Një debat i ricikluar nga makineria ndërkombëtare sërish pushtoi opinionin kosovar, duke u bërë refreni më i përsëritur gjatë gjithë javës së kaluar. Sërish në këtë “poemë të marrëzisë” në substancë është komuniteti serb dhe akomodimi sa më i mirë i tyre në jetën institucionale e politike të Kosovës.

Diplomatët ndërkombëtarë të akredituar në Prishtinë, nuk e çelën gojën për të reaguar për zbulimin e një varrezë masive në Serbi, ku dyshohet se janë varrosur 400 civilë shqiptarë, ndërsa po angazhohen maksimalisht për t’ua siguruar komuniteteve pakicë, edhe 20 vende në Kuvendin e Kosovës. Madje ky rezervim nuk nënkupton vetëm nomenklaturën e ardhshme parlamentare që do të formohet pas zgjedhjeve të vitit 2014, por edhe atë pasuese në vitin 2018.

Sipas kësaj logjike, serbët e Kosovës dhe komunitete tjera, pa u djersitur hiç, do të jenë të pranishme në Kuvendin e Kosovës deri në vitin 2022. Prandaj me vendet e rezervuara dhe me vendet tjera që do t’i fitojnë në zgjedhje, serbët e Kosovës do të jenë forca e tretë më e rëndësishme në Kuvend.

Por, nuk është vetëm kaq.

E keqja më e madhe është se këta deputetë, të zgjedhur dhe të emëruar, do të jenë vetë sfida institucionale për çfarëdolloj ndryshimi që lidhet me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, sepse asnjë ndryshim nuk do të kalojë, nëse nuk ekziston shumica e shqiptarëve dhe shumica e komunitetit pakicë.

Ndërsa pyetja më e rëndomtë e secilit qytetar është se: a është demokratik rezervimi i vendeve në Kuvend. Natyrisht se këtë privilegj nuk e ka asnjë vend demokratik, madje as në shtetet e këtyre ndërkombëtarëve, të cilët në Kosovë po krijojnë standarde utopike.

Edhe pse, për disa vite pakicave u është garantuar pjesëmarrja në Kuvend, madje edhe me Pakon e Ahtisarit, sepse është konsideruar si kohë tranzite, ndërsa tashti imponimi për vende rezervë, është irracional, jodemokratik dhe jo i logjikshëm.
Në këtë “lëmë” politike, nuk ka mbetur asgjë sekret, se gjithë presioni po bëhet vetëm për serbët, sepse thënë troç, askush nuk e çan kokën për pakicat tjera.

Mirëpo partitë politike, veçanërisht liderët, duhet të jenë më fleksibilë dhe më të arsyeshëm që të mos pranojnë diçka që do të jetë e parikuperueshme për disa vite në vijim. Madje, lidershipi që po mban çdo javë mbledhje për reformën zgjedhore, nuk duhet ta shtrijë qafen sa herë që bëhet fjalë për komunitetin serb.

Deri tani janë bërë jo pak lëshime ndaj pakicës serbe. U pranua që ish-pjesëtarët e MUP-it që kanë sfiduar shtetin për disa vjet, të hyjnë në Polici, që komunat e veriut të kenë fond të veçantë, të kenë asociacion të vetin, e tash edhe vende rezervë...
Ky standard megjithatë, nuk po vlen për pakicat e tjera, askund në Ballkan e as në Evropë.

Vetëm disa kilometra prej ku janë të koncentruar serbët e Kosovës, jetojnë shqiptarët në Serbi, që jetojnë me më pak të drejta se sa shiitët në Afganistan por, për habi, asnjë zë nuk vjen nga Brukseli.

Madje më skandaloze është deklarata e baroneshës Catherine Ashton, e cila konsideron se Serbia i ka plotësuar të gjitha kushtet për të nisur negociatat e anëtarësimit në BE. Deklarata e saj është lidhur kryesisht me zgjedhjet në Kosovë. Mirëpo, Ashton harron se në Serbi jetojnë disa komunitete të cilëve me të dy çizmet e pasardhësve të Millosheviqit u shkelen të drejtat si në ish-regjimin e Aparteidit në Afrikën e Jugut.

Marrë nga "Zëri"