Milani është në kërkim të trajnerit, drejtorit sportiv, atij teknik dhe administratorit të përgjithshëm, pasi dështimi për të marrë pjesë në Champions League solli shkarkimin e Massimiliano Allegrit, Igli Tares, Geoffrey Moncada dhe Giorgio Furlanit.

Mediet në Itali bëjnë me dije edhe përplasjet mes drejuesve për emrat e afruar në merkato, si edhe punën 'pas krahëve' të administratorit Giorgio Furlanit kundër Tares dhe Allegrit.

'Krisja' përfundimtare mes Tares dhe Furlanit duket se ka nisur me transferimin e Samuele Riccit, një lëvizje e kryer krejtësisht nga Furlani pa marrë më parë miratimin e Tares dhe trajnerit Allegri. Ky operacion u favorizua dukshëm nga raportet e ngushta, pasi agjenti i lojtarit, Busardo, njihet si mik i afërt me ish-administratorit kuqezi.

Distanca mes palëve u thellua akoma më tej në zgjedhjen e lojtarëve për mesfushën, ku Furlani vendosi veton kundër afrimit të Granit Xhakës, i cili ishte përzgjedhja kryesore e Tares. Në vend të tij, Busardo mori një mandat të ri direkt nga Furlani për të nisur bisedimet për Hojlund, duke përgatitur paralelisht edhe planin rezervë që mbante emrin e Harder.

Furlani bllokoi përfundimisht negociatat e nisura nga Tare për transferimin e Dusan Vlahovic, duke përdorur si argument arsyet financiare dhe balancat e rrepta të buxhetit.

Ky bllokim e la klubin të zbuluar në ditët e fundit të merkatos, çka e detyroi administratorin të futej në një situatë paniku. Për të shpëtuar imazhin, Furlani shpenzoi plot 35 milionë euro për Nkunku në momentet e fundit të afatit kalimtar, duke shfrytëzuar marrëdhëniet e tij të shkëlqyera me drejtuesit e Chelseat.

Kjo strategji e personalizuar e Furlanit u konfirmua edhe me bllokimin e shitjes së Gimenez, të cilin ai vetë e kishte blerë për 31 milionë euro në merkaton e dimrit të vitit 2025. Ky refuzim erdhi si një lëvizje thjesht politike brenda klubit, me qëllim që Furlani të mos humbiste besueshmërinë dhe peshën e tij në sytë e pronarit të Milanit, Gerry Cardinale.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:09
Intrigat te Milani, vetëm Igli Tare festoi për golin! Të tjerët u bezdisën se po prisheshin planet

1779880213_iglitare.jpg

Goli i shpejtë i Saelemaekers, kualifikimi në Champions League një hap larg dhe një reagim në tribuna që flet më shumë se një mijë fjalë. Ajo që ndodhi në “San Siro” gjatë ndeshjes së fundit të kampionatit Milan 1-2 Cagliari hap “kutinë e Pandorës” në shtëpinë kuqezi dhe zbulon se krisja totale mes pronarëve dhe ish-drejtuesve sportivë i ka rrënjët larg.

Detajet dhe prapaskenat i zbulon Monica Colombo në faqet e “Corriere della Sera”. Aty bëhet me dije se suksesi i mundshëm në fushë i skuadrës së Allegrit do t’i komplikonte planet e skicuara në tavolinë nga pronarët e klubit.

Në momentin e golit të avantazhit nga Alexis Saelemaekers, teksa stadiumi shpërthente nga gëzimi, në tribunën ku ishin ulur drejtuesit e klubit kuqezi pati një spektakël më vete. Vetëm Igli Tare u ngrit në këmbë dhe festoi. Të tjerët nuk lëvizën fare, madje u dukën të bezdisur nga rrjedha që mori ndeshja.

Objektivi për Europën që vlen iu kërkua qartësisht në fillim të sezonit trajnerit Allegri dhe drejtorit sportiv Tare. Nëse do të arrihej, largimi i tyre nga Milani do të bëhej praktikisht i pamundur.

Pas këtij “akulli” të drejtuesve është figura e Zllatan Ibrahimovic, këshilltari i pronarëve të RedBird. Raportet e tij me trajnerin dhe drejtorin sportiv nuk kanë qenë të mira. Krisja me Allegrin, gjithmonë sipas “Corriere”, ka nisur kohë më parë në një restorant në Milano.

Ajo që duhej të ishte një darkë e qetë u shndërrua në një debat të ndezur, që lindi për një preteks banal, zgjedhja e portierit të tretë për sezonin pasardhës, në praninë e administratorit Giorgio Furlani dhe Igli Tares. Tensioni shkoi deri në atë pikë sa Tares iu desh të ndërhynte fizikisht për të ndarë trajnerin dhe ish-sulmuesin.

Planet për ndryshimin në radhët e drejtuesve të Milanit ishin bërë prej kohësh. Drejtuesit e RedBird kishin lëvizur prej javësh për një të ardhme pa Allegrin dhe Taren. Udhëtimet dhe takimet e shpeshta në Londër shërbenin pikërisht për të hedhur bazat.

Kualifikimi i munguar në Champions League ishte pastaj preteksi perfekt për të justifikuar shkarkimet që u bënë dhe fillimin e revolucionit. Krisja e thellë u pa publikisht në rastin e golit të Saelemaekers.