Ish-kryemunari i PD në Bërzhitë, Genc Drita i cili është dënuar për akuzën e korrupsionit, ka përfituar 90 ditë ulje dënimi. Vendimi është marrë nga gjykata e Tiranës, e cila pasi ka konstatuar se Drita ka sjellje të mirë dhe korekte në burg, ka pranuar kërkesën e tij për ulje dënimi.

Sipas argumentimit të gjykatës kjo tregon se i dënuari po bën përpjekje për riintegrimin e tij në shoqëri, ç’ka është dhe një nga qëllimet esenciale të një dënimi penal. Në këto kushte, gjykata bindet se kërkesa e tij duhet pranuar, si e bazuar në ligj e në prova, duke çmuar që ulja e dënimit të jetë prej 90 ditësh.

Genc Drita vuan dënimin pranë burgut të Vaqarrit në Tiranëe, në sigurinë e zakonshme.

Ai është dënuar në 21 korrik 2015 nga Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda në Tiranë ,i cili ka marrë formë të prerë. Referuar dinamikës së vuajtjes së dënimit të datës 08.02.2017, rezulton se i denuari ka vuajtur 2 vjet e 5 muaj dhe 25 ditë burgim, duke i mbetur për të vuajtur edhe 2 vjet,10 muaj dhe 5 ditë burgim nga dënimi i dhënë.

Në gjykim, nga aktet e dosjes rezultoi se i dënuari pretendon se gjatë gjithë periudhës së dënimit,ai ka qënë i rregullt në sjelljen e tij dhe ka respektuar rregulloren, e për sa më sipër kërkon që të shpërblehet nga vuajtja e dënimit me 90 ditë ulje.

Nga karakteristika rezultoi që ky i dënuar ka një sjellje shumë të mirë e shembullore, zbaton rregulloren me përpikmëri dhe merr pjesë në veprimtaritë që zhvillohen në institucion. Ai nuk është ndëshkuar me masë disiplinore.

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com