TIRANE-Një ditë pasi Kolegji i Posaçëm i Apelimit e shkarkoi nga detyra, Gjykata Kushtetuese hoqi nga faqja zyrtare Besnik Muçin dhe njoftoi Presidentin e Republikës për vakancën e krijuar. Besnik Muçi u shpreh sot në mëngjes se nuk e njeh vendimin dhe u paraqit në zyrë me një kërkesë drejtuar Kushtetueses që të shqyrtojë dhe vendosë fatin e tij me argumentin se vendimi i vettingut është në kundërshtim me ligjin.

Muçi theksoi se do të vijojë që të qëndrojë në detyrë deri kur të japë vendimin gjykata Kushtetuese, e cila pa kaluar pak orë e fshiu nga faqja zyrtare duke ia dhënë përgjigjen. Gjithashtu Presidenti Meta mesditën e sotme e priti në një takim dhe i kërkoi Muçit që të rishikonte vendimin. Gjykata Kushtetuese pasi e zhduku nga lista e anëtarëve në faqen zyrtare njoftoi kreun e shtetit për vakancën e krijuar.

Tashmë do të nisë procedura për zgjedhjen e anëtarit të ri që do të zëvendësojë Muçin. Gjykata Kushtetuese mbetet me katër anëtarë; Vitore Tusha, Marsida Xhaferllari, Elsa Toska dhe Fiona Papajorgji në pamundësi për të marrë asnjë vendim, pasi duhet kuorumi prej gjashtë anëtarësh.

Faqja zyrtare e Gjykatës Kushtetuese, mungon Besnik Muçi