Zgjedhjet vendore të mbajtura vetëm pak ditë më parë, u panë si mundësia e vetme e zgjidhjes së krizës politike brenda PD-së, e cila vendosi të kandidonte e ndarë dhe e përçarë.
Por humbja e thellë në zgjedhje duket se nuk ka qenë një arsye për t’i bashkuar demokratët por për t’i thelluar edhe më shumë ndarjen e një partie që sipas Dritan Shanos, njërit prej themeluesve të parë të PD-së ka humbur përkufizimin, emrin dhe identitetin e saj.
I ftuar në ‘Studio Live' me gazetarin Arbër Hitaj, Dritan Shano, ish themelues i PD-së u shpreh se zgjedhjet ishin një tregues real i nivelit të pakënaqësisë së Shqiptarëve ndaj opozitës së përçarë dhe pa idealet për të cilat është krijuar.
Në fjalën e tij, Shano theksoi se humbja në Shkodër ishte goditja më e madhe e PD-së, e cila e ka marrë historikisht si të mirëqenë këtë qytet duke qenë se shquhet si një nga kështjellat e së djathtës.Ai tha se rezultati i Shkodrës ishte spektakolar dhe real, duke hedhur poshtë kështu teoritë e dyshes Berisha-Meta se në Shkodër janë blerë dhe janë manipuluar votat dhe vullneti i qytetarëve.
“Shkodra ka hedhur nga kalaja e Rozafës flamurin që ka mbajtur mbi shpinë prej 33 vitesh, një flamur me të cilin nuk identifikohej më në këto zgjedhje”, u shprehet Shano.
E teksa foli rreth gjendjes aktuale të mjerueshme sipas tij brenda PD-së, Shano tha se kjo parti ka arritur në pikën që nuk mund të identifikohet më si forcë opozitare sepse edhe njëherë populli dhe kryesisht demokratët i treguan se nuk mund të bëhen palë me ta dhe nuk mund të përfaqësohen nga ky grupim i përçarë njerëzish.
Shqiptarët nuk kanë më nevojë për PD-në theksoi Shano.
Më tutje Shano u pyet se si e shikonte të ardhmen e Partisë Demokratike për të cilën nuk hezitoi ta quante një grumbullim të kopjeve dhe imitimeve të Berishës.
“ Nuk mendoj se shqiptarët duhet të ushqehen me këtë lloj metode politike, me këtë lloj evidence e provash politike dhe sidomos me ketë propozim njerëzor, me këta njerëz të cilët kanë pirë ujë në të njëjtën enë me Berishën, janë krijesa të Berishës.
Të gjithë të tjerët kanë ekzistuar në politikë dhe sot janë deputetë apo në poste të tjera për shkak se kanë plotësuar kritere specifike pëlqyeshmërie nga Berisha, këto kritere kanë të bëjnë me sa fort dhe sa mire këta persona imitojnë ose e përsërisin Berishën dhe sa i rrezikshëm je ose jo për Berishën. Gjithë elita politika e PD-së është ndërtuar në këto persona pavarësisht nëse ka njerëz që flasin kundër Berishës , është një format politik i cili nuk mund të jetë në të ardhmen propozim alternativ për shqiptarët”, tha Shano.
BRAVO..ME NE FUND NJE DEMOKRAT I NDERSHEM
Përgjigju