TIRANE- Opozita parlamentare dhe mazhoranca kanë bashkuar votat për zgjedhjen e dy anëtarëve të rinj të Gjykatës Kushtetuese Elsa Toska dhe Fiona Papajorgji. Ato janë votuar në Kuvend me 105 vota pro . Kreu i Kuvendit Gramoz Ruçi tha sot se presidenti nuk është shprehur brenda afatit dhe për këtë arsye, kandidati i parë në listë do të konsiderohet si i miratuar, duke konfirmuar kështu edhe përzgjedhjen automatike të Arta Vorpsit.
Bashkë me Vorpsin, Toskën dhe Papajorgjin shkon në 5 anëtarëve i Gjykatës Kushtetuese. Presidenti Meta zgjodhi kandidatin Besnik Muçi ende pa kaluar vettingun nga lista e tij e parë, ndërsa refuzoi të dekretonte një anëtar tjetër pasi sipas tij, kushtetuta parashikon se institucionet duhet të ndjekin një radhë për përzgjedhjen e tyre.
VIDEO/Seanca parlamentare
Gjykata Kushtetuese nuk funksionon sepse shumica e gjyqtarëve të saj, të gjithë të emëruar nga PD (me mbështetjen e LSI) midis viteve 2007-2013, janë shkarkuar nga Komisioni i Vetingut sepse nuk justifikonin dot pasuritë e tyre, ose pasi kanë dhënë dorëheqjen pikërisht për të shmangur Vetingun.
'Kushtetuesja' përbëhet nga nëntë anëtarë, prej të cilëve tre anëtarë emërohen nga Presidenti i Republikës, tre anëtarë zgjidhen nga Kuvendi i Shqipërisë dhe tre anëtarë zgjidhen nga Gjykata e Lartë. Gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese emërohen për 9 vjet, pa të drejtë riemërimi. Përbërja e Gjykatës Kushtetuese përtërihet çdo 3 vjet, me një të tretën e saj. Anëtarët e rinj caktohen sipas radhës, përkatësisht nga Presidenti i Republikës, nga Kuvendi dhe nga Gjykata e Lartë. Ky rregull ndiqet edhe në rastet e përfundimit para afatit të mandatit të anëtarit të Gjykatës Kushtetuese.
Elsa Toksa dhe Fiona Papajorgji janë zyrtarisht anëtare të Gjykatës Kushtetuese.
Me 105 vota pro, 2 kundër dhe 9 abstenim, kandidatja e propozuar nga KED është shpallur anëtare e Gjykatës Kushtetuese.
105 vota pro, 3 kundër dhe 8 abstenim është votuar edhe Fiona Papajorgji.
Arta Vorpsi është automatikisht anëtare e Gjykatës Kushtetuese. Kreu i Kuvendit Gramoz Ruçi tha se pas letrës së presidentit Meta i është drejtuar Këshillit të Emërimeve në Drejtësi për informacion të mëtejshëm. Ruçi tha se KED është shprehur se brenda 30 ditëve, në rast se presidenti nuk shprehet, kandidatja e parë në listë zgjidhjet anëtare e Gjykatës Kushtetuese.
"I jam drejtuar KED për informacion të mëtejshëm. KED është përgjigjur se duke mos u shprehur brenda 30 ditëve, kandidatja e parë është automatikisht anëtare e Gjykatës Kushtetuese. Ditën e shtunë i jam drejtuar Këshillit të Legjilsacionit. Këshilli është mbledhur dhe ka konkluduar se procedura është tërësisht kushtetuese dhe proceduriale. Më lejoni të vijoj me kryerjen e votimit për zgjedhjen e anëtarëve. Iu rikujtoj që Komisioni i Ligjeve ka miratuar raportin dhe renditjen sipas KED. Nga lista e paraqitur nga KED, kandidatja e parë në listë Arta Vorpsi rezulton të jetë shpallur e emëruar. Kandidati i tretë është emëruar me dekret të presidentit", tha Ruçi.
PS ka kërkuar ndërprerje të seancës së Kuvendit, duke njoftuar një mbledhje grupi. Deputetët socialistë janë mbledhur në selinë e Kuvendit, ndërkohë që kryeparlamentari Gramoz Ruçi njoftoi se me rifillimin e seancës do të votohet edhe zgjedhja e anëtarëve të Gjykatë Kushtetuese.
Kryetarja e Grupit Parlamentar Demokrat Rudina Hajdari i ka bërë thirrje palëve dhe presidentit që të ulen në dialog për të gjetur gjuhën e përbashkët lidhur me zgjedhjen e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese.
"Presidenti dhe palët të gjejnë gjuhën e përbashkët. Nëse ka ndonjë kandidaturë të dalë dhe ta sjellë. Duhet të ketë një përzgjedhje nga secili institucion. E gjithë procedura ka boshllëqe. Nëse duam ta kapërcejmë këtë konflikt do ishte mirë ta ndërpresim seancën dhe ta diskutojmë më presidentin. Unë mendoj që të gjitha palët kanë faj dhe po i bëjnë hile njëri tjetrit. Pas kësaj seance do jetë përcaktuese mënyra si do ngrihet Gjykata Kushtetuese", u shpreh Hajdari.
Teksa pritet që sot të përmbyllet një ndër proceset e rëndësishme për ngritjen dhe funksionimin e gjykatës Kushtetuese, ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj ftoi deputetët të votojnë kandidaturat për dy vakancat e mbetura. Sa i përket debatit mes Këshillit të Emërimeve në Drejtësi dhe presidentit Ilir Meta, Gjonaj e konsideroi më shumë si një debat politik se sa ligjor.
“Tashmë me sistemin dhe formulën e re të zgjedhjes së anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, ulet ndjeshëm ndikimi politik në zgjedhjen e anëtarëve, si dhe garantohet merita profesionale dhe integriteti i kandidatëve të paraqitur pranë organeve të emërtesës si Kuvendi ashtu dhe Presidentit, nga një organ i parashikuar në Kushtetutë siç është Këshilli i emërimeve në drejtësi. Këshilli i emërimeve në Drejtësi ka kryer një proces të gjatë verifikimi dhe vlerësimi duke i paraqitur listën me kandidatët më të mirë sipas renditjes së pikëve, si Presidentit ashtu dhe Kuvendit. Për fat të keq, edhe ky proces ashtu si çdo proces tjetër të reformës në drejtësi po shndërrohet në një instrument për të luftuar reformën në drejtësi dhe për të penguar ngritjen e Gjykatës Kushtetuese. Por sot gjendemi në një debat publik, midis Presidentit dhe KED-së, i cili më shumë se sa debat ligjor dhe kushtetues është një debat politik”, tha Gjonaj.
“Presidenti i Republikës pasi plotësoji një ndër vakancat e shpallura si organ emërtese, duke zgjedhur mbi listën e KED-së dhe duke emëruar z. Besnik Muçi, për vakancën e dytë Presidenti nuk e ushtroi përgjegjësine e tij për të zgjedhur kandidaturën për në Gjykatë Kushtetuese. Por duke mbajtur në konsideratë problemet në të kaluarën ku debati midis presidentit dhe kuvendit për kandidaturat shtyheshin me muaj dhe vite nëse nuk kishte një kompromis, mekanizmi zhbllokues i parashikuar në kushtetutë dhe në ligj ishte zgjidhja më e mirë për të shmangur bllokimet e të kaluarës për zgjedhjen e anëtarëve”, nënvizoi Gjonaj.
Ministrja e Drejtësisë theksoi se Kushtetuta e ka thënë qartazi mënyrën e përzgjedhjes dhe afateve për anëtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe sipas saj askush duke përfshirë dhe Presidentin nuk mundet ta shkelë atë.
“Presidenti i Republikës ka gabuar me shkresën që i ka dërguar KED-së për të pezulluar afatin, duke paraqitur argumenta tërësisht antikushtetuese dhe të pabazuar në ligj mbi një afat kushtetues 30 ditor të panegociueshëm, por të detyrueshëm për zbatim nga të gjithë. Presidenti gjithashtu do gaboj rëndë nëse do të pasmarri ndonjë vendim tjetër të ndryshëm nga ajo çfarë ka vendosur kushtetuta lidhur me vakancën e dytë të gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese. Të gjithë ne, betimin për ushtrimin me përgjegjshmëri të detyrës sonë e kemi kryer me dorën mbi kushtetutë, dhe ky dokument themeltar duhet të respesktohet dhe zbatohet deri në fund të detyrës sonë me përgjegjshmëri maksimale.Askush nuk mund t’i ndalojë dhe t’i privojë një shteti dhe shtetasve të tij, pasjen funksionale të Gjykatës Kushtetuese dhe ne sot jemi në momentin më të rëndësishëm historik në ngritjen e Gjykatës Kushtetuese. Tashmë është radha e kuvendit të vendosë me shumicën e kërkuar nga Kushtetuta brenda këtij afati ligjor 30 ditor, përzgjedhjen e një prej anëtarëve nga lista e kandidatëve. Dhe me këto dy vendime të sotshme të Kuvendit, së bashku me znj.Vorpsi të emëruar automatikisht, numri i anëtarëve të Gjykatës kushtetuese arrin në 5 anëtarë, duke krijuar premisat për funksionimin e plotë të kësaj gjykate brenda pak javësh”, tha ndër të tjera Gjonaj.
Deputeti i opozitë së re Ralf Gjoni ka dalë kundër argumentit të presidentit Ilir Meta për zgjedhjen e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese. Gjoni tha se në kushtet ku ndodhet vendi, pa Gjykatë të Lartë, përzgjedhja e anëtarëve të Kushtetueses lë vend për interpretim.
"Shqipëria nuk ka Gjykatë Kushtetuese. Ka vend për interpretim se si duhet të procedojmë në mungesë të Gjykatës së Lartë e cila duhet të kishte zgjedhur anëtarin tjetër. Sot jemi përballë faktit që ligji ka pasur problematika të mëdha sepse nuk janë parashikuar disa gjëra kyçe, siç është vakumi institucional. Disa këtu janë mësuar që gjërat t'i bëjnë me një të rënë lapsi. Duhet të zbatojmë ligjin për Gjykatën Kushtetuese. Unë mendoj që për secilin kandidat që ne do zgjedhim duhet një listë me tre kandidatë", tha Gjoni.
Kreu i Komisionit të Ligjeve iu përgjigj deklaratave të presidentit Ilir Meta i cili është shprehur se radha për përzgjedhjen e anëtarit të Gjykatës Kushtetueses duhet të kalojë nga një për çdo institucion. Manja tha se Meta me këtë deklaratë provon se ka një qëllim dashakeqas, që synon bllokimin e kësaj gjykate.
"Gjykata Kushtetuese përbëhet nga 9 anëtarë. 1/3 i ripërtërihet mandati çdo tre vjet. Tre anëtarë i emëron presidenti, tre Kuvendi dhe tre Gjykata e Lartë. Nëse ata nuk e ushtrojnë këtë kompetencë, kandidati i renditur i pari në listën e KED zgjidhet automatikisht. Ligji thotë se në rast se presidenti brenda 30 ditëve që kur ka marrë këtë listë nuk e ushtron këtë të drejtë, kandidati i parë emërohet automatikisht. Presidenti ka marrë dy lista. Deri në datën 7 nëntor duhet të kishte emëruar dy anëtarë. Ka dekretuar Besnik Muçin ndërsa për anëtarin e dytë i ka dërguar një letër KED. Dekretimin do ta bëj sipas radhës, një presidenti, një kuvendi dhe një Gjykata e Lartë. Radhën e ka përcaktuar kushtetuta për të shmangur konlfiktin mes institucioneve por nuk përcakton se kush duhet të veprojë i pari. Radha është përcaktuar sepse ka pasur në konsideratë përtërijtjen normale të Kushtetueses. Por nuk jemi në kushte normale. Gjykata Kushtetuese mbeti vetëm me një anëtar. Arsyetimi i presidentit është dashakeq, sepse në këtë mënyrë synohet bllokimi i bërjes funksionale të Gjykatës Kushtetuese. Brenda datën 13 nëntor ka detyrimin të zgjedhë dy anëtarët e Gjykatës Kushtetuese. Kuvendi ka vullnetin e mirë për të bashkëpunuar me organet e tjera kushtetuese. Ftoj presidentin dhe KED që të zhbllokojmë Gjykatën kushtetuese", tha Manja.
Lidhur me akuzat e ngritura për procesin e emërimit të dy anëtarëe të rinj të Gjykatës Kushtetuese, kreu i Kuvendit Gramoz Ruçi u shpreh se ka thirrur Këshillin e Legjislacionit për të diksutuar mbi kushtetuetshmërinë e këtij procesi.
"Kam kërkuar që të thirret këshilli i legjislacionit mbi kushtetuetshmërisë. Në kuvend nuk mund të diksutohet rreth kandidaturave. Janë diskutuar kur kanë aplikuar, nga organi i emërtesës (KED). Kuvendi vetëm voton. Këshilli i legjislacionit do të diskutojë kushtetuetshmërinë", tha Ruçi.
Kryetarja e Grupit Parlamentar Demokrat Rudina Hajdari ka deklaruar se nuk duhet të cenohet integriteti i përzgjedhjes së anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, pasi ajo ka një rol vendimtar.
"Jemi para faktit të kryer. Opozita në Kuvend do të gjejë një gjuhë të përbashkët por të jo të shkelë ligjin. Duhet të trajtojmë këtë çështje. Duhet të gjejmë një dakordësi. Të gjitha palët të tregojnë vullnetin e duhur për ngritjen e Gjykatës Kushtetuese. Ka shumë të bëjë dhe është përcaktuese në lidhje me integritetin e saj. Nuk duhet të cenojmë integritetin e saj', tha Hajdari.
Deputeti i opozitës së re, Ralf Gjoni ka deklaruar se duhet një shpjegim mbi bazën e cilës procedurë zhvillohet debati për zgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.
"Sot jemi para përgjegjësisë për zgjedhjen e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese. Kushtetuta, e qartë për zëvendësimin e vakancave në Gjykatën Kushtetuese. Mbi bazën e cilës procedurë po zhvillohet debati sot? Në momentin e fundit njoftohemi se ka debat për mënyrën si do zgjidhen anëtarët. Përzgjedhja e kandidatëve duhet të bëhet strikte, siç parashikohet në Kushtetutë. Nuk mund të shkoni për votim pa qartësi proceduriale", tha Gjoni.