Misionet e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian në Tiranë, OPDAT dhe EURALIUS, me anë të një pike në ligjin e Vetingut, përjashtuan në bllok 800 gjyqtarë dhe prokurorë, për të aplikuar për të shërbyer në institucionet e Vetingut, konkretisht në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit dhe Kolegjin e Posaçëm të Apelimit.
Në nenin 6 të ligjit të Vetingut, ku parashikohen kriteret e zgjedhjes së anëtarëve të institucioneve të rivlerësimit, u përfshi edhe një pikë, për të shmangur konfliktin e interesin, gjatë procesit të Vetingut.
Pika ‘ë’ e nenit 6 parashikon një kusht, sipas të cilit, anëtarët e organeve të Vetingut, nuk duhet të kenë qenë gjyqtar, prokuror, këshilltar ligjor ose ndihmës ligjor gjatë dy viteve të fundit përpara kandidimit.
Mjaftoi kjo pikë ndaluese që asnjë nga njerëzit e drejtësisë aktuale të mos aplikonin për 27 vendet në organet e Vetingut. Ky parashikim, në një moment, rrezikoi dështimin e procesit, pasi kur kishin mbetur edhe dy ditë nga përfundimi i afatit, vetëm 17 kandidatë shprehën interesin për të shërbyer në institucionet e Vetingut.
Numri i pakët i aplikantëve vuri menjëherë në lëvizjet përfaqësitë diplomatike në Tiranë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, të cilat u bënë thirrje shqiptarëve patriotë dhe të kualifikuar të aplikonin. Pas thirrjeve të përsëritura, natën e përfundimit të afatit, numri i aplikantëve shkoi në 191.
Ligji për Vetingut parashikon kritere shumë të forta për kandidatët, të cilët do të miratohen nga Parlamenti për anëtar të organeve të rivlerësimit. Ligji parashikon dy grupe kriteresh, të përgjithshme dhe të veçanta. Në grupin e kritereve të përgjithshme, kandidatët duhet të kenë përvojë pune jo më pak se 15 vjet si gjyqtar, prokuror, avokat, profesor i së drejtës apo nëpunës i shërbimit civil në nivel drejtues.
Nuk duhet të ketë qenë bashkëpunëtor i ish-Sigurimit të Shtetit, ndaj tij të mos ketë nisur një hetim penal, nuk duhet të ketë qenë anëtar i Grupit të Ekspertëve të Nivelit të Lartë, nuk duhet të ketë ushtruar funksione politike gjatë 10 viteve të fundit etj. Sa i takon kritereve të veçanta, kandidati do të vlerësohet nëse ka titujt shkencorë, për vjetërsinë në profesion, ka notën mesatare jo më pak se 8 etj.
Kriteret e zgjedhjes së anëtarëve të institucioneve të rivlerësimit
a) Ka përfunduar ciklin e dytë të studimeve universitare për drejtësi.
b) Të ketë përvojë pune jo më pak se 15 vjet si gjyqtar, prokuror, avokat, profesor i së
drejtës, nëpunës i shërbimit civil në nivel drejtues.
c) Të ketë marrë një vlerësim të lartë për aftësitë e tij profesionale.
ç) Nuk ka ushtruar funksione politike gjatë 10 viteve të fundit.
d) Ndaj tij të mos ketë nisur një hetim penal.
dh) Ndaj tij të mos jetë marrë masa disiplinore e largimit nga puna.
e) Nuk ka qenë anëtar, bashkëpunëtor ose i favorizuar nga ish-Sigurimi i Shtetit
ë) Nuk ka qenë gjyqtar dhe prokuror gjatë dy viteve të fundit.
f) Nuk ka qenë anëtar i Grupit të Ekspertëve të Nivelit të Lartë.
g) Nuk është më shumë se 65 vjeç.
gj) Zotëron shumë mirë gjuhën angleze.
Kriteret që vlerësohen
a) Titujt shkencorë në fushën e së drejtës.
b) Përvojë të veçantë të kandidatit në sfera të caktuara të së drejtës.
c) Vjetërsinë në profesion.
ç) Përvojën studimore dhe profesionale jashtë shtetit shqiptar;
d) Notën mesatare jo më pak se 8.
Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com