Veshje, armë dhe relike që i përkasin jetës dhe aktivitetit patriotik të atdhetarit Çerçiz Topulli janë ekspozuar në Muzeun e Kalasë së Gjirokastrës.
Veshja origjinale me tipare karakteristike të zonës, brezi, si dhe modelet e armëve që ka përdorur gjatë betejave për lirinë dhe Pavarësinë e Shqipërisë, u ekpozuan në këtë muze, në 90 vjetorin e kthimit të eshtrave të Cerciz Topullit në vendlindje, teksa më 15 Shtator 1936 eshtrat e tij u sollën nga Shkodra për t’u prehur në Gjirokastër.
"Këtë 90 vjetor menduam ta kujtojmë duke vendosur në muze veshjen e tij. Ishte brezi ku ai vendoste fishekët dhe armët e lehta. Kemi edhe armët që përdorte heroi. Kështu e sjellim të plotë identitetin e tij“, tha mes të tjerash ciceronja Alida Mati.
Këto relike, tërhoqën sytë e dhjetëra vizitorëve shqiptarë e të huaj, të cilët gjithashtu kuriozitet shfaqin edhe për të dhënat historike e aktivitetin e heroit kombëtar.
Por në sy, ra edhe manekini në të cilin ekspozohet veshja, me një portret aspak dinjitoz për një figurë kaq të rëndësishme jo vetëm për qytetin por edhe për të gjithë historinë e pavarësisë së vendit tonë, që ka ngjallur edhe polemika në rrjet.
“Tallje me Heroin Kombëtar Çerçiz Topulli një tallje që nuk është par asnjëherë ja bërën Skënderbeut të madhe ja bërën Adem Jasharit tani Çerçiz Topullit fajn e ka Bashkia Gjirokastër”, shkroi një faqe në rrjetet sociale.
“Hiqeni këtë dordolec! Në Muzeun e Kalasë së Gjirokastrës janë ekspozuar veshjet dhe armët e Heroit të Popullit, Çerçiz Topulli. Por manekini, të cilit i kanë veshur rrobat që mbante heroi, ka tërhequr vëmendjen për shkak se kuratorët janë përpjekur t’i japin pamjen e një shtatoreje bashkë me imazhin që i ngjan disi heroit.
Në fakt, nuk kanë krijuar as një shtatore dhe as thjesht një manekin, por një “personazh” qesharak, që mban veshjen, dylbitë dhe pushkën e heroit. Në vend të këtij dordoleci, mund të ishin mjaftuar edhe thjesht me një trup, pa kokë, pasi qëllimi ka qenë ekspozimi i veshjeve dhe armëve, dhe jo ndërtimi i një shtatoreje të heroit”, shkroi Mentor Kikia.
Çerçiz Topulli ishte një revolucionar, veprimtar i Rilindjes Kombëtare Shqiptare dhe Hero i Popullit. I lindur në Gjirokastër, ai u bë një nga udhëheqësit më me ndikim të çetave të armatosura që luftuan për autonominë dhe pavarësinë e Shqipërisë kundër Perandorisë Osmane dhe forcave të tjera të huaja. Ai drejtoi një prej çetave patriotike të rëndësishme në jug të vendit e cila përmendet në histori për betejën e Mashkullorës, në 18 Mars 1908. Në kujtim të tij në qendër të zonës historike të Gjirokastrës ngrihet një monument ndërsa sheshi mban emrin “Çerçiz Topulli”.










Komente
Komento