TIRANE- Sekretari i përgjithshëm i shoqatës “Pronësi me Drejtësi” Agim Toro në një intervistë të dhënë për Shqiptarja.com shprehet se Gjykata e Strasburgut nuk do të pranojë çmimet e reja të vlerësimit të tokës për efekt të kompensimit. Sipas tij, me një vendim të marrë tre ditë më parë, Gjykata Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut u ka dhënë të drejtën ish pronarëve të cilët janë shprehur kundër uljes së vlerës së tokës në vitin 2014. Ndaj Toro shprehet se dhe ligji i ri nuk do të respektohet. “Gjykata e të Drejtave të Njeriut në Strasburg dha vendimin më të fundit në favor të pronarëve kundër qeverisë shqiptare. Në kapitullin vlerësimi i Gjykatës janë shprehur qartazi konkluzionet lidhur me situatën në Shqipëri si dhe godet shumë fort parimet keqdashëse të projekt-ligjit që po miratohet në Kuvend kundër pronarëve”, shprehet Toro. Sipas tij, duhet që drafti i paraqitur prej qeverisë të rishikohet dhe në themel të tij të vendoset kthimi fizik i pronës.
/Shqiptarja.com










