Velo: Ja kush m’i dogji 260 veprat
më 1979, më mirë t'më kishin vrarë!

Velo: Ja kush m’i dogji 260 veprat<br />më 1979, më mirë t'më kishin vrarë!
TIRANE-  Akti i dhurimit të 54 veprave për Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë nga Maks Velo, përveç vlerës së madhe financiare, mbart edhe një mesazh të fortë për shoqërinë e shtetin shqiptar. Vetë piktori Maks Velo dje gjatë aktit të dorëzimit e konsideroi dhurimin e veprave si një kthim simbolik.

“Është një kthim simbolik me rëndësi. Më dogjën 260 vepra, dhe ai që i ruante ato ishte djali i atij që i kishte marrë në dorëzim. I përzgjodhi ai veprat që duheshin djegur. Por kur i mblidhnin veprat, edhe porosia e Hitlerit ishte që t’i shisnin në perëndim, jo t’i digjnin, ndërsa shteti shqiptar i dogji veprat e mia”.

Duke iu rikthyer historisë së dënimit të tij (kur e burgosën në vitin 1978 dhe gjashtë muaj më pas i bënë gjyqin më 1979-n, me 13 dëshmitarë, ku shumica ishin artistë), Maks Velo i rikthehet për të disatën herë me trishtim historisë së ndëshkimit. Ishte i pari piktor që dënohej publikisht në atë kohë vetëm se vepra e tij ishte moderne. “Unë në shtëpi ruaj një dokument shumë të rëndë, edhe pse është vetëm dy fletë, ai është procesverbali që shteti komunist më ka konfiskuar veprat.

Babai im e kishte ngjitur në albumin e shtëpisë dhe unë kur dola nga burgu e gjeta. Është shumë simbolke dhe me shumë rëndësi. Tani janë dy dokumenta, ai i konfiskimit dhe djegies dhe ky i dhurimit, ku ka disa edhe nga ato që më janë djegur të cilat i kam ribërë. Kam parasysh atë dokumentin, kur m’i dogjën veprat… Dhe ja ku po ju them, se ne kemi kaluar në ekstrem, duke pasur një urrejtje të pallogaritshme.

Ata fare mirë mund të mos t’i pëlqenin, por jo t’i digjnin veprat. Gjithë jetën më ndjek një mendim, më mirë të më kishin vrarë dhe të mos më digjnin veprat”, tha Maks Velo.
Maks Velo u shpreh se me aktin e dhurimit, ai vet është duke bërë të kundërtën që i bëri shteti në kohën e diktaturës.  

“Ky akt dhurimi është e kundërta e asaj që bëri shteti atëherë”, tha artisti Velo. Ai rrëfeu se nga veprat e dhuruara vetëm 10 janë nga ekspozita, ndërsa pjesa tjetër janë nga arkivi. Dhe arkivi i Maks Velos mbart jo pak, por rreth 1000 vepra në të gjitha gjinitë e artit figurativ, grafika, piktura, të punuara në materiale dhe teknika të ndryshme dhe skulptura. Ndërsa i ka dhuruar Galerisë Kombëtare plot 54 vepra, Maks Velo rrëfen se gjysma e këtyre do t’i kalojnë galerisë, ndërsa gjysmat e tjera Institutit të Kulturës.

Por në total 54 veprat e autorit Maks Velo mbeten pronë e shtetit shqiptar. Pas procedurës së dhurimit në praninë  e Ministres së Kulturës, Mirela Kumbaro, artisti Maks Velo u shpreh se: “Edhe tek artistët e tjerë duhet të kthehet kjo ndjenjë dhurimi e veprave, sepse vërtetë janë koleksionistët ata që i mbledhin, por vend më të mirë se intitucioni i shtetit nuk ka”

Maks Velo bëri art në të njëjtën epokë me artistët e tjerë të viteve ‘70, por eci në kah të ndryshëm. Me sa duket këtë kolegët nuk “ia falën”. Edhe sot Maks Velo mbetet një antikonformist me artistët e brezit të tij dhe me artin e realizmit socialist. Ai nuk mundet t’i justifikojë të gjithë ata se punuan me diktatin e kohës. “Ka pasur shumë nga këta artistë që nuk donin as bëhej kjo ekspozitë. Madje ka shumë nga ata që nuk kanë ardhur as ta shohin, dhe kjo ka një kuptim se ka një bërthamë të vërtetë; se po të ngjitësh shkallët e kësaj galerie e të shohësh pikturat e tyre, janë dy botë krejt të kundërta, këtu është puna.

Por unë nuk mund t’u vë faj për atë kohë, por u vë faj atyre artistëve nuk kanë pasur tolerancë. Si mund të jesh artist, kur nuk je tolerant...?!
Velo duke iu rikthyer së kaluarës kujton sesi ka mbetur i befasuar nga zbulimet nëpër arkiva, ku ka parë një urdhër të brendshëm që ka dhënë ish kryeministri shqiptar i diktaturës, Mehmet Shehu. “Unë jam çuditur kur kam parë një dokument të Mehmet Shehut që thoshte “të mos ketë asgjë personale në art”.

Si është e mundur, se gjë më personale se arti nuk ka. Edhe më personal se vetë fëmija është arti. Si mund ta thoshte këtë Mehmet Shehu...?! Ai vërtet e ka thënë, por unë e kam fjalën tek mungesa e tolerancës së artistëve, sepse artisti arrinte të shfrytëzonte atë situatë për të goditur kolegët”, u shpreh i nervozuar piktori.
 
 
Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 13Tetor 2015

Redaksia Online
(e.m/shqiptarja.com) 
 
 

  • Sondazhi i ditës:

    Himara, i kujt është faji që 6 mijë votues ishin me karta të skaduara?



×

Lajmi i fundit

Augustin Palokaj: Mali i Zi mes BE-së dhe botës serbe

Augustin Palokaj: Mali i Zi mes BE-së dhe botës serbe