"Në radhë të parë ne duhet të mendojmë seriozisht për votën e migrantëve. Mundësia e parë është votimi me postë. Dikush mund të thotë: ata jetojnë jashtë, mund të mos vijnë kurrë në Shqipëri. Por vetëm fakti që emigrantët dërgojnë remitanca, para, tregon se ata janë kontribues në taksa. Sa herë një taksë, një cent nga paratë e tyre përdoret tek ne, taksohet dhe shteti përfiton. Dhe ky është argumenti që përdoret kundër cinikëve për t’u dhënë atyre të drejtën e votës. Votimin me postë e bën Kosova, një shtet vetëm 5 vjeç; e bën Kroacia.Qëllimi i demokracisë është ta hapë sa më shumë lojën dhe të përfshijë sa më shumë faktorë.
Së dyti, mundësia e mësimdhënies së gjuhës shqipe. Janë 35 mijë mësues në gjithë vendin, po pse të mos jenë 36 mijë kur shumë mësues, kryesisht gra e vajza jashtë vendit e bëjnë këtë vullnetarisht duke dhënë mësim, gjuhën shqipe falas?! Së treti, kanali numër 2 i TVSH-së, TVSH 2 mund e duhet të shërbejë për edukimin e nxënësve jashtë vendit me programe të caktuara,"- theksoi ai.
Të ftuar në studio sëbashku me Veliajn ishin edhe Artur Qirici, kreu i degës së PS-së në Greqi dhe Edmond Kumaraku, kreu i degës së PS-së në Itali. Atyre iu drejtuan pyetje të ndryshme lidhur me emigracionin në vendet nga vijnë dhe atë se çfarë presin nga qeveria e Edi Ramës.
Z.Qirici, ju kishit një jetë të mirë në Greqi; përse mendoni për Shqipërinë?
Qirici: Unë mendoj se të gjithë emigrantët që janë në Evropë, ku panë ritme të tjera zhvillimi, një tjetër mentalitet nuk mund të ishin dakord që ritmet e vendit tonë të ishin aq mbrapa. Ndaj edhe unë gjykova si ata.
Shumë emigrantë kanë ardhur pa bileta për të votuar. Si u bë e mundur?
Veliaj: Ka shumë njerëz që kanë ndihmuar në këtë. Shumë pronarë autobusësh që janë përfshirë në këtë proces, kanë ndihmuar jo aq nga dashuria për PS-në sesa nga mllefi për këtë qeveri që u vinte gjoba. Por, kishte edhe shumë emigrantë që nuk pyetën për bileta falas, por erdhën me shpenzimet e tyre.
Z.Kumaraku, a erdhën nga Italia për të fluturuar falas me “Belle Air”?
Kumaraku: Me bileta falas deshën të fluturonin një numër njerëzish, por falimentuan, sepse ne punuam shumë për t’i bindur emigrantët që ta bënin këtë me dëshirën e tyre.
Çfarë presin emigrantët nga politika?
Kumaraku: Emigranti pret shumë nga politika shqiptare, sepse ka shumë vështirësi në të drejtat e përbashkëta në të dy vendet. Dhe unë kam parë se e vetmja rrugë për të zgjidhur problemet është politika dhe unë ndaj e kam zgjedhur, që t’i trajtojmë ato.
Si u arriti kjo ardhje masive?
Qirici: Ne arritëm në zgjedhjet e 23 qershorit me këtë rezultat jo rastësisht. Është parë me vizion. Edi Rama ka zbritur vetë në Selanik, Athinë e Volos dhe aty ka filluar historia e organizimit të emigracionit. Aty ka nisur një strategji e caktuar që u ndërtua më vonë shkallë pas shkalle. Ne kemi filluar që në 2009-ën, kur unë isha kryetar i shtabit elektoral. Premtimet tona nuk ishin elektorale. Fluksi i emigrantëve nuk ishte vetëm për një apo dy javë. Kishte më shumë kohë. Kanë qënë me dhjetra mijëra km që ne kemi bërë. Kur në 2009-ën ne kishim vërshim nga qytetet kryesore, por tani ne e ndërtuam strategjinë duke u shpërndarë në të gjithë Greqinë, duke e shpërndarë Partinë Socialiste dhe duke organizuar takime të rëndësishme. 15-16 herë me ne ka qënë vetë Edi Rama. Dhe për herë të parë, PS-ja ngriti Sekretariatin për Emigracionin dhe sot ne e quajmë Erionin si deputetin tonë.
Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)