë të ardhura për investime infrastrukturore. “Sa t’i jepni paratë e parkimit një privati, më mirë bashkisë, dhe ato para i investon në korsi biçikletash, siç po bëjmë me rrugën ‘Dritan Hoxha’, apo i investon në mbjellje pemësh, në stola dhe në parqe për të moshuarit”, tha Veliaj.

Për problemin  e ujësjellësit, kreu i bashkisë tha se nuk do të ketë rritje të çmimit të ujit por do të ulet përqindja e humbjes, e cila sot është në nivelin 70%.

“Nuk kemi për ta rrit çmimin e ujit por ta paguajnë ata që nuk e paguajnë dhe që e vjedhin. Momentalisht kemi 70% humbje në ujë. Pjesa e ndershme paguan, pjesa tjetër cian tubacionin, bën një lavash. Kompani që mbushin ujin nga çezma dhe ambalazhojnë. Kjo pjesë që nuk ka paguar deri tani do të vazhdojë të paguajë”, tha ai.

Kreu i bashkisë tha se, bashkia do të kryej investimet më të mëdha në njësinë dy, e cila jo vetëm është e dyta për numër banorësh por edhe ka përqindjen më të lartë në pagimin e taksave.

“Njësia numër 2 kanë vlerën më të madhe të parave. Është njësia me numrin më të madh por edhe më korrektja Njësia pesë dhe njësia dy janë më korrekte për pagesën e faturave. Aty ku ka më shumë pagesë bashkia do t’ia shpërblejë me më shumë investime”, u shpreh Veliaj.

Kreu i bashkisë më tej tha se është gjetur një mënyrë për zgjidhjen e problemit të vjedhjes së kapakëve të pusetave dhe tek ndriçimi publik.

“Do të dekurajojmë vjedhjen duke zëvendësuar materialin e pusetave dhe të kabujeve në mënyrë që të mos vidhen për skrap apo riciklim. 75% e pusetave do të mbyllen”, tha Veliaj.

Ai paraqiti dhe dy nisma që do të jenë “fondi i komunitetit” dhe “terrenet sportive”.

“Shumë njerëz thonë që jemi gati të japim financim për rikonstruksionin e fasadave. Nëse njerëzit duan të lyejnë fasadën e tyre nqs duan të rregullojnë sheshin. Bashkia për një lek nga banorët do të vërë dyfishin e shumës. Komunitetet i ruajnë shumë mirë mjedisit për të cilat kanë kontribuar dhe vetë. Nisma e dytë: terrenet sportive. Banorët mund të aplikojnë për terrene sportive. Siç funksionon gara mes bashkive kur merr më shumë para nga qeveria qendrore kështu duhet të funksionoi dhe gara mes njësive për fonde. Buxheti në mënyrë simbolike u miratuar nga banorët e njësisë numër dy që ishin të pranishëm në mbledhje”, përfundoi Veliaj.

Në fund, banorët e njësisë numër dy zhvilluan një bashkëbisedim me kreun e bashkisë dhe miratuan në mënyrë simbolike projektbuxhetin.

Redaksia Online
(f.s/shqiptarja.com)