Drejtuesi Politik i PS për Qarkun e Tiranës, Erion Veliaj ka komentuar edhe protestat e dhunshme të opozitës në takimin me socialistët e Njësisë 4. Ai siguroi se pavarësisht tyre, punët në Tiranë nuk do të ndalen.
“Ka qenë një kohë kur ishte shumë e vështirë të ishe socialist. Nuk jemi për të kujtuar as ’96, as ’97, as referendumin e ’94-ës, as ato ditë të mallkuara të vëllavrasjes shqiptar me shqiptar dhe futjes së politikës në çdo qelizë tonën. As ato histori të vështira të opozitës së dytë me 21 janarin dhe me mënyrën sesi dhunoheshin socialistët, sesi ata që qeverisnin bënin karrierë kush rrëmbente një socialist, kush rrihte në sheshin “Skënderbej” një socialist, kush zhdukte një socialist, apo kush vriste një socialist, siç ndodhi në 21 janar. Edhe ato qofshin të shkuara dhe të harruara jo vetëm për socialistët, por për të gjithë shqiptarët. Sot, ti mund të protestosh sa të duash te “5 maji”, por nuk do të thotë se puna do të ndalet; mund të djegësh goma, mund të bllokosh, mund të çosh në gjyq. Por, një gjë është e sigurt, po e morën në dorë punën socialistët, do ta çojnë deri në fund atë. Ndaj, më vjen mirë që shumica e banorëve te “5 Maji” janë futur në shtëpi dhe pjesa e mbetur do të futet këtë verë”, tha Veliaj.
Ai theksoi se falë PS, kanë përfituar edhe ata që protestojnë sot, pasi Tirana është e mbushur me turistë që sjellin ekonomi.
“Ti mund t’i djegësh gomat edhe para Parlamentit, edhe para bashkisë, por është turp për ata që e bëjnë këtë. Është viti 2024, Tirana është e mbushur me turistë, të cilët nuk vijnë dhe rrinë vetëm në hotele socialistësh. Por, konsumojnë ushqim, blejnë, sjellin financa dhe rrisin gjithë mirëqenien e Tiranës. Kur ne ndërtojmë pallate te “5 Maji”, s’i kemi ndërtuar për socialistët, asnjë s’ka paraqitur teserën e partisë në njësi. Por, shpërndahen sipas nevojës. Kujt iu prish pallati, merr shtëpi në pallatin e ri sipas metrave katrorë që kishin”, deklaroi Veliaj.
Ai tha se ndryshe nga qeverisja e shkuar, PS është treguar e kujdesshme që askush të mos mbetet pas dhe të vuajë nga vështirësitë.
“Më kujtohet kur morëm detyrën në qeveri në 2013-ën. Ju kujtohet si ishte “Pallati me shigjeta”? I kishin nxjerrë të gjithë njerëzit në rruge, që të flinin në një nga korsitë e rrugës. Ne sot, për faje që s’i ka PS-ja, siç ishte tërmeti, siç ishte pandemia, po bëjmë kompensim për metra katror të të gjitha shtëpive, edhe të atyre që ishin pronarë, ose që jetonin me legalizim në ato toka, për t’u siguruar që edhe puna të bëhet, por asnjeri të mos mbetet pas dhe asnjëri të vuajë pasojat e asaj situatë të vështirë”, deklaroi Veliaj.