TIRANE- Punonjësi i SHIK-ut Besnik Hidri, eshtrat e të cilit prehen tashmë në Varrezat e Dëshmorëve, bashkë me të Lekë Qokajt, ishte 31 vjeç kur humbi jetën në krye të detyrës në Vlorë, teksa mbante postin e shefit të Kundërzbulimit.

16 vite pas ngjarjes së rëndë, vëllai i tij, Genc Hidri, thotë se e ardhmja e një vendi nuk mund të ndërtohet duke mbuluar të shkuarën, sado e hidhur qoftë ajo. Në një intervistë për Shqiptarja.com, zoti Hidri rrëfen përjetimet e vitit të kobshëm `97 dhe si mësoi për ngjarjen ku mbeti i vrarë i vëllai.

Z.Hidri, si ndiheni një ditë pas ceremonisë dhe homazheve në nderim të vëllait tuaj?

Në vetvete zhvarrimi e më pas rivarrimi, është një pjesë e dhimbshme. Të krijon emocione, risjell në memorie ditë të vështira të vitit 1997. Por, njëkohësisht është lehtësim shpirtëror për ata dy njerëz që dhanë jetën në mbrojtje të institucioneve të shtetit shqiptar. Më në fund morën atë që merituan, që nga viti 2006, kur me vendim të Komisionit morën statusin e Dëshmorëve të Atdheut.

Kush vendosi për homazhet dhe kalimin e eshtrave në Varrezat e Dëshmorëve?
Ishim ne që e bëmë kërkesën, afro një muaj më parë. I’u drejtuam Shërbimit Informativ Shtetëror, institucionit ku punoi im vëlla dhe Lekë Qokaj.

Pse erdhi pikërisht tani kjo kërkesë, dhe jo më parë?
Sepse tani e menduam të arsyeshme.

Si e kujtoni ditën kur vëllai juaj, Besniku, u nis drejt Vlorës, ku më pas humbi dhe jetën?

Ishte kohë trazirash. Ishte një ikje e shpejtë e Besnikut, me urdhër nga eprorët për të shkuar në Vlorë. Një urdhër rutinë shërbimi. U nis rreth një javë më parë se të ndodhte ngjarja. Ishte 31 vjeç në atë kohë dhe mbante detyrën e Shefit të Kundrazbulimit në SHIK-un e asaj kohe. Mbaj mend, që lajmin e mora nga daja im, i cili më telefonoi rreth orës 4 të mëngjesit. Seç ka ndodhur në Vlorë...”, më tha.

Po pastaj çfarë ndodhi?
Pastaj ikëm tek SHIK-u dhe më pas shkuam në Spitalin Ushtarak, ku kishin dërguar Besnikun. Fillimisht mësuam, se bëhej fjalë për plagosje. Kur mbërritëm në spital, mësuam që kishte humbur jetën rrugës për në Tiranë.

Si kishte ndodhur ngjarja, çfarë mësuat?
Në dijeninë tonë, Besniku ishte plagosur rreth orës 22:00 të datës 27 shkurt 1997. Por, vetëm pas 7 orësh pritjeje ishte mundësuar transportimi me helikopter nga Orikumi, në Tiranë. Sipas mjekëve, kishte ndërruar jetë para se të mbërrinte në spital. Ajo që në dimë, është që një bandë e armatosur kishte sulmuar godinën e SHIK-ut, e cila ndodhej në periferi të Vlorës, në të cilën ndodhej im vëlla, dhe Leka Qokaj dhe kolegë të tjerë të tyre. Besniku ishte plagosur brenda godinës, por kishte mundur të dilte nga një dritare. Më pas e kanë marrë dhe e kanë transportuar deri në Orikum, ku priti plot 7 orë, deri sa të transportohej me helikopter.

Ngjarja ku humbën jetën vëllai juaj dhe Leka Qokaj mbetet ende pa autor, edhe pas 16 vitesh. Gjatë kësaj kohe, keni kërkuar ndonjëherë informacion pranë instancave shtetërore?
Në lidhje me ngjarjen nuk ka pasur kurrë hetime. Ne nuk jemi vënë asnjëherë në dijeni dhe nuk jemi marrë kurrë në pyetje.

Nuk keni këmbëngulur të dini se kush ishin autorët?

Jo, sepse menduam që një pjesë e atyre që erdhën në pushtet, e kishin inicuar vetë atë lloj sulmi, për përfitime politike.

Po gjatë këtyre viteve të fundit?
Çështja nuk u hetua asnjëherë, as nga Ministria e Brendshme dhe as nga Prokuroria e Përgjithshme. Shpresojmë në të mirë të këtij vendi, ku ne duam të rrisim fëmijët tanë dhe që aspiron të shkojë drejt Evropës së bashkuar, që triumfojë në çdo rast. Nuk mendoj që mund të ndërtohet e ardhmja e një vendi duke mbuluar të shkuarën, sado e hidhur qoftë ajo.

Si jeni trajtuar gjatë kësaj kohe? A ka pasur ndonjë ndryshim para dhe pas vitit 2005?

Që nga viti 1999 e deri më sot, nuk ka ndryshuar asgjë. Gjatë vizitave në familje nga lidershipi i Partisë Demokratike na është premtuar që me ardhjen në pushtet (viti 2005), drejtësia do të vihej në vend dhe çështja do të zbardhej. Por deri tani nuk ka ende asnjë autor, ndërkohë që mediat vizive dhe të shkruara të kohës, kanë publikuar filmime, fotografi dhe fakte, ku duket qartë sulmi ndaj godinës së SHIK-ut të Vlorës. Duken njerëz me sëpata, me armë zjarri, gjak. Ka pasur plot fakte, të bëra edhe publike, por kurrë nuk u hetua.

Keni pasur ndonjë ndihmë nga shteti gjatë këtyre 16 viteve?
Vetëm përfitimit që vijnë në bazë të ligjit, pas marrjes së statusit të Dëshmorit të Atdheut, si dhe plot mbështetje morale nga miq dhe kolegë të vëllait.

Si ndiheni kur dëgjoni dhe shikoni për vrasje oficerësh policie në krye të detyrës?

Përpos pjesës humane të humbjes së një jete, sa herë që vriten njerëz që janë në shërbim të shtetit, të gjithë duhet të tronditen sepse cenohet siguria publike.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 02.03.2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)