Vendimi: Policët me rezultate të
larta, në fundvit 2 paga shpërblim

Të gjithë policët që kanë arritur rezultate të larta në krye të detyrës do të shpërblehen deri në 2 paga mujore. Këshilli i Ministrave ka miratuar një fond prej 98 milionë lekë të reja, i cili do të përdoret për shpërblimin e policëve.  “Lejimin e Policisë së Shtetit për përdorimin nga fondi i pagave, të planifikuar për vitin 2015, në programin buxhetor “Policia e Shtetit”, për shpërblimin e punonjësve të Policisë së Shtetit, që kanë arritur rezultate të larta në kryerjen e detyrës. Masa e shpërblimit të jetë deri në 2 paga mujore”, - thuhet në vendimin e Këshillit të Ministrave të miratuar në mbledhjen e së mërkurës.
 
Propozimi për shpërblimin e policëve është bërë nga Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri. Dy pagat shpërblim për policët do të jepen gjatë muajit dhjetor, pasi të hartohet edhe lista e përfituesve.
 
Vendimi i plotë i qeverisë:
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 143, të ligjit nr.108/2014, “Për Policinë e Shtetit”, dhe të ligjit nr.160/2014, “Për buxhetin e vitit 2015”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave 
V E N D O S I:
1. Lejimin e Policisë së Shtetit për përdorimin e fondit prej 98 400 000 (nëntëdhjetë e tetë milionë e katërqind mijë) lekësh, nga fondi i pagave, të planifikuar për vitin 2015, në programin buxhetor “Policia e Shtetit”, për shpërblimin e punonjësve të Policisë së Shtetit, që kanë arritur rezultate të larta në kryerjen e detyrës. 
2. Masa e shpërblimit të jetë deri në 2 paga mujore.
3. Ngarkohen Ministria e Punëve të Brendshme dhe Ministria e Financave për zbatimin e këtij vendimi.
 Ky vendim hyn në fuqi menjëherë. 

Diskutimi 
Diskutimi rreth shpërblimit të punonjësve të Policisë së Shtetit është bërë tre ditë më parë në Komisionin e Sigurisë, ku zëvendësministri i Ministrisë së Brendshme, Ilir Mustafaraj, diskutoi mbi projektbuxhetin e vitit 2016. Zëvendësministri  deklaroi se vetëm gjatë këtij viti uniformat blu kanë marrë rreth 220 milionë lekë për orët suplementare. “Vetëm gjatë këtij viti Policia e Shtetit është shpërblyer me një fond rreth 220 milionë lekësh për orët suplementare. Ky fond është parashikuar edhe për vitin 2016 për t’u përdorur, por, siç jeni në dijeni dhe ju, kjo është variabël. Përveç këtyre do të marrin edhe shpërblimin për fundvit, është parashikuar”, ka sqaruar në Komisionin e Sigurisë numri dy i Ministrisë së Brendshme.

Vitin e ardhshëm rriten pagat për Gardën e Republikës 
Të gjithë punonjësit e Gardës së Republikës, duke filluar nga viti që vjen, do të kenë rritje të pagave. Komisioni i Sigurisë miratoi tre ditë më parë ndryshimin në buxhetin 2016 për Ministrinë e Brendshme, i cili kërkoi një shtim në buxhet prej 143 milionë lekësh, para që do shkojnë për paga dhe sigurime shoqërore e shëndetësore për gardistët. Kërkesa për rritje pagash për gardistët u bë nga vetë Komisioni i Sigurisë, gjatë diskutimit në parim të buxhetit, ndërsa Ministria e Brendshme erdhi me një propozim konkret.

Redaksia online
(u.s/shqiptarja.com)
 
 
 
 

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 16 Janar, 08:35

    Dhëndri i Trump investitor strategjik për resort në Sazan, si iu duket?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi/ Nëse votohet sot, PS merr më shumë se 50% të votave, mazhoranca më e pëlqyer në emigracion

Sondazhi/ Nëse votohet sot, PS merr më shumë se 50% të votave, mazhoranca më e pëlqyer në emigracion