Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, ka firmosur nga qelia e paraburgimit shkarkimin nga detyra të nënkryetarit Blendi Sulaj.

Shkarkimi i Sulajt që e mbante këtë post që prej vitit të kaluar vjen pas tre dorëheqjeve të miratuara një ditë më parë - të nënkryetares së Bashkisë Anuela Ristani, sekretarit të Përgjithshëm Eldi Hoxha dhe Shefes së Kabinetit Blerina Beshku.

Në vend të Hoxhës Veliaj komandoi sërish Alban Dokushin, i cili kishte mbajtur më herët këtë pozicion dhe ishte rikthyer në detyrë pas një vendimi të Gjykatës Administrative.

Dokushi u shkarkua nga Anuela Ristani një muaj pas arrestimit të Veliajt. Më pas ai e dërgoi çështjen në Gjykatë dhe më 3 qershor Apeli vendosi kthimin e tij në detyrë. Moszbatimi i këtij vendimi ishte edhe një nga argumentet e Veliajt kur i tërhoqi Ristanit delegimin e kompetencave në 28 gusht.

Edhe pse në burg prej 10 shkurtit të 2025 Veliaj vijon të jetë kryetar ligjërisht i Bashkisë, pasi Gjykata Kushtetuese rrëzoi nismën e Këshillit Bashkiak e më tej qeverisë për ta shkarkuar.