Komisioni i Venecias ka vlerësuar pozitivisht ligjin e ri për Trajtimin e Pronës. 

Lajmin e ka dhënë ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, përmes një statusi në rrjetin social Tëitter. Manjani thotë se argumentet për ligjin janë të plota. 
Sipas tij, pas marrjes së "Ok"-it nga Komisioni i Venecias, do të vijojë zbatimi i ligjit. 

"Komisioni i Venecias dha vlerësim 100% pozitiv për ligjin e Pronave. Argumentat janë të plota dhe shterruese! Vazhdojmë zbatimin e ligjit!", shkruan Manjani në Tëitter. 

Ligji "Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave"  u miratua një vit më parë. Ligji u kontestua nga Shoqata e Pronarëve, ndërsa Presidenti Bujar Nishani ktheu dekretin për rishqyrtim në Kuvend. 

Ndërkohë, ligji i pronave u ankimua edhe në Gjykatën Kushtetuese nga 8 subjekte përfshirë dhe Presidentin Nishani, Partinë Demokratike dhe Shoqatën e Pronarëve, duke pretenduar se ligji cënonte të drejtat dhe sigurinë e pronarëve. Kushtetuesja rrëzoi kërkesën për pezullimin e menjëhershëm të efekteve të ligjit, ndwrsa iu drejtua Komisionit të Venecias për opinion përpara se të jepte verdiktin përundimtar.

8 subjektet që kërkuan antikushtetueshmërinë e ligjit thanë se ai shkel rëndë të drejtat e pronarëve. Akuzat e tyre u përqëndruan kryesisht te fomula e kompensimit, e cila parashikon llogaritjen e çmimit të tokës me vlerën që ka pasur në vitin 1945. Një pikë tjetër e akuzave ka të bëjë me faktin se në ligjin e ri është hequr koncepti i kthimit të pronave, në rastin ku ato janë të lira. Sipas tyre, formula e propozuar nga Qeveria u kthen pronarëve vetëm një pjesë shumë të vogël të vlerës së pronës duke cënuar parimin e sigurisë juridike dhe të drejtat e garantuara me ligj.