Vendosja e mundshme e vijës e armëpushimit për të ndalur luftën ruse në Ukrainë mund të japë  indikacione për rrjedhën e mëtejme të formësimit të rendit të ri botëror.  Fillimisht, do të konfirmohet se pas katër vjetësh (apo nga viti 2014 për të qenë më preciz) Rusia nuk e ka arritur qëllimin e vet parësor ushtarak, nënshtrimin e Ukrainës. Dy vjetët e fundit, me një çmim enorm prej një mijë ushtarësh të vrarë në javë, Rusia ka arritur ta shtyjë vijën e frontit 70 metra në ditë. Nga aspekti demografik, ushtarak dhe ekonomik Rusia në këtë luftë ka treguar atë që ka konstatuar Strategjia Kombëtare e Mbrojtjes (NDS) e SHBA-së se Rusia nuk paraqet rrezikun e të qenit hegjemon në Evropë, gjegjësisht se është rrezik i qëndrueshëm por i menaxhueshëm nga Evropa.

Kjo sjell te pika në vijim. Ndonëse Rusia ka dhe do të ketë kapacitete për të rrezikuar sigurinë evropiane, në veçanti në relacion me shtetet fqinje në radhë të parë në Baltik, lufta në Ukrainë ka treguar se një shtet më i dobët ushtarakisht si Ukraina mund të rezistojë edhe në luftë konvencionale dhe aq më shumë se këtë mund ta bëjnë shtetet evropiane së bashku, e me përkrahje të NATO-s, gjegjësisht përkrahjes kyçe strategjike amerikane në sigurimin e mbrojtjes kundërajrore, inteligjencës dhe parandalimit bërthamor. Pra, Evropa mund ta mbrojë veten nga Rusia, në një sistem të rishpërndarjes së detyrave, barrës financiare e të ngjashme, për ç’gjë tashmë pothuajse ekziston pajtim brenda NATO-s. 

Dhe rrjedhimisht, vija e armëpushimit po ashtu bën vijën ndarëse të sferës së interesave. Hapësira që fillon me territorin e administruar nga Ukraina përbën kufijtë lindorë të hapësirës unike evropiane të sigurisë e cila shtrihet deri te kufijtë e vet tradicionalë në ishujt britanikë. Në një këso shtrirje që po bëhet tani e do të jetë më e dukshme, momenti i vendosjes së vijës së armëpushimit e vë theksin te momenti i përcaktimit të shteteve të Ballkanit Perëndimor për të qenë pjesë e arkitekturës të hapësirës unike të sigurisë. Tri shtete të Ballkanit Perëndimor (Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut) tashmë e kanë bërë këtë hap duke u anëtarësuar në NATO dhe duke u bërë kështu pjesë e hapësirës.

Për Kosovën kjo nuk paraqet ndonjë dilemë për të marrë vendim. Përgjigja e kamotshme, prej rënies së Murit të Berlinit deri më sot është e njëjtë, pra se vendi dëshiron integrime euroatlantike. Dhe kjo nuk është përzgjedhje e njërës apo tjetrës parti politike, një vendim i këtillë strategjik është plebishitar në shoqëri, gjithnjë me mbi 80 për qind përkrahje. Për më tepër, përgatitja për të qenë ushtarakisht të aftë për në NATO është tashmë një plan i hartuar nga vendet e NATO-s, i zhvilluar me mbikëqyrje të tyre dhe me rrjedhë të vlerësuar me nota të larta. Kosova brenda këtij dhjetëvjetëshi është e standardizuar ushtarakisht për NATO. Por a do të mjaftojë kjo për përfshirjen e Kosovës dhe Ballkanit Perëndimor në hapësirën unike të sigurisë? 

Jo, ngase sfidat për sigurinë e Ballkanit Perëndimor (dhe rrjedhimisht hapësirës evropiane) vazhdojnë të jenë të njëjta si dhe në fillim të këtij shekulli. Ballkanin Perëndimor nuk po e sfidon, sikur Poloninë, prania e madhe ushtarake ruse afër kufijve të saj, por prania, nxitja dhe forcimi i konceptit të konflikteve të papërfunduara (pra edhe të hapësirës së pasigurt evropiane). Rusia ka përfituar nga mbajtja e gjendjes së konflikteve të papërfunduara në BeH dhe mes Kosovës e Serbisë e me përpjekje të përhershme të destabilizimit të Malit të Zi; Serbia ka jetuar përgjatë këtij shekulli me një doktrinë sigurie të ndërtuar mbi konflikte të papërfunduara.

Dhe, kjo është sfida konceptuale edhe për ambicien evropiane të hapësirës unike të sigurisë. Nëse BE-ja dhe NATO po marrin përgjegjësinë historike për një balancë të re gjeopolitike në kufirin Ukrainë-Rusi si është e mundur të mos e zgjidhin një problem sigurie të një dimensioni shumë më të vogël? Nëse zhvendosja strategjike e SHBA-së drejt Indo-Paqësorit po shkakton dridhje tektonike edhe në balancën e sigurisë SHBA-Evropë, si është e mundur që resurse njerëzore (ushtarë, diplomatë, akademikë) ende merren me një regjion si Ballkani Perëndimor?

Përgjigja është e thjeshtë, sepse përgjatë këtij çerekshekulli, përderisa bota është marrë me kriza të ndryshme në Lindje të Evropës është krijuar një “zonë komforti” sigurie, gjegjësisht ligji i inercisë. Pra, në forma të ndryshme, përgjatë çerekshekullit ka ekzistuar komoditeti që të vazhdohet me politikë të njëjtë përderisa gjërat të mos përkeqësohen apo që të mos gjendet ndonjë ide më e mirë, dhe ky komoditet u amplifikua në tërë kontinentin, me mbështetjen te mbrojtja amerikane e tij.

Por, ja kthesa në regjion dhe tri pikë për to. Një, sfera e interesit e Rusisë është në lindje të vijës së armëpushimit me Ukrainën dhe aty duhet të mbetet. Rusia nuk ka çka të kërkojë në këtë anë të arkitekturës së sigurisë evropiane, pra të Ballkanit Perëndimor.

Dy, siguria, siç dëshmohet në Ballkanin Perëndimor nuk është sinonim i pasivitetit. Pra, vendosja e ombrellës së sigurisë mbi regjionin nëpërmjet misioneve paqeruajtëse/stabilizuese ndihmon për krijimin e një ambienti të sigurisë, por jo vetë sigurinë. Banjska është shembull eklatant. Ballkani Perëndimor do të jetojë në hapësirën evropiane të sigurisë kur ta krijojnë në bazë të veprimeve e ndërveprimeve aktive, siç janë traktatet e marrëveshjet e sigurisë.

Dhe tre, hapësira unike e sigurisë nuk pranon “dykuptimësinë konstruktive” siç ka pranuar diplomacia. Në hapësirën unike evropiane nuk mund të jesh njëkohësisht edhe për NATO, BE, Rusinë e Kinën.

Cilado pikë është pikënisje për Serbinë, por le të nisemi prej të tretës. Serbia në pothuajse njëzet vjetët e fundit - dhe këtë e ka bërë gjatë mandatit të presidentit Tadiq - ka proklamuar politikën e uljes në katër karrige (Rusia, SHBA, BE dhe Kina). A.Vuçiq së pari si kryeministër e pastaj si president, shpalli se Serbia është “ushtarakisht neutrale”. Përgjatë këtij çerekshekulli kjo ka funksionuar për Serbinë dhe toleruar nga NATO/BE. 

Por, kjo është një gjendje që nuk mund të qëndrojë më, jo vetëm pse shtete që njihen tradicionalisht si neutrale siç janë Finlanda e Suedia tashmë janë anëtare të NATO-s apo ato si Austria janë të integruara plotësisht në politikën e mbrojtjes të BE-së (dhe të lidhura ngushtë me NATO-n), por sepse neutraliteti po ashtu nuk është gjendje pasive. Që Serbia të jetë neutrale, ajo këtë duhet ta shkruajë në Kushtetutën e vet, të shpallë në të neutralitetin e përhershëm ushtarak, ndalimin me aleancat ushtarake, ndalimin e bazave ushtarake të huaja, angazhimin vetëm për vetëmbrojtje (dhe pozicionimin e forcave ushtarake në këso gjendje). Pastaj këto duhet t’i formulojë në formë traktati të cilin ia ofron për nënshkrim organizatave shumëpalëshe (OKB, NATO) dhe vendeve fqinje. 

Dhe pjesë e rëndësishme e tërë kësaj procedure, që nga Kushtetuta e deri te traktati, është përcaktimi i saktë i territorit në të cilin vlen neutraliteti. Me këtë përmbajtje, të territorit të përcaktuar, Serbia do të duhej t’ua ofronte të gjithë fqinjëve në mënyrë që ky neutralitet të ratifikohej. Për neutralitetin e Serbisë, pra, do të duhej edhe miratimi i kryeministrit të Republikës së Kosovës. Pa të, neutraliteti i Serbisë është vetëm mbulesë për të vazhduar me të njëjtën çerekshekullin tjetër, nxitjen dhe krijimin e pasigurisë te vendet fqinje të saj./Koha