Në kalendarin biografik të Kadaresë 28 janari na kujton ditën e lindjes së një fëmije në Gjirokastër, 55 vjet më parë. Për të do të qe kuptimplotë vargu i Virgjilit “Incipe parve pauer” (“Djalë i vogël fillo”). 

Ky djalë me një talent të pazakontë do të dilte nga rroba e ngurtë e Qytetit të Jugut, për të fituar përmasat e një Guliveri të letërsisë moderne shqiptare, i guximshëm, sfidues, i shqetësuar, gjithmonë përtëritës.

Liliputët vërtiten, shajnë, pështyjnë, shpallin se Guliveri nuk ekziston, se përmasat e tij janë të kundërta, se përkundrazi mediokriteti është vlera supreme e botës etj. Ky duel, ndonëse grotesk, sot është bërë i dukshëm dhe në faqet e shtypit të politizuar të “jellow press”-it.

Kështu, ekzili i Kadaresë në Francë (tetor 1990) është cilësuar si vërtetim i një “sllavofilie” fantaziste, kurse autori i këtyre radhëve, ngaqë shkroi e botoi një esse për Kadarenë, u anatemua si “agjent sllav”!?.

Duhet të mos habitemi. Por duhet të mësojmë për të analizuar saktësisht.
Jam i bindur: në asfaltet e Shanz Elizesë e në Motparnas të Parisit Kadareja pengohet papushim.
Janë gurët e kalldrëmeve të Gjirokastrës, që dalin për një çast nga thellësitë e rrugëve e zhduken përsëri.
Janë gurët e origjinës.
Litografia e imagjinatës.
***
Arti i fjalës shqipe. 

Në fillim qe gjuha e artikulluar. Domethënë e njerizuar. Pastaj arti i saj monumental. I paasgjësueshëm. I gjallë, sepse populli që e ka krijuar është përjetësisht i gjallë.
Arti i fjalës shqipe, i përpunuar në mënyrë më speciale në laboratorët e shkrimtarëve emblematikë të shqipes, të cilët përbëjnë shtyllat mbajtëse të Panteonit të letërsisë sonë kombëtare.

Buzuku si demiurgu i parë i shqipes së shkruar tregoi mundësitë e pakufishme të gjuhës sonë të stërlashtë, për të krijuar monumentet letrare. Qe Fillimi i Fillimeve!
Pa, dyshim, që Barleti qe i pari shkrimtar shqiptar i shprehjes universale latine i dimensionit botëror. 
Kryeveprat e tij u përkthyen në të gjitha gjuhët evropiane, duke krijuar kështu ekuivalentët gjuhësorë për të transmetuar, për të konvertuar shpirtin dhe aspiratat e popullit tonë në kulturën e komunitetit të popujve.

Shkrimtarë të tjerë si Pjetër Bogdani, Frang Bardhi, De Rada, Naim Frashëri, Serembe, Faik Konica, Ndre Mjedja, Gjergj Fishta, Fan Noli, Lasgush Poradeci dhe sidomos Migjeni i madh do ta lartësonin, do ta dritësonin në mënyrë të mrekullueshme Fjalën Shqipe.

Por në mesin e shekullit të 20'të shkrimtari, i cili do të arrinte kuota sipërore qe Ismail Kadareja. Një moshë njeriu e mbushur me një krijimtari të klasit të parë. Talent i rrallë, stilist i shkëlqyer, që ka pasuruar jo vetëm pluralitetin e stileve të letërsisë shqipe, por edhe të asaj ballkanike e europiane.
Ai ka synuar të konstruktojë si pakkush universin shpirtëror të homo albanicus.

Është fjala për botën gjenuine shqiptare të shekujve, të qëndresës së saj të pashembullt për të mbijetuar.
Kjo është kryetema e krijimtarisë kadarejane. Kjo krijimtari rrezaton fuqi emancipuese për kombin shqiptar. Për tërë shqiptarët në botë. 
Ajo më shumë se kurrë përfaqëson mrekullinë e artit të fjalës si simbol i madh uniteti.

Emancipimi i veprës së Kadaresë synon emancipimin për motivet kryesore të jetës shqiptare. Emancipim i pamohueshëm. Veprues dhe i gjithëgjendshëm.
Vepra e Kadaresë është frymëzuar nga historia dhe mitet e kombit. 
Ajo synon të jetë vetë një lloj miti artistik, forca e të cilit hap horizonte, ndërgjegjëson, frymëzon. 

Njeriu i emancipuar shqiptar, njeriu bashkëkohor dhe ai i së ardhmes do të mësojnë te kjo vepër dhe mesazhet e kombit.
Objektivisht krijimtaria e Kadaresë është e lidhur me epokën e Shqipërisë që nis mbas vitit 1944. Është e lidhur me eshtrat, nervat, muskujt dhe gjakun e Atdheut të tij.

Vetëm në këtë mënyrë ajo ka siguruar identitetin. Vetëm në këtë mënyrë ajo ka mundur që të bëhet universale.Sot vepra e këtij shkrimtari shqiptar është ndërkombëtarizuar. Përkthimet në gjuhë të huaja janë ekuivalenca të domosdoshme. Por më e rëndësishme në këtë konvertim kulturor ndërkombëtar janë arti kadarejan, idetë dhe mesazhet tronditëse dhe të mëdha që ai shpërndan.

Fjala shqipe e Kadaresë do të luaj rolin e saj te brezat.Dhe brezat do dinë ta vlerësojnë përherë atë.
 
Marrë nga libri “Paradokset e demokracisë”