TIRANË- Ish-prokurorja Antoneta Sevdari ka fituar procesin me shtetin në Gjykatën e Stasburgut.

Në vendimin e Gjykatës thuhet se shkarkimi i Sevdarit ka shkelje proceduriale dhe se shkarkimi nuk ka qenë proporcional. Për pasojë, shtetit shqiptar do duhet ta dëmshpërblejë 24, 600 euro.  Më konkretisht, përveç dëmshpërblimit për shkarkimin e padrejtë në vlerën e 13.600 eurove, Sevdari ka fituar edhe 6 mijë euro për dëmin moral të shkaktuar nga procesi si dhe mbulimin e shpenzimeve të aplikimit në Strasburg në shumën 5 mijë euro. Megjithatë pavarësisht vendimit, Sevdari nuk kthehet në punë, por merr vetëm dëmshpërblim.

KPA shkarkoi nga detyra prokuroren e Tiranës, Antoneta Sevdarin në 28 shkurt 2019. Ky vendim erdhi pasi Sevdari kishte probleme me pasurinë e bashkëshortit. KPA vendosi ta shkarkonte pasi Komisioneri Publik kërkoi rihapje të hetimit. Ishte pasuria e të shoqit që solli edhe shkarkimin e saj, bashkë me denoncimin e një personi të njohur si Aleksandër Marku. Komisioni Publik ankimoi vendimin për pasurinë e bashkëshortit, ndërsa Sevdari e justifikoi me punën e tij jashtë vendi, më konkretisht në Arabinë Saudite.

Sevdari u shpreh se natyra e të ardhurave të tilla, nuk parashtrohet në deklaratat e pasurisë pasi punëdhënësi i tij ka ndërruar jetë. Një tjetër çështje që solli shkarkimit ishte ankimimi i Komisionerit, pasi Sevdari akuzohej se ka pushuar çështjen për një ish-kryetar komune, i cili ka qenë i akuzuar për fshehje pasurie dhe deklarim të rremë. Kujtojmë që Sevdari u shkarkua në vitin 2019 nga trupa e Vettingut ku ishte pjesë edhe Luan Daci. Ish-prokurorja ka deklaruar më parë se u shkarkua nga një gjyqtar që nuk di të shkruajë dhe me një CV-ja  “ulëritëse”.

(Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë) Vendimi i Strasburgut