Velipoja konfirmohet si një nga destinacionet më të preferuara të verës. Korriku e ka gjetur Velipojën plot me pushues e turistë, ndërsa fluksi i vizitorëve konfirmon se ky bregdet mbetet një nga destinacionet më të preferuara të verës në Shqipëri. Plazhet publike dhe ato të menaxhuara nga Bashkia Shkodër po vlerësohen për pastërtinë, organizimin dhe shërbimet që ofrojnë, duke krijuar kushte komode për pushuesit vendas dhe të huaj.

“Jemi shumë të kënaqur. Më bukur s’ka. Koha po mban mirë. As në Evropë më bukur nuk ka “ thotë një prej tyre.

Një nga risitë e këtij sezoni është edhe rampa që mundëson aksesin deri në det për personat me aftësi të kufizuara, shërbimi i parë i këtij lloji në një plazh publik në Shqipëri. Ky investim e bën Velipojën një destinacion më gjithëpërfshirës, duke garantuar që edhe personat me kufizime në lëvizje të mund ta shijojnë bregdetin me dinjitet dhe lehtësi.

“Jemi shumë të kënaqur. I falenderojmë për këtë rompe që kanë vënë se nuk ecte karroca” tha një prej tyre.

Përvoja pozitive e pushuesve po kthehet në promovimin më të mirë për Velipojën. Vlerësimet e tyre për pastërtinë, hapësirat publike, shërbimet dhe investimet e reja tregojnë se turizmi në këtë zonë po zhvillohet me standarde gjithnjë e më të larta, duke e bërë Velipojën një zgjedhje të preferuar për pushimet verore.