Me siguri ia vlen të shkruaj një analizë më të gjatë për lëvizjen e madhe gjeopolitike nëpër të cilën po kalojmë; tashmë kanë dalë jo vetëm artikuj e analiza, por edhe libra, siç është ai i presidentit finlandez, A.Stubb, që shpjegon këtë fazë të rirreshtimit duke e krahasuar për nga rëndësia me vitet 1919 ose 1945 ose 1989.
Në mungesë të një analize më të thelluar e gjatë, së paku tash për tash, ja një indikator fillestar nga leximi i dokumentit të fundit që doli nga administrata amerikane, NDS (Strategjia Kombëtare e Mbrojtjes) për vitin 2026. Në të në asnjë vend nuk përmendet Kosova e as regjioni i Ballkanit Perëndimor.
Për një vend që ka pasur vëmendje të tre presidentëve amerikanë-G.H.Ë. Bush si parandalues me “kërcënimin e Krishtlindjes”, Clinton për çlirimin e vendit dhe G.Ë. Bush për pavarësinë-e i mësuar me ndjenjën se disi SHBA-ja e ka Kosovën si njërin prej preokupimeve të veta, nëse jo parësore atëherë aty afër, mospërmendja e Kosovës në kontekstin e strategjisë së mbrojtjes duket si një lajm brengosës.
Por, ka edhe formë tjetër kundrimi. Për shembull fakti se Kosova dhe regjioni në të cilin jetojmë nuk përbën ndonjë rrezik sigurie-së paku jo për Amerikën, madje edhe duke pasur ushtarë të vet në patrullim brenda misionit të KFOR-është në vete lajm i mirë.
Kosova dhe Ballkani Perëndimor lëre që nuk përbëjnë rreziqe të sigurisë krahasuar me Ukrainën e Lindjen e Mesme, por as me cilëndo pjesë tjetër të botës ku ka konflikte latente a të papërfunduara.
Ky dallim në kundrim quhet ndryshim paradigme. Për qytetarin e rëndomtë përgjatë një çerek shekulli është ndërtuar bindja se SHBA-ja është forca mbrojtëse e Kosovës, madje se ekziston një lloj përcaktimi e obligimi amerikan për ta mbrojtur vendin më proamerikan në Evropë (ndoshta botë). Një lloj analogjie ka ndodhur me popuj të tjerë evropianë: gjeneratat e italianeve, holandezëve, gjermanëve, francezëve, suedezëve e të tjerëve përgjatë Luftës së Ftohtë ishin mësuar me faktin se paqja e tyre ishte në duart e sigurt të amerikanëve e NATO-s (pjesën dërrmuese të së cilës prapë e përbënte SHBA-ja).
Pas skadimit të këtij çerekshekulli, evropianëve në shekullin XXI po u përsëritet prej SHBA-së në formë krejtësisht eksplicite nevoja që Evropa të marrë përgjegjësinë parësore për sigurinë e saj (me përkrahje dytësore amerikane). “Moska nuk është në pozicion për të bërë një përpjekje për hegjemoni evropiane. NATO evropiane e lë Rusinë në hije në shkallën ekonomike, popullsinë dhe, si rrjedhojë, në fuqinë ushtarake latente”. Dhe, për ta ilustruar këtë, NDS jep konstatimin e thjeshtë e disparitetit ekonomik: GDP e kombinuar e shteteve evropiane të NATO-s është 26 trilionë (gjegjësisht bilionë në përllogaritje evropiane), ndërkohë që ajo e Rusisë është trembëdhjetë herë më e vogël, pra 2 trilionë dollarë(bilionë në përllogaritje evropiane).
“Aleatët tanë në NATO janë, pra, në një pozicion të fortë për të marrë përgjegjësinë kryesore për mbrojtjen konvencionale të Evropës, me mbështetje kritike, por më të kufizuar nga SHBA-ja”.
Dhe, nëse pyetja shtrohet e përsesë së këtij ndryshimi paradigme, ja një arsyetim i cili është bërë në fjalime presidenciale që nga presidenti Obama, por tash është përmbledhur në një paragraf të strategjisë mbrojtëse. “NSS e pranon se Indo-Paqësori së shpejti do të përbëjë më shumë se gjysmën e ekonomisë globale. Siguria, liria dhe prosperiteti i popullit amerikan janë, pra, të lidhura drejtpërdrejt me aftësinë tonë për të tregtuar dhe për t'u angazhuar nga një pozicion force në Indo-Paqësor. Nëse Kina - ose dikush tjetër, për këtë çështje - do të dominonte këtë rajon të gjerë dhe vendimtar, ajo do të ishte në gjendje të vinte veton në mënyrë efektive ndaj aksesit të amerikanëve në qendrën e gravitetit ekonomik të botës, me implikime të qëndrueshme për perspektivat ekonomike të vendit tonë, duke përfshirë aftësinë tonë për t'u riindustrializuar”.
Në një fjali të zgjeruar porosia e politikës amerikane të mbrojtjes thotë se Evropa ka kapacitet ekonomik për të marrë përgjegjësi për mbrojtjen konvencionale (jobërthamore) të kontinentit me përkrahje të kalibruar amerikane, ndërkohë që vëmendja themelore amerikane do të jetë e përqendruar në “qendrën e gravitetit ekonomik botëror), Indo-Paqësorin.
Është edhe një fjali e zgjeruar që përmbledh edhe dy pika të tjera të rëndësishme të NDS: SHBA do të marrin përgjegjësinë për Hemisferën perëndimore-“lagjen e vet”, disi-dhe do të rrisin kapacitetin e vet industrial të mbrojtjes për të arritur qëllimet e përcaktuara strategjike.
Tri përfundime të thjeshta dhe imediate ia vlejnë për qytetarët e Kosovës dhe të Ballkanit Perëndimor. I pari është se hyjnë brenda një fjalie të cituar nga NDS: “Aleatët tanë në NATO janë, pra, në një pozicion të fortë për të marrë përgjegjësinë kryesore për mbrojtjen konvencionale të Evropës, me mbështetje kritike, por më të kufizuar nga SHBA-ja”.
I dyti është të kuptojnë zhvillimin e koncepteve “marrja e përgjegjësisë kryesore për mbrojtjen konvencionale të Evropës” dhe “mbështetjes kritike por të kufizuar amerikane”. Brenda kësaj baraspeshe fshihet edhe roli që do të kenë shtetet e Ballkanit Perëndimor për “mbrojtjen konvencionale të Evropës”. Qartazi brenda kësaj baraspeshe është eliminimi i pranisë e ndikimit rus në Ballkanin Perëndimor.
Dhe, i treti është të kuptuarit të konceptit të ndryshimit të paradigmës. Ja një: Një ndryshim paradigme është një ndryshim themelor në konceptet, supozimet dhe praktikat themelore eksperimentale të një disipline shkencore ose të çdo fushe të mendimit. Ai përfaqëson një transformim "revolucionar", ku një mënyrë e vjetër e të menduarit ose e të bërit të diçkaje zëvendësohet plotësisht nga një model i ri./Koha
Komente








