Veton Surroi: Duke pritur presidentin, tashmë të parë, amerikan

Veton Surroi: Duke pritur presidentin, tashmë të parë, amerikan

Edhe në rastin më të mirë të parashikueshmërisë së administratës së ardhshme amerikane, vitet 2025-2029 nuk pritet të jenë kthesë historike drejt paqes, por pjesë e një përshkallëzimi gjithnjë e më të madh global. Aty do të gjendet edhe Ballkani Perëndimor, si “unfinished business”

Ekziston një cikël natyral vendimmarrjeje në botën perëndimore dhe të atyre që e vëzhgojnë me vëmendje, e ai cikël thotë se në vitin e zgjedhjeve amerikane nuk mund të merren vendime me rëndësi në marrëdhënie ndërkombëtare. Përjashtim dukeshin muajt e fundit të administratës Clinton, kur u mendua se ishte krejtësisht afër paqja mes Palestinës e Izraelit, por fakti që nuk u arrit është mu dëshmi e rregullit.

Këtë leksion e mësoi Kosova në lëkurë të veten në shtator të vitit 2020. Asokohe kryeministri Hoti dhe presidenti Vuçiq u ftuan në Washington për të nënshkruar në zyrën e presidentit Trump , dy muaj para zgjedhjeve amerikane, Marrëveshjen për normalizimin ekonomik mes dy vendeve. Prej asaj kohe kanë kaluar katër vjet dhe marrëdhëniet mes dy vendeve janë çdo gjë pos normale.

E Kosova nuk ka kaluar më së keqi. Asokohe Sudani u bë pjesë e “Marrëveshjeve abrahamike” që synonin paqen në Lindjen e Mesme, bazuar në normalizimin e marrëdhënieve me Izraelin. Sot Sudani ka mbi një vit luftë qytetare me dhjetëra mijëra të vrarë dhe mbi shtatë milionë refugjatë.

Rregulli pra thotë që do pritur presidentin e zgjedhur amerikan.

Dhe, njëra prej arsyeve pse nuk ekziston ndonjë lëvizje serioze kah paqja - në luftën e Rusisë kundër Ukrainës, luftës së Izraelit kundër palestinezëve në Gazë dhe Breg Perëndimor apo në marrëdhëniet Kosovë-Serbi - është në një masë të rëndësishme e lidhur me pritjen e zgjedhjes së presidentit amerikan.

Zgjedhjet amerikane, ndërkaq, kanë një shkallë të lartë ndërlikueshmërie dhe një shkallë të lartë thjeshtësie njëkohësisht. Pjesa e ndërlikuar ka të bëjë me kufijtë e paparashikueshmërisë, të cilët po preken çdo ditë. Është gjithnjë e më e paparashikueshme gjendja psiko-fizike e një presidenti Biden me mandat të dytë. Dhe është gjithnjë e më e paparashikueshme gjendja psiko-fizike e një presidenti Trump me mandat të dytë - shto këtu edhe faktin se tashmë është shpallur nga juria në New York si shkelës ligji dhe do të jetë kandidati i parë presidencial i dënuar për veprime kriminale që merr pjesë në garë e me gjasë për të qenë edhe i zgjedhur president.

Pjesa e thjeshtë apo interpretimi i thjeshtësuar është krejtësisht i ndryshëm me atë të ndërlikuarin. Pra, zgjedhjet amerikane janë zgjedhje mes dy parashikueshmërive. Zgjedhja e presidentit Biden për mandat të dytë do të thoshte vazhdim i përcaktimeve të deritanishme në politikën e jashtme. Pra, nga aspekti strategjik, kjo do të thoshte pozicionim të mëtejmë në garën globale gjeopolitike me Kinën, përkrahje Ukrainës kundër Rusisë, përkrahje Izraelit kundër të gjithë kundërshtarëve të vet, përpjekje për krijimin e një aleance të vendeve sunite të Gjirit arabik kundër Iranit.

Zgjedhja e presidentit Trump për mandat të dytë do t’i thoshte të gjitha këto si tek administrata Biden, por me një tonalitet më të madh force. Siç shpjegon këshilltari i fundit për siguri kombëtare, Robert C.O’Brien, në artikullin e “Foreign Affairs”, administrata e ardhshme Trump do të niset nga maksima romake “Si vis pacem, para bellum”, “Nëse do paqe, përgatitu për luftë”. Sipas O’Brien , presidenca Trump do të fuste tarifa 60 për qind për prodhimet kineze, do të zhvendoste pjesën më të madhe të flotës së vet detare në Paqësor, do të ndëshkonte Iranin ku të jetë e mundur dhe do të forconte përkrahjen për Ukrainën.

Dhe, ndonëse O’Brien shpjegon se do të forcohej bashkëpunimi me vendet e NATO-s, ai njëkohësisht e përshkruan administratën e ardhshme si një “realizim jacksonian”, të quajtur ashtu sipas presidentit të parë populist Andrew Jackson, i cili pos spastrimit etnik të indianëve në Florida njihet , sipas profesorit  Walter Russell Mead, si politikë të “marrjes së vendimeve të politikës së jashtme bazuar vetëm në interesin kombëtar dhe nderin kombëtar, duke mos pasur asnjë shqetësim për përdorimin e forcës maksimale ushtarake duke minimizuar humbjen e jetëve amerikane”.

Në Amerikë kjo do të quhej “more of the same, only more so”, që në shqip do të ishte “më shumë nga e njëjta gjë, vetëm se më shumë”. Dhe, një gjë e tillë do të vlente po të ishte e parashikueshme paparashikueshmëria e një presidenti Trump në mandat të dytë, të çliruar tashmë nga të gjitha konvencionet e traditës presidenciale amerikane.

Por, edhe në rastin më të mirë të një presidence Biden si vazhdimësi e mandatit të parë apo të një presidence Trump që do të ishte platforma O’Brien, një shkallë më e lartë konfliktuoziteti global, vitet 2025-2029 nuk duken si periudha kthesash historike drejt paqes. Më shumë duken si përshkallëzim në një periudhë të re ende të papërcaktuar marrëdhëniesh ndërkombëtare që tashmë kanë dy pole superfuqish, SHBA dhe Kina, por kanë edhe fuqi të tjera tradicionale (evropiane) apo ato në zhvillim e sipër (aziatike, afrikane) që e bëjnë botën multipolare gjithnjë e më të ndërlikuar.

Në këtë botë të ndërlikuar lufta në Ukrainë mund të ndalet pas zgjedhjeve amerikane, për shembull, me një armëpushim. Kushtet e armëpushimit, ndonëse nuk flitet për marrëveshje paqeje, do të japin skicën e një ardhmërie që po ndërtohet. Para dy vjetësh, nga draftet e negociuara e tashmë të botuara në “The New York Times”, del se qe arritur pak a shumë përcaktimi i Ukrainës si një shtet neutral e nën garancinë e Pesëshës së madhe në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Fakti që draftet dolën në publik njëkohësisht me mbajtjen e Konferencës së Paqes për Ukrainën në Zvicër, janë pjesë e përgatitjes për një zhvillim të logjikshëm që rrjedh nga fushëbeteja, pamundësisë së asnjërës palë për të arritur objektivat e veta të plota ushtarake.

Krahas Ukrainës, arritja e një armëpushimi në Gazë do të duhej të ishte hyrje për një iniciativë më ambicioze diplomatike amerikane (tashmë pothuajse të dakorduar me Arabinë Saudite) për një rirreshtim të vendeve arabe në gjeostrategjinë e madhe ndaj boshtit të perceptuar Kinë-Rusi-Iran.

Po të jenë këto zhvillimet, atëbotë do të hynim në një katërvjeçar të ri të zonave të konflikteve të papërfunduara. Për ne në kontinentin evropian, kjo zonë do të fillojë në vijën e armëpushimit Ukrainë-Rusi e të shtrihet deri në Bosnjë-Hercegovinë.

Ballkani Perëndimor kështu do të hyjë në agjendën e cilitdo që të zgjidhet si president amerikan, si “unfinished business”, në hartën gjithnjë e më të madhe krizash./Koha

 

 

S.B/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Aksidenti ajror në Kazakistan: Ngushëllime për Azerbajxhanin e Kazakistanin, uroj që paqja të mbizotërojë tek ta

Aksidenti ajror në Kazakistan: Ngushëllime për Azerbajxhanin e Kazakistanin, uroj që paqja të mbizotërojë tek ta