Ndërkohë që qeveria është përgjigjur në sitin e vet “Transparenca.al” duke i quajtur shifrat tërësisht spekulative dhe të pavërteta. “Duam të theksojmë se shifra e publikuar prej nesh nuk pasqyron kostot e një dikasteri të vetëm por përfshin koston totale vjetore për Këshillin e Ministrave dhe gjithë ministritë përgjatë një viti”, theksonte përgjigja në sitin qeveritar.
Shpenzimet, totali
Sipas sitit qeveritar, kjo vlerë nuk përfaqëson vetëm koston e servisimit të makinave, por vjen pas një analize të të gjithë shpenzimeve për mirëmbajtjen e makinave qeveritare, ku përfshihen: Vlera vjetore e mirëmbajtjes: Kostot e servisimit, pajisjeve, goma, sigurimit brenda dhe jashtë vendit, taksave, kolaudimit, lavazhit, etj; Vlera vjetore e amortizimit të mjeteve; Vlera vjetore e shpenzimeve administrative: kostot për gjithë hierarkinë që mbulon administrimin e mjeteve të transportit në secilën ministri dhe Kryeministri.
“Ritheksojmë se marrja me qira e mjeteve të transportit i kursen Shtetit Shqiptar jo vetëm në koston e mirëmbajtjes dhe menaxhimit por edhe nga shpenzimet që krijoheshin si pasojë e keqadministrimit, keqpërdorimit, konsumit të lartë të karburantit për shkak të vjetërsisë së makinave dhe kostove të larta administrative për bërjen e procedurave të veçanta të prokurimit për zëra të ndryshëm të këtij shërbimi për çdo ministri. Të gjitha këto janë të pamundura të pasqyrohen në shifrat e një zëri të marrë nga drejtoria e thesarit” thuhet në “Transparenca.al”.
2 milionë euro
Ndërkohë që sipas deputetes me tenderin për marrjen me qira të makinave qeveritare do të shpenzohen 2 milionë euro për 44 makina, të cilësuara si mjete luksoze. Sipas sqarimeve të “Transparenca.al”, në shërbim të Këshillit të Ministrave janë në dispozicion 22 autovetura, kostoja e mirëmbajtjes së të cilave është 636,392 Euro në vit, ose 2,545,571 Euro për një periudhë katër vjeçare, duke përllogaritur këtu edhe vlerën e amortizimit të automjeteve. Marrja me qira (leasing) e një numri të njëjtë makinash, kushton 494,520 Euro në vit, ose 1,978,080 Euro për një periudhe katër vjeçare.
Shteti shqiptar kursen 141,872 Euro në vit, ose 567,491 Euro për një periudhë katër vjeçare dhe në të njëjtën kohë automjetet në dispozicion janë të reja, më të sigurta, ndotin më pak mjedisin dhe duke pasur një efiçencë më të lartë në konsum, kursejnë rreth 30% më shumë edhe në kostot e karburantit.
Për më tepër, në raste defektesh, automjeti zëvendësohet menjëherë dhe kostot e riparimit apo zëvendësimit për shtetin shqiptar është zero. “Shtetit shqiptar do t’i kushtonte plotë 3,497,142 Euro blerja dhe mirëmbajtja për një periudhë katër vjeçare e 22 automjeteve të nevojshme për Kabinetin Qeveritar. Dukshëm, përmes marrjes me qira (leasing), kursehen plotë 379,765 Euro në vit, ose 1,519,062 Euro për një periudhë katër vjeçare”, bënte me dije siti qeveritar.
Analiza
Analiza financiare e për kostot e mjeteve, sipas qeverisë, ka ardhur pas punës disa mujore të një grupi ekspertësh të disa ministrive, ku janë shqyrtuar shpenzimet e mirëmbajtjes dhe menaxhimit te shërbimit të transportit për gjithë kabinetin qeveritar për periudhën 2010-2013. “Për të nxjerrë koston që makinat qeveritare i kushtojnë buxhetit të shtetit në një vit, shifrat e analizuara janë certifikuar nga ky grup përmes një kontrolli të imtësishëm në çdo njësi shpenzuese te ministrive dhe Kryeministrisë ku këto mjete transporti përdoren” theksohet në sitin qeveritar.
Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)