Zyrtarisht vendimi nga Konsorciumi “Shah Deniz 2” i Azerbajxhanit për projektin e gazsjellësit TAP (Trans Adriatic Pipeline), një degëzim i të cilit kalon nga Shqipëria, pritet të merret nesër.
Nga ky projekt, Shqipëria ka përfitime direkte dhe indirekte. Investimi, vetëm në fazën e parë arrin në 1 miliard euro, ndërsa numri i të punësuarve arrin në 20 mijë.
Përveç përfitimeve të mëdha në fazën e ndërtimit, projekti pritet të ndikojë rrënjësisht në zhvillimin ekonomik të vendit, pasi garanton, jo vetëm të ardhura të kosiderueshme në buxhetin e shtetit, por edhe një alternativë energjetike, më ekonomike për qytetarët.
GJEOPOLITIKA
Ndërtimi i këtij objekti ndikon pozitivisht edhe në marrëdhëniet ndërshtetërore rajonale. Sipas Athinës zyrtare, edhe Greqia me gazjellësin TAP bëhet një pjesë e rëndësishme në hartën energjetike.
Në këtë periudhë krize, ndërtimi i tij do të sjellë nga 2.000 deri në 10.000 vende pune dhe më shumë se 35 miliardë euro do të jenë përfitimet makro-ekonomike për të e rreth 1.2 miliardë euro do të jenë të ardhurat nga fillimi i menjëhershëm i punimeve, prej të cilave 320 milionë euro do të shkojnë direkt në rritjen e Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Sipas ekspertëve të marrëdhënieve ndërkombëtare ky gazsjellës do t’u japë një hov të ri marrëdhënieve me Shqipërinë, duke përmirësuar klimën ekzistuese dhe do të sjellë një frymë të re në prekjen e çështjeve të pazgjidhura mes dy vendeve.
(Në foto: Gjurma e kalimit të gazsjellësit Trans Adriatic Pipeline "TAP" në territorin shqiptar)
TREGJET
Gjurma e TAP-it, jo vetëm siguron furnizim për tregjet më të cenueshme në Europën Juglindore, por ofron shanse për furnizimin e tregjeve madhore të gazit në pjesën tjetër të Europës me burime të reja.
Pikërisht për këtë, Bashkimi Evropian ka deklaruar neutralitetin midis TAP-it dhe projekteve rivale, sepse të dy palët do të përmbushnin këto ambicie strategjike.
Kjo u nënvizua edhe nga Komisioneri i Energjisë me rastin e nënshkrimit të IGA-së në shkurt 2013: “Ky gazsjellës është thelbësor për lidhjen e tregjeve të gazit të Italisë e Greqisë dhe për të sjellë gaz në Shqipëri e mbase edhe te fqinjë të tjerë të Komunitetit të Energjisë.
Ai mund të jetë një nga përbërësit e parë të Korridorit Jugor të Gazit, që synon të lidhë Bashkimin Europian direkt me burimet e pasura të rajonit të Kaspikut”.
RËNDËSIA
Hyrja e gazit në ekonominë shqiptare konsiderohet si një sukses i jashtëzakonshëm, që hap një kapitull të ri për ekonominë dhe familjet shqiptare. Pas punimeve të rrjetit shpërndarës, që do të kërkojnë vite, vendit do t’i shtohet një burim i ri energjie, përveç naftës apo energjisë ujore.
Ai është gazi natyror, që, përmes tubacioneve të nëndheshme, mund të hyjë në çdo shtëpi e mund të furnizojë linjat teknologjike të biznesit, duke sjellë një energji të lirë dhe që ndot minimalisht mjedisin.
Fillimisht, ishte parashikuar që kompania, e cila do të privatizonte Albpetrolin, do të përfitonte edhe të drejtën për shpërndarje të gazit me shumicë e pakicë. Por, anulimi zyrtarisht i këtij privatizimi e sjell procesin në fazën fillestare.
Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 27.06.2013
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)