Taulant Balla ka denoncuar djegien e mbeturinave nga punonjësit e bashkisë Kavajë, teksa prej ditësh vendi përballet me zjarret. Kreu i grupit të Partisë Socialiste tregon përmes një videoje se mbetjet vijnë nga çdo anë dhe digjen te Mbikalimi i Spitalit në hyrje të qytetit.

Balla thotë se kjo rrezikon përhapjen e zjarreve në qytet e fusha bujqësore, teksa kërkon ndërhyrje nga IKMT dhe Policia e Shtetit.

“Ndërsa në disa zona të Shqipërisë vijon përballja me zjarret, çmenduria në Bashkinë Kavajë shkon deri aty sa vetë punonjësit e Bashkisë ndezin zjarre për të djegur mbetjet. Madje siç e ndiqni në këto pamje i sjellin mbetjet me mjete transporti nga çdo anë dhe i djegin në një nga hyrjet e qytetit (Mbikalimi i Spitalit). Jo vetëm që po ndotet mjedisi me tymin dhe ajrin e rëndë, nga gazrat që lëshohen, por kjo çmenduri rrezikon përhapjen e zjarreve në qytet dhe fushat bujqësore përreth. Është detyra e Policisë së Shtetit dhe IKMT të ndalin këtë çmenduri. Janë krime mjedisore dhe rrezik për zjarre”, shkruan Balla.