Më ra në mend thënia spirituoze se “është vështirë të parashikohet, posaçërisht e ardhmja” (dikush thotë se autor është fizikani Nils Bohr, dikush bejsbollisti Yogi Berra), ndërsa kujtova njërin prej parashikimeve më thelbësore gjeopolitike që u bë rreth ecejakes së këtij shekulli.
Zbigniew Brzezinski, eminenca gjeopolitike amerikane, më 2011 në librin e tij “Vizioni strategjik” paralajmëroi dy zhvillime që do të përcaktojnë një pjesë të mirë të këtij shekulli. Pas një elaborimi të gjatë për dominimin e Perëndimit në çështje globale dhe për rënien historike të këtij dominimi në fillim të shekullit XXI, Brzezinski përkufizon krizën e këtij shekulli me “shkurtimisht, kriza e fuqisë globale është pasojë e grumbulluar e zhvendosjes dinamike të qendrës së gravitetit botëror nga Perëndimi drejt Lindjes”. Në elaborim më të thjeshtë , “qendra e gravitetit” do të thotë rritja e Kinës si superfuqi krahas rënies së SHBA-së si superfuqia nën të cilën funksionon rendi i deritanishëm botëror.
Parashikimi i tij i dytë në këtë libër, relevant për të kuptuar situatën e sotme është ajo e vitit 2025, kur Brzezinski parashikonte rënien e SHBA-së si superfuqi e vetme. Pyetja retorike të cilën e shtroi ishte se a do të sundojë Kina më 2025? Përgjigjja: “Deri më 2025, nëse Amerika dobësohet, rezultati nuk do të jetë një botë e udhëhequr nga Kina, por rirreshtime kaotike, pa asnjë pasues të qartë”.
E tash, për parashikimet imediate të së ardhmes - të cilat janë “të vështira, posaçërisht për të ardhmen”- se çka do të ndodhë me Grenlandën apo me Bordin e Paqes, këto janë pyetje për të cilat mungon përgjigjja e Brzezinskit. Ai vdiq më 2017 dhe artikulli i fundit që shkroi ishte, paradoksalisht, thirrje për “doktrinën Trump” në politikën e jashtme amerikane e cila do të formulonte një politikë koherente të marrëveshjes mes SHBA-së, Rusisë dhe Kinës. Qartazi, kjo gjë ende nuk është bërë dhe dikur në histori do të përcaktohet momenti se kur është mbërritur një lloj e re marrëveshjeje. Kurdo që të jetë ajo pikë, njëri prej interpretimeve të ditëve që po përjetojmë është përpëlitja me të kaluarën.
Ndonëse nuk e kam të mundur të them se çka do të ndodhë me Grenlandën, është e qartë se çështja e Grenlandës është produkt i së paku dy faktorëve: shkrirjes së akullit në Arktik e me të edhe hapjes së rrugëve të re detare për transport mallrash dhe së dyti rishpërndarjes së përpjesëtimit të pasurisë së Arktikut. Dhe, për më tepër, kjo nuk është gjë e re, është shtruar nga presidenca e parë Trump. Ndonëse nuk e kam të mundur të them se çka do të ndodhë me Bordin e Paqes të presidentit Trump, është e qartë se ky propozim konkurron të jetë një alternativë ndaj krizës së OKB-së, krizë e dukshme prej kohësh, por më së shumti me luftën në Ukrainë dhe Gaza.
Dhe, ndonëse nuk mund të parashikoj gjëra që janë kaq afër vendimeve si Grenlanda apo Bordi i Paqes-dhe kjo flet vetë për natyrën e paparashikueshme të kohës nëpër të cilën po kalojmë-është lehtë e parashikueshme se çfarëdo vendimi që të merret në këto dy çështje mund të ketë pasoja në të ardhmen. Grenlanda që tani është indikator i mungesës së kohezionit në NATO dhe rrjedhimisht nevojës që kjo të adresohet kështu apo me nevojën për marrje më të madhe të përgjegjësisë nga shtetet evropiane. Bordi i paqes si ide është indikator i mungesës së jetëgjatësisë të formës së deritanishme të idesë multilateraliste (të ndërtuar me rolin prijës amerikan pas vitit 1945) dhe rrjedhimisht i nevojës që ajo ide, në është e mundur, të rivizitohet me zgjidhje të reja.
Çfarë do të na sugjeronte ne, Kosovës e Ballkanit Perëndimor, Brzezinski? Fillimisht do thënë se ai kishte një emër-koncept për ne. Na quante “borderland states” që nuk përkthehet bash me saktësi në “shtete kufitare”, por më mirë në atë ai quan konceptualisht shtetet që gjenden në “fault lines”, në vijat e përplasjes mes fuqive, në këtë rast për vijat e përplasjes mes Evropës dhe Rusisë.
Dhe, pa hyrë në parashikim të ardhmërisë së afërt vetë emri është indikator për atë që na pret: përpjekja për të mos qenë më “borderland states”. Kurdo që të vijë në histori momenti i ekuilibrit të ri botëror, momenti të cilin po e jetojmë sot mund të jetë i identifikueshëm me sfidën (dhe mundësinë) që e kishte Ballkani Perëndimor për të kaluar prej “fault lines” në territor që është larg atyre vijave të përplasjeve. Kjo do të thotë përgjegjësi për një Ballkan Perëndimor si zonë paqeje, fillimisht në paqe me veten.
Parashikimet e Brzezinskit u përmbyllën me vitin 2025 dhe përshkrimi për “rirreshtime kaotike” nuk është larg të së vërtetës. Më 2026, po të ishte gjallë, do t’i hynin në punë dy palë shënimesh që sapo dolën për ta kuptuar edhe më mirë këtë shekull. Fjala është për shënimet e rritjes demografike botërore. Ndonëse e kemi vështirë të dimë se çka ndodh nesër me Grenlandën apo Bordin e paqes (apo ndonjë lëvizje të re në Iran, Amerikë latine a gjetiu) bota në të cilën jetojmë do të duket në mënyrë dramatike më ndryshe, në bazë të trendëve të sotëm demografikë dhe pa determinues gjeopolitikë mbi to.
Qendra e gravitetit botëror, e cila po bartet prej Evropës për në Kinë është njëkohësisht qendra e plakjes së popullsisë. Kina më 2025 shënoi numrin më të vogël të lindjeve në gjysmë shekulli (gati 8 milionë) dhe ky vend pritet të stabilizohet te numri 625 milionë , shumë më pak se 1.4 miliard sa janë sot.
Kjo pritet të ndodhë, sipas OKB-së, më 2100. Deri atëherë, sipas OKB-së do të ndodhë edhe një transformim i madh të cilin Brzezinski dhe të tjerët nuk e kishin paraparë: 8 nga 10 banorët në botë do të jetojnë në Azi apo Afrikë. Në Afrikë do të jetojnë 4 miliardë banorë, apo 38 për qind e popullatës botërore. Çerekshekulli i ardhshëm nuk do të jetë vetëm bartje e gravitetit botëror në relacionin Perëndim-Lindje, por po ashtu Veri-Jug./Koha
Komente









